Home Blog Page 10

Çitaku i reagon Kurtit pas fjalimit në Facebook

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas letrës së kryeministrit Albin Kurti, ku njoftoi se nuk ka marrëveshje me opozitën për çështjen e Presidentit.

Për këtë temë, Kurti fajësoi partitë opozitare.

E Çitaku, në reagimin e saj, tha se Kosova “fatmirësisht nuk është vetëm e jotja”, ndërsa i kërkoi të lëshojë rrugë nëse nuk dëshiron të qeveris.

“Kryeministër, qetësohu. Përkundër kapjes së institucioneve, Kosova fatmirësisht nuk është vetëm e jotja. Si do t’ia shpjegosh popullit që t’i dhanë 51% të votave se nuk dëshiron e nuk din të qeverisësh?”.

Postimi i Çitakut:

Kryeministër, qetësohu. Përkundër kapjes së institucioneve, Kosova fatmirësisht nuk është vetëm e jotja. Si do t’ia shpjegosh popullit që t’i dhanë 51% të votave se nuk dëshiron e nuk din të qeverisësh?

Këtë e di ti, mirëpo çfarë di unë është se ti do ta marrësh përgjigjen e merituar nga ta. Prandaj, lutja ime është krejt e sinqertë: Ose qeveris, bashkëpuno e jepi drejtim Kosovës, ose lësho rrugë e lëri më ankesat, krizat e lojërat fëmijërore në kurriz të qytetarëve.

Ti nuk je armiku ynë. Ti je vetëm një sfidë që, në ditën kur nuk do të jesh në drejtimin e vendit, për shtetin dhe qytetarët do të bëhet shumë më mirë.
Shihemi në zgjedhje, atje ku ky popull i abuzuar politikisht nga ti për shumë vjet, do të flasë me votë. I paaftë!

Kurti: Nëse LVV-ja nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është arritur marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Në një postim të gjatë në Facebook drejtuar qytetarëve, kreu i ekzekutivit fajësoi partitë opozitare për mos arritjen e akordit.

Ai tha se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja dhe të ecë drejt zgjedhjes së presidentit, teksa shtoi se “qytetarët e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Kurti theksoi se problemi kryesor mbetet sigurimi i 80 deputetëve për kuorum në çështjen e presidentit dhe, sipas tij, zgjedhjet nuk do të sillnin zgjidhje.

Postimi i Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Pas 10 muajsh bllokadë gjatë vitit 2025, në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit që lamë pas populli i Kosovës foli më qartë se asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës. Është obligim i secilit subjekt politik e lider partie të sillet në përputhje me atë vullnet të shprehur.

Legjislatura e 10-të e ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë. Ajo tash duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangë zgjedhjet sepse ato janë të panevojshme dhe humbin kohë dhe mjete të buxhetit të Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese.

Meqënëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!

Në përputhje më rezultatin dhe rrethanat kam bërë ftesa të vazhdueshme për partitë opozitare sikurse që vazhdimisht kam ofruar edhe alternativa për zgjidhje. Deri tani pa sukses.

Kam bërë ofertë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo ofertë përfshinte: postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. U refuzua.

Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo.

Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike. Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes Kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK mund të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Pra, Kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut.

Mos të harrojmë 4 veta në LVV kanë më shumë vota se kryetari i PDK-së: përveç meje, edhe Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu si dhe Hekuran Murati i cili po ashtu ka më shumë vota sesa Bedri Hamza. Ndërkaq nëse e krahasojmë me LDK-në, 10 veta nga LVV janë më të votuar sesa kryetari i LDK-së.

Të dashur qytetarë,

Republika e Kosovës ka nevojë për mbarëvajtje të institucioneve dhe stabilitet institucional.

Ne kemi shkuar me kandidat nga subjekti ynë kur ndodheshim fare pranë mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit me kandidatin e parë dhe të dytë, vetëm pasi nuk arritëm në një kandidat konsensual dhe vetëm pasi nuk kishte asnjë propozim të vetëm nga ana e subjekteve opozitare.

Propozuam kandidatin Glauk Konjufca, i cili është njeri i dytë më i votuar në historinë e Kosovës dhe Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Mbi të gjitha, sërish u ofrua edhe një zgjidhje tjetër, ku vet z. Konjufca deklaroi se mund të tërhiqet nëse paraqitet një figurë konsensuale. Pavarësisht kësaj, nga partitë opozitare, sot e asaj dite, nuk kanë paraqitur asnjë emër për kandidat për president. As në takime me mua dhe as publikisht për juve.

Ne duhet të kemi parasysh dhe respektojmë vullnetin e popullit të shprehur përmes rezultatit zgjedhor: LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca jonë arrin në 66 deputetë.

Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional.
Me rezultatin aktual zgjedhor, asnjë parti opozitare nuk ka numra të mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president pa bashkëpunim ato me njëra-tjetrën.

Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita.

Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata.

Ju falemnderit për mbështetjen e vëmendjen. Dhe, mirupafshim.

Kuvendi i Kosovës i bën nderime kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, mbajti sot një seancë të veçantë në shenjë nderimi për kongresistin amerikan Eliot Engel.

Në nderim të kongresistit amerikan, i cili ndërroi jetë më 10 prill, seanca u hap me një minutë heshtje.

Më pas, një fjalë rasti për nder të Eliot Engel mbajti kryetarja Albulena Haxhiu. Në fjalën e saj para deputetëve dhe mysafirëve në sallën plenare, ajo tha se sot po kujtohet e nderohet një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

“Sot nderojmë e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, tha Haxhiu.

Tutje, kryeparlamentarja theksoi se Engel i përkiste një brezi politikanësh që e kuptonin shërbimin publik si detyrë morale dhe jo si privilegj.

“Në vitet e errëta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Slobodan Milosheviqit, e bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, u shpreh ajo.

Kryetarja Haxhiu shtoi se, kur ke miq si Eliot Engel, hapja e dyerve të botës bëhet e mundshme dhe historike.

“Në shumë raste, ato dyer mbeten të mbyllura derisa bëhet vonë. Rajoni ynë e njeh mirë këtë pritje. Por, kur ke miq si Eliot Engel, hapja e tyre është e mundshme dhe historike”, tha ajo.

Në vijim të seancës, një fjalë rasti mbajti kryeministri Albin Kurti, duke e nisur me një citat nga fjalimi i kongresistit amerikan më 10 shkurt 1999, në takimin e Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare: “Unë besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia. Më lejoni t’ju tregoj se i them Kosova, sepse 90 për qind e njerëzve që jetojnë aty i thonë Kosova, prandaj po e përdor ‘a’-në. Pavarësia dhe vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjatë. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen drejt nën Serbi dhe kjo është dëshmuar shumë herë. Mendoj se politika jonë është mjaft e mangët, sepse për aq kohë sa e shohim Millosheviqin si pjesë të zgjidhjes pa e kuptuar se ai është problemi e jo zgjidhja, çdo zgjidhje që e përfshin atë është e destinuar të dështojë”.

Këtë qëndrim të kongresistit amerikan, kryeministri Kurti e cilësoi të prerë dhe të guximshëm, që, sipas tij, njihte realitetin, nevojat e kohës dhe përfaqësonte një vizion të kthjellët e largpamës.

“Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe duke avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Në shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë, në këtë foltore, në Kuvendin e shtetit për të cilin ai ishte i bindur se do të bëhej, ai tha: ‘Dua ta shoh Kosovën të njohur nga çdo shtet në botë; dua ta shoh në BE, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara’. Pra, ai donte për ne atë që duam për vete”, tha Kurti.

Më pas, nga një fjalë rasti mbajtën përfaqësuesit e partive parlamentare.

Deputetja Liza Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se sot po nderohet njeriu që kontribuoi që qytetarët e Kosovës të jetojnë dhe të flasin lirshëm.

“Për Kosovën Eliot Engel nuk ishte vetëm një mik i madh në Kongresin amerikan, ai e kuptoi drejtë dhimbjen tonë, e mbrojti të drejtën tonë për liri dhe qëndroi pranë nesh kur rruga drejt shtetësisë dukej shumë e gjatë dhe e vështirë”, tha Gashi.

Në emër të PDK-së, një fjalë rasti mbajti nënkryetarja e Kuvendit Vlora Çitaku, e cila, duke vlerësuar lart angazhimin e kongresistit amerikan për Kosovën, tha se ai bëri atë që shumë pak njerëz e bëjnë në politikë.

“Ai la gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve, sepse kur një popull i vogël dëgjohet pa qenë i pranishëm, kur historia e tij rrëfehet me ndershmëri dhe bindje, atëherë ajo histori ka gjetur një zë të vërtetë – e ai ishte Eliot Engel”, tha Çitaku.

Ndërsa në emër të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu e cilësoi kongresistin Engel si një zë të fuqishëm të lirisë së Kosovës në momentet më të vështira historike.

“Në vitet më vendimtare të fatit të popullit tonë, kongresmeni Engel ishte një mbështetës i palëkundur dhe një zë i vendosur në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për liri dhe demokraci. Kur e vërteta për vendin tonë kishte nevojë të dëgjohej, ai ishte ndër ata që e ngritën me guxim në zemër të politikës amerikane”, tha ajo.

Artan Asllani nga Grupi Multietnik, në fjalën e tij, tha se në kohën kur Kosova po kalonte ditë të vështira, pati njerëz që nuk qëndruan indiferentë – dhe një prej tyre ishte Eliot Engel.

“Ai nuk ishte vetëm një zë në Kongresin amerikan; ai ishte një ndër të rrallët që pa dhimbjen tonë, në një kohë kur shumëkush hezitonte ta shihte”, tha Asllani.

Seanca u përmbyll me fjalimin e deputetit Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili theksoi se mirënjohja dhe respekti për miqtë e vendit janë ndër vlerat më të rëndësishme të kombit shqiptar.
“Kuvendi po merr një vendim historik duke nderuar dhe përkujtuar Eliot Engel. Ky është më shumë se një moment kujtese; është një shprehje e qartë e mirënjohjes sonë si shtet për një njeri që qëndroi me popullin e Kosovës në kohët tona më të vështira”, tha Tahiri.

Deputetët ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.

Për marrëveshjen votuan 103 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Haxhi Avdyli nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është hap me rëndësi strategjike për vendin.

“Anëtarësimi është një vendim i rëndësishëm politik, dhe strategjik që e pozicionon vendin tonë si kontribuues aktiv në ndërtimin e paqes globale dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha ai.

Edhe partitë opozitare thanë se anëtarësimi i Kosovës në këtë bord është në interes të vendit.

Sulmi në Banjskë: Spasojeviq dhe Tolliq dënohen me burgim të përjetshëm, Maksimoviq me 30 vjet

Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.

Vendimi u mirëprit nga autoritetet në Kosovë, por u kritikua nga Lista Serbe dhe Serbia.

Në shpalljen e aktgjykimit për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, kur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i pranishëm ishte vetëm Dushan Maksimoviq.

Gjykatësi Ngadhnjim Arrni tha se të tre janë fajtorë dhe duke lexuar vendimin e gjykatës, ai tha se qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë, ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës, raporton REL.

“Përmes planit të mirëorganizuar, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe këtë pjesë t’ia bashkojë Serbisë”, tha ai.

Pas shpalljes së aktgjykimit, prokurori special, Naim Abazi, tha se vendimi është i mangët, pasi në të nuk është përfshirë edhe pjesa tjetër e të akuzuarve, përfshirë edhe Millan Radoiçiq, por shtoi se Prokuroria po bën të gjitha përpjekjet që ata të sillen para drejtësisë.

Duke e vlerësuar si rastin më kompleks në Kosovë, Abazi tha se vendimi i sotëm është mesazh për këdo që tenton të kryejë vepra të tilla se do të përballen “me dënim të merituar”.

Ai u pyet se si synon Prokuroria Speciale të sjellë para drejtësisë të akuzuarin kryesor, Millan Radoiçiq, dhe Abazi tha se do të shfrytëzohen mekanizmat ndërkombëtarë, sikurse INTERPOL-i.

“Serbia sigurisht do të bashkëpunojë sepse drejtësia nuk ka të bëjë fare, në këtë rast, me politikën. Nuk ka kompromis me drejtësinë”, tha Abazi për mediat pas shpalljes së aktgjykimit.

Sa i përket vendimit për Maksimoviqin, Abazi tha se do të vlerësohet aktgjykimi dhe do të paraqitet ankesë.

Skandal institucional nga KOK-u ndaj FFK-së, Ademi kërkon përgjegjësi

Rasti i mos njoftimit me kohë të Federatës së Futbollit të Kosovës nga ana e Komitetit Olimpik të Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me ekipet kombëtare të grupmoshës U19 për vajza dhe djem ka shkaktuar përplasje të fortë ndërmjet këtyre dy institucioneve sportive.

Sipas informacioneve, ftesa për pjesëmarrje në këtë ngjarje prestigjioze është dërguar nga Federata Italiane e Futbollit në drejtim të KOK-ut për FFK-në.

Megjithatë, kjo ftesë nuk është përcjellë në kohë nga KOK-u, duke krijuar një situatë të habitshme dhe të paprecedentë.

Si është e mundur që një institucion si KOK-u të bëjë një lëshim të tillë?! Ky rast është për çdo kritikë dhe ndëshkim. Kush mund ta pengojë rininë tonë, sidomos futbollin për t’u paraqitur në arenën ndërkombëtare? A thua dikush e sheh veten pronar ose bos të institucionit? A janë për ta promovuar dhe mbrojtur sportin drejtuesit në KOK apo për ta penguar? Apo ndoshta edhe xhelozia dhe inati ndaj popullaritetit të futbollit po i pengon dikujt? Gjithsesi dikush duhet të japë llogari për këtë punë, pasi kjo nuk mund të kalon në heshtje.

E përgjegjësi për këtë “gafë” të KOK-ut po kërkon me të drejtë edhe kreu i futbollit kosovar, raporton futbolli.info

Në FFK ky rast është cilësuar i papranueshëm dhe shqetësues, duke ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën e komunikimit ndërmjet institucioneve sportive në vend.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e konsideron këtë si një veprim të dëmshëm për sportin dhe zhvillimin e futbollit të moshave.

“Ky është një akt i papranueshëm dhe i pakuptueshëm që dëmton drejtpërdrejt sportistët e rinj dhe zhvillimin e tyre. Një qasje e tillë selektive nuk i shërben sportit dhe as interesit të Kosovës”, është shprehur Ademi.

Sipas tij kjo ndodh vetëm te dikush që nuk e ndjenë sportin dhe nuk ka njohuri e përgjegjësi.

“Është vërtetë e pakuptimtë dhe e habitshme, nuk e kisha menduar që u hahet haku sportistëve në zhvillim nga vetë institucionet sportive.

I pyetur se si ka mundur të ndodhë kjo kur dihet se FFK e ka përfaqësuesin e vet në kryesinë e KOK-ut, ai është shprehur:

“Pikërisht kjo tregon fshehje pa sens, sepse kjo çështje, edhe nëse nuk ka qenë me muaj të tërë në KOK, duhej të ishte përcjellë me telefon ose email dhe materiali të dërgohej në mënyrë që FFK të njoftohej si institucion. Dy herë kam qenë nënkryetar i KOK-ut dhe anëtar në dy e më shumë mandate, dhe edhe në ato kushte të vështira në të cilat kemi punuar atëkohë, nuk kanë ndodhur gjëra të tilla”.

Në pyetjen cili do të jetë qëndrimi i FFK-së në raport me KOK-un, ai theksoi: “Besoj se KOK e ka obligim ta sqarojë zyrtarisht këtë gabim dhe të mbahet në përgjegjësi dikush, si dhe t’u kërkohet falje futbollisteve dhe futbollistëve të rinj që janë privuar nga e drejta dhe mundësia e pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare”, ka shtuar Ademi.

Ky rast me të drejtë hap debatin e gjerë për mosfunksionimin dhe koordinimin ndërinstitucional në sportin kosovar, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për përfaqësim ndërkombëtar të të rinjve.

Ky duhet të shërbejë si alarm për përmirësimin e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që raste të ngjashme të mos përsëriten dhe të mos dëmtohen sportistët e rinj të Kosovës për inate e çështje ndoshta edhe personale.

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” fillojnë më 21 gusht dhe zgjasin deri më 3 shtator 2026.

Juventusi poston video: Zhegrova “magjeps” me aftësitë e tij

Juventus ka publikuar një video ku shihet një prekje dhe kontroll i jashtëzakonshëm i topit nga Edon Zhegrova, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve në rrjetet sociale.

Në përshkrimin e videos, klubi italian ka shkruar: “Ke ngjitës në këpucë, Edon?”, duke e komplimentuar në mënyrë kreative aftësinë teknike të futbollistit kosovar.

Pamjet tregojnë një moment të veçantë kontrolli topi, ku Zhegrova demonstron teknikë të lartë dhe qetësi me topin në këmbë, raporton Express.

Reagimet e tifozëve kanë qenë të shumta, me shumë prej tyre që kanë vlerësuar aftësitë individuale të sulmuesit, i cili njihet për driblimet dhe kreativitetin e tij në fazën ofensive.

 

 

Kryeziu: Kurti duhej të “lëshonte pe” për presidentin

Screenshot

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka kritikuar mënyrën e komunikimit politik ndërmjet partive në Kosovë, në kohën kur vendi po përballet me krizë për zgjedhjen e presidentit.

Në FIVE në TV Dukagjini, Kryeziu tha se komunikimi ndërinstitucional dhe politik ka qenë në një nivel shumë të ulët.

“Komunikimi nuk ka qenë në nivelin e vetëdijes shtetror dhe kombëtare, institucionale. Komunikimi ka qenë i nivelit më të ultë, edhe kjo mund të pranohet si i tillë. Por, niveli i komunikimit ka qenë i ultë. Duke mos pas parasysh interesat e përgjithshme të shtetit…”, ka thënë Kryeziu.

Duke komentuar situatën aktuale politike dhe dështimin për të arritur marrëveshje për presidentin, Kryeziu theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi palën më të fuqishme politike në vend, në këtë rast Vetëvendosjen e kryeministrit Albin Kurti.

“Në parim fajin gjithmonë e ka ai që është më i fuqishëm. Më i fuqishëm në parlament. Më i fuqishëm më deputet dhe me votë. Pastaj edhe të tjerët nuk janë papërgjegjësi. Por përgjegjësia kryesore është e kryeministrit (Albin Kurti) dhe e Vetëvendosjes. Ata është dashur të lëshojnë pe, se mos lësho pe ndaj shqiptar s’bën, ndaj shqiptarit duhet. Mos lësho pe duhet vetëm ndaj armikut. Është dashur t’i tejkalojnë… Është dashur të bisedojë me subjekt politike. Mënyra e të ftuarit ka lënë për të dëshiruar. Sepse janë disa takime ku shkojnë për tu marrë veshë për të mos u marrë vesh. Çdo takim ka qenë për tu mos marr vesh”, ka shtuar Kryeziu.

Kujtojmë se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit kanë dështuar, ndërsa afati kushtetues po afrohet, duke rritur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja nëse nuk arrihet një zgjidhje politike.

 

Bogujevci priti sot në takim ekspertët nga Ukrainian Heritage Monitoring Lab

Ministrja Saranda Bogujevci priti sot në takim ekspertët Nataliia Dziubenko dhe Vitaly Hrabar nga Ukrainian Heritage Monitoring Lab, të shoqëruar nga përfaqësuesit e CHwB Kosova, drejtori Sali Shoshi, menaxherja e programeve Adea Mekuli dhe udhëheqësja e projektit Erinë Mululli.
Së bashku diskutuan për trajnimin që po zhvillohet në Muzeun e Mitrovicës, i cili synon të forcojë kapacitetet e stafit të muzeve në Kosovë në dokumentimin dhe digjitalizimin e koleksioneve muzeore përmes përdorimit të teknologjive 2D dhe 3D.
Ministrja vlerësoi këtë bashkëpunim si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në avancimin e praktikave për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Programi zbatohet nga CHwB Kosova në bashkëpunim me Ukrainian Heritage Monitoring Lab, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Cultural Emergency Response nga Holanda.

Zbulohet se ku dhe kur do të martohet Dua Lipa

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Callum Turner thuhet se do të martohen në Palermo këtë shtator, pas konfirmimit të fejesës së tyre në qershor të vitit të kaluar.

Gazeta italiane Giornale di Sicilia ka raportuar se një organizator dasmash është duke punuar për një ceremoni spektakolare që do të mbahet nga 5 deri në 7 shtator.

Eventi, i quajtur “Dasma e vitit”, do të përfshijë yje të shumtë, të cilët pritet të mbërrijnë me avionë privatë.

Dua Lipa kishte ndarë emocionet e saj me British Vogue, duke thënë: “Po, jemi fejuar. Është shumë emocionuese…”/ Klankosova.tv