Home Blog Page 11

FFK organizon punëtorinë “Integriteti në sport”, fokus në luftën kundër dopingut dhe manipulimit të ndeshjeve

Sot në Prishtinë, nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, u mbajt punëtoria njëditore “Integriteti në sport”, me pjesëmarrjen e sekretarëve të klubeve të Superligës dhe monitoruesve të FFK-së nga ligat e ndryshme.
Gjatë kësaj punëtorie u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me ruajtjen dhe forcimin e integritetit në futboll. Fillimisht u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit institucional, edukimit dhe parandalimit, ndërsa më pas u shtjelluan rolet, kompetencat dhe përgjegjësitë disiplinore dhe etike brenda strukturave të futbollit. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kornizës ligjore dhe sanksioneve në rastet kur evidentohen shkelje.
Në vazhdim, u trajtuan çështje që lidhen me promovimin e sportit të pastër dhe luftimin e dopingut, ku u theksua rëndësia e respektimit të rregullave anti-doping, ndërgjegjësimi i sportistëve dhe mekanizmat e kontrollit që ndihmojnë në parandalimin e përdorimit të substancave të ndaluara. Gjithashtu, u diskutuan metodat për mbledhjen dhe analizimin e informacioneve në rastet e manipulimit të ndeshjeve. U prezantua roli i institucioneve ndërkombëtare në luftën kundër ndeshjeve të manipuluara, përfshirë analizën e të dhënave të basteve dhe mekanizmat e raportimit.
Punëtoria përfshiu edhe diskutime mbi inicimin e procedurave disiplinore dhe standardet përkatëse, si dhe mbi rëndësinë e sigurisë dhe mbështetjes institucionale në ruajtjen e integritetit të garave nga perspektiva e organeve të sigurisë.
Ligjërues në këtë punëtori ishin: Angela Celestino – Menaxhere e Inteligjencës, Njësia Kundër Manipulimit të Ndeshjeve, Divizioni i Integritetit dhe Rregullativës në UEFA; Giulio Palermo – Arbitër i CAS-it, i pranuar në Odat e Avokatëve të Romës, Madridit dhe Gjenevës; Jack Kennedy – Zëvendës President në SportRadar; Arben Fetahu – Anëtar i Këshillit Kombëtar për parandalim dhe sanksionim të dhunës në sport; Kapiten Bajram Shabani – Shef i Sektorit për Planifikim Permanent në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës; Dr. Bernard Tahiribegolli nga KosADA; Tomor Grabovci – Koordinator i Komisioneve në FFK; si dhe Gazmend Bojniku – Zyrtar i Integritetit në FFK.
Përmes këtyre prezantimeve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë dhe të shkëmbejnë përvoja, me qëllim të përbashkët në avancimin e integritetit në futbollin kosovar.
Federata e Futbollit të Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar në mbrojtjen dhe forcimin e integritetit në sport, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të futbollit në vend. FFK do të vazhdojë të investojë në edukim, transparencë dhe bashkëpunim me të gjitha klubet dhe institucionet relevante, me synimin që të parandalojë çdo formë të shkeljes së rregullave, përfshirë dopingun dhe manipulimin e ndeshjeve. Ky angazhim i vazhdueshëm synon të garantojë një ambient të drejtë, të pastër dhe të besueshëm për të gjithë aktorët e futbollit kosovar, duke e vendosur integritetin si parim themelor të çdo aktiviteti sportiv.

Kuvendi miraton Projektligjin për çmimet tavan mes kundërshtimeve nga opozita

Ligjvënësit në Kosovë e kanë miratuar përfundimisht një Projektligj për çmimet tavan të enjten, me gjithë kundërshtimet nga opozita, e cila e akuzoi Qeverinë se përmes tij synon ndërhyrje në tregun e lirë.

Projektligji – i njohur zyrtarisht si Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg – u miratua me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rreth një javë pasi kishte kaluar në lexim të parë.

Për t’u bërë ligj ai duhet të nënshkruhet nga presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Qeveria i ka hedhur poshtë kritikat e opozitës, duke argumentuar se ligji synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të jashtëzakonshme të çrregullimit të tregut, për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e paarsyeshme dhe e menjëhershme e çmimeve të produkteve bazë.

Ligjvënësit e miratojnë me shumicë votash Projektligjin për sigurimet shëndetësore në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kaluar me shumicë dërrmuese votash një Projektligj për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të enjten, një synim i kamotshëm rreth 12-vjeçar për ta sjellë një sigurim mungesa e të cilit besohet se i ka dëmtuar shumë qytetarë të vendit.

Projektligji u miratua në lexim të dytë me 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, dhe do të bëhet ligj sapo të nënshkruhet nga presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Ai ishte miratuar në parim para rreth dy javëve dhe është mbështetur vazhdimisht edhe nga opozita, e cila, megjithatë, ka kërkuar më shumë sqarime nga Qeveria dhe një datë se kur do të fillojnë të zbohen sigurimet shëndetësore për qytetarët.

Projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme, përmes një fondi të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Projektligji përfshin të gjithë popullatën e vendit, synon ofrimin e qasjes universale në shërbime themelore shëndetësore, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.

Vdes akademik Rexhep Qosja

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja, ka vdekur të enjten në moshën 90-vjeçare, njoftoi familja e tij. Në nderim të jetës së Qosjes, në Kosovë më 24 prill do të jetë ditë zie.

Valjet Rexhepi, nipi i tij, shkroi në Facebook se Qosja vdiq dhe u varros të enjten në një ceremoni private familjare.

“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!” shkroi Rexhepi.

Asociacioni i Komunave të Kosovës nis edhe një projekt të ri për fushën e energjisë

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka nënshkruar Projektin e ri me GIZ Kosovo “Mbështetja e Komunave të Kosovës përmes AKK-së në përputhjen e tyre me agjendën kombëtare dhe objektivat drejt një sektori energjetik të dekarbonizuar”.
Nga ky projekt komunat e Republikës së Kosovës do të përfitojnë si hartimin e gjashtë Planeve Komunale për Klimë dhe Energji, ngritjen e kapaciteteve të stafit komunal për standardet e eficiencës së energjisë dhe integrimit të burimeve të ripërtritshme të energjisë, integrim të teknologjive solare dhe masave të eficiencës në infrastrukturën komunale.
Roli i AKK-së në këtë projekt do të jetë koordinimi i projektit, mbështetja teknike dhe shkëmbimi i përvojave e praktikave të mira ndërmjet komunave, përmes Kolegjiumit për Energji.
Ky projekt është një hap i madh drejt energjisë së pastër, kostove më të ulëta dhe komunave më të qëndrueshme në të gjithë Kosovën.

Hendoll, Besa Famgas e fiton ndeshjen e mbetur me Trepçën

Të mërkurën është zhvilluar ndeshja e parë prej tri sa kanë mbetur në stinorin e rregullt të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Në “Minatori”, Besa Famgas fitoi ndaj Trepçës me rezultat 40:23.
Ilis Istrefaj ishte më efikasi te Besa Famgas me 12 gola. Shtatë i realizoi Mohamed Yassin.
Amar Mujka i realizoi pesë gola për mitrovicasit, derisa nga katër i kishin Sali Maxhera e Butrint Miftari.
Besa Famgas është e treta, ndërsa Trepça e gjashta.
Ka mbetur të luhen edhe ndeshjet Besa Famgas – Prishtina dhe Trepça – Prishtina.

Bogujevci pret organizatorët e festivalit ndërkombëtar të teatrit në Prishtinë

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, priti në takim përfaqësuesit e Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, drejtorin e festivalit Zijad Mehić, drejtorin e ART Image, Ilir Bytyqi, si dhe koordinatoren e festivalit Valentina Cenaj.

Bashkë diskutuan për rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla në vendin tonë, ndërsa organizatorët e njoftuan ministren me punët që po zhvillohen aktualisht për edicionin e muajit maj, përgatitjet organizative si dhe programin artistik që pritet të prezantohet.

Festivali i përvitshëm sjell produksione teatrore nga vende të ndryshme të botës dhe krijon hapësirë për bashkëpunim e shkëmbim artistik.

MPFVLÇ dhe Shoqata e Ndërtuesve diskutojnë sigurinë në punë dhe zbatimin e ligjit

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari, zhvilluan një takim njoftues me përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, Kryetarin, Valon Vataj, Nënkryetarët, Qemajl Pozhegu dhe Yll Hoxha, si dhe Asistenten, Vesa Kelmendi.

Në takim u theksua se zbatimi i legjislacionit në fuqi mbetet prioritet i padiskutueshëm dhe se institucionet përkatëse do të intensifikojnë bashkëpunimin me punëdhënësit dhe punëtorët për të siguruar respektimin e plotë të obligimeve ligjore.

Ministri Hoti ritheksoi përkushtimin për avancimin e partneritetit me komunitetin e biznesit, duke potencuar se MPFVLÇ është në proces të konstituimit të Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, një mekanizëm i përcaktuar me ligjin në fuqi, me qëllim që të fuqizohet sistemi kombëtar i SSHP-së me të gjithë partnerët socialë, duke përfshirë institucionet dhe ekspertët e fushës.

Në takim përfaqësuesit e Shoqatës paraqitën shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori, me qëllim të adresimit të tyre përmes mekanizmave institucionalë.

Gjithashtu, u bë e ditur se së shpejti do të iniciohet një fushatë institucionale sensibilizuese dhe vetëdijësuese për sigurinë në punë dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, e cila pritet të ndikojë në përmirësimin e praktikave dhe në tejkalimin e sfidave të mundshme gjatë inspektimeve.

Në përfundim, palët vlerësuan se siguria në punë dhe përmirësimi i kushteve të punës përbëjnë interes të përbashkët, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e një klime të qëndrueshme mirëbesimi.

“Pak magji”, Klodi tregon se po kalon kohë në Shqipëri

Ish-finalisti i edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova, Klodian Mihaj vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale, ku bën postime të ndryshme.

Edhe sot ai me ndjekësit e tij ka ndarë disa fotografi, duke treguar se po kalon kohë në Shqipëri.

“Pak magji në krijim e sipër”, ka shkruar Klodi krahas fotografive të publikuara./Klankosova.tv

Ferizaj dhe Dukagjini sigurojnë finalen e Kupës së Kosovës

Janë përcaktuar finalistët e edicionit të sivjetmë të Kupës së Kosovës në futboll. Në finale do të përballen Ferizaj dhe Dukagjini. Ferizaj siguroi kualifikimin falë fitores në ndeshjen e parë ndaj Llapit në Podujevë (2:1), pasi ndeshja e kthimit e zhvilluar në Ferizaj përfundoi pa gola (0:0). Takimi u karakterizua me tensione, teksa në minutën e 55-të u ndërpre përkohësisht për shkak të hedhjes së gjësendeve në fushë nga shikuesit. Loja rifilloi vetëm pasi tribunat u zbrazën, ndërsa deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar. Për Ferizajn kjo do të jetë paraqitja e tretë në finale të Kupës së Kosovës, pas dy finaleve të humbura në të kaluarën.

Në anën tjetër, Dukagjini arriti fitore ndaj Ballkanit edhe në ndeshjen e kthimit në Klinë (3:2), duke vulosur kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 6:2. Ndeshja dhuroi spektakël dhe ritëm të lartë, me vendasit që shënuan përmes Elton Basriut, Mërgim Pefqelit dhe Dienit Isufit. Ballkani, pavarësisht se mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Albert Dienes, arriti të shënojë dy herë me Bleart Tolajn, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin.

Dukagjini do të luajë finalen e katërt në histori, duke synuar sikurse Ferizaj trofeun e parë në këtë garë.