Home Blog

PDK pas shpërndarjes së Kuvendit: U mbrojt rendi kushtetues

Në një postim në Facebook, Partia Demokratike e Kosovës tha se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit është “shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës”

Përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan. Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën.

“Vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik”, u tha tutje në njoftim.

Lushaku-Sadriu: Ditë më të mira po vijnë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka shkruar në rrjetet sociale se Kosova “ashtu siç nuk të deshën si vend, si flamur e si identitet, të përdhosën pa ndalë”.

“Ditë më të mira po vijnë”, ka shkruar ajo, teksa edhe disa minuta përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

S’ka president të ri, Kosova shkon në zgjedhje të reja

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në fund të seancës, fiks në orën 00:00.

Në seancën e 28 prillit nuk morën pjesë deputetët e opozitës, duke pamundësuar kuorumin për dy kandidatet e LVV-së për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Kurti s’ia përmend emrin Osmanit, por thotë se e pranon çdo kandidat të LDK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar të mos e përmend fare emrin e Vjosa Osmanit.

Por, në një konferencë për media para zyrës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, megjithatë ka thënë se nuk e ka problem emrin që e sjell LDK-ja si kandidat për president.

Por, ka thënë se nuk mund të ketë garanca se kandidati i LDK-së t’i marrë edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne fare nuk e kemi problem kë e sjell LDK-ja si kandidat. Asnjë problem nuk kemi ne me asnjë kandidat që na sjell LDK-ja, vetëm le të na sjellin 15 nënshkrimet. Në kuti votimi është i fshehtë. Nuk jam unë kurrfarë personi që shkikon edhe brenda kutive. Unë nuk e kam ditur mbrëmë sa vota do t’i ketë mbrëmë Feride Rushiti”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv

Basketbolli bashkon të gjithë: “Hoops for Schools” me aktivitet gjithëpërfshirës në Mitrovicë

Në kuadër të projektit ndërkombëtar “Hoops for Schools”, i mbështetur nga FIBA, në Mitrovicë, në ambientet e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza”, është organizuar aktiviteti i radhës me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ky projekt përfshin 10 shkolla fillore nga rajone të ndryshme të Kosovës, me qëllim promovimin e basketbollit, përfshirjen sociale dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët përmes sportit.

Aktiviteti në Mitrovicë u realizua me iniciativën e ShFMU “Fazli Greiçevci”, nën përkushtimin dhe udhëheqjen e profesoreshës Fitore Begu Seferi

Përmes këtij organizimi, nxënësit patën mundësinë të angazhohen në aktivitete të basketbollit, lojëra bashkëpunuese dhe ushtrime gjithëpërfshirëse që promovojnë zhvillimin fizik, social dhe emocional.

Ky aktivitet thekson rëndësinë e përfshirjes dhe barazisë në sport, duke krijuar një ambient të sigurt, motivues dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pjesëmarrësit.

“Hoops for Schools” është një projekt madhor nga FIBA që pritet të zbatohet me sukses në vendin tonë.

Qëllimi kryesor i projektit Hoops For Schools është të inkurajojë fëmijët dhe të rinjtë nga e gjithë Evropa që të marrin pjesë në një program shumëdimensional të basketbollit, i cili synon shkollat fillore (moshat 6–12 vjeç) si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e aktivitetit fizik.

H4S ka hapur një epokë të re për Programin e Zhvillimit të të Rinjve të FIBA Europe, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për Federatat Kombëtare Evropiane që të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes shkollave, klubeve lokale dhe komunitetit, me qëllim tërheqjen e të rinjve drejt basketbollit.

 

Tahiri: Kurti ka tendencë ta bartë fajin diku tjetër

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i ka numrat për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, nëse Kurti nuk i ka numrat, emrat e kandidatëve duhet të vijnë nga partitë opozitare.

Kërkesa e kryeministrit Kurti, për pranimin e një kandidate nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është “tendencë për bartjen e fajit nga njëra anë në anën tjetër”, tha Tahiri në një konferencë për media.

Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme. Ajo u përket qytetarëve të saj

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës 

Situata që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës është thellësisht shqetësuese dhe pasqyron një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit, që minon vetë themelet e republikës sonë demokratike. Ajo që po shohim nuk është qeverisje e shëndetshme, por një model alarmues kontrolli, përjashtimi dhe kapjeje të institucioneve.

Kosova është ndërtuar mbi parimet e pluralizmit, transparencës dhe llogaridhënies. Asnjë parti e vetme, pavarësisht fuqisë së mandatit që ka, nuk ka të drejtë t’i tejkalojë këto parime apo t’i trajtojë institucionet shtetërore si zgjatje të makinerisë së saj politike. Megjithatë, pikërisht drejt kësaj rruge jemi duke shkuar.

Vetëvendosje gjithnjë e më shumë e ka zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit. Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen. Kuvendi, që duhet të jetë zemra e debatit të hapur dhe përfaqësimit, rrezikon të shndërrohet në një vulë formale, në vend se të mbetet një forum i vërtetë i llogaridhënies.

Si Kryetar i Prishtinës, e shoh nga afër se si kjo qasje ndikon tek qytetarët. Qeverisja duhet t’i fuqizojë komunat, të nxisë bashkëpunimin dhe t’u shërbejë nevojave reale të njerëzve, jo të shtrëngojë kontrollin politik nga qendra.

Duhet t’i rezistojmë çdo tendence për monopolizim politik. Demokracia nuk është vetëm çështje e fitimit të zgjedhjeve, është mënyra se si ushtrohet pushteti më pas. Ajo kërkon përmbajtje, përfshirje dhe respekt për institucionet.

Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan. E ardhmja jonë varet nga mbrojtja e normave demokratike, jo nga zbehja e tyre.

President me 61 vota, Kryeziu: Mund të zgjedhet, por në kundërshtim me procedurat kushtetuese

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu sonte në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ka folur lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Duke folur për atë se a mund të zgjedhet presidenti me 61 vota, ai u shpreh se një gjë e tillë mund të bëhet, por është në kundërshtim me procedurat kushtetuese.

“Juridikisht ka shkelje të procedurave kushtetuese, për shkak se nuk është plotësuar ai elementi bazik, që duhet me marrë pjesë 80 deputetë, nuk është shkelur Kushtetuta, por ka shkelje të procedurave. Në kuptimin publik, është shkelje kushtetuese, në kuptimin kushtetues-juridik, është shkelje e procedurës”.

“Këta mund ta zgjedhin presidentin edhe me 61, qysh e kanë zgjedhur Pacollin, Gjykata duhet të ndërhyjë, gjykata është i vetmi institucion, i cili e ka për detyrë me konstatu shkelje të procedurës kushtetuese ose të Kushtetutës. Mundet me zgjedh, por është në kundërshtim me procedurat kushtetuese”, tha ai./Klankosova.tv

Abdixhiku: Kurtit po i pengon Vjosa Osmani, por populli do ta zgjedhë

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk mund ta kuptojë pse kryeministrit Kurti po i pengon Vjosa Osmani, duke shtuar se, nëse ai nuk e zgjedh, populli i Kosovës do ta zgjedhë.

“Nuk arrij të ta kuptoj pse zotit Kurti po i pengon Vjosa Osmani. E ndoshta Kurti nuk do me zgjedh, poor jam I bindur se populli I Kosovës ka me zgjedh”, deklaroi Abdixhiku.

Ndërkaq për nënshkrimet, ai shtoi se:“Nënshkrimet nuk dorëzohen te Lëvizja Vetëvendosje, sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk është subjekt ku ti duhet t’i dorëzosh nënshkrimet, po të ishte KQZ-ja ndoshta i kishim dorëzu, as Nagavci nuk është autoritet”. /Klankosova.tv

UP-ja lidh marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë për ekspertizë akademike dhe profesionale

Universiteti i Prishtinës nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë për aktivitete të përbashkëta në të mirë të institucioneve publike.

Sipas marrëveshjes, UP-ja do të ofrojë ekspertizë akademike e profesionale në fushat që lidhen me kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë. Personeli akademik i UP-së do të përfshihet edhe në studime, analiza, propozime, hartime të dokumenteve teknike dhe aktivitete profesionale.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz.

Rektori Hajrullahu tha se pa UP-në Kosova nuk mund të bëjë hapa domethënës përpara, ndërsa ministrja Gërvalla-Schwarz shprehu bindjen se në të ardhmen vendimet dhe draft-ligjet e ministrisë do të jenë më të mira me përfshirjen edhe më të madhe të profesionistëve të Universitetit të Prishtinës.

Në takim dhe nënshkrimin e marrëveshjes morën pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe sekretari i përgjithshëm i UP-së, Safet Thaçi, ndërsa ministrja Gërvalla erdhi e shoqëruar nga zyrtarët e kabinetit të saj Flutura Mehmeti e Dardan Tolaj.

Gjatë këtij viti drejtues të UP-së janë takuar edhe me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi dhe zyrtarë të ndërmarrjeve publike me qëllimin e rritjes së bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.

https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,37,3859