Home Blog Page 2

Më 21 maj finalja e Kupës së Kosovës, Ferizaj – Dukagjini

Finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet FC Ferizajt dhe FC Dukagjinit do të zhvillohet më 21 maj, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00.

Sot, në prani të Komisionit të Garave dhe përfaqësuesve të të dy klubeve, është bërë tërheqja e shortit për përcaktimin e skuadrës që do të ketë statusin e vendasit në këtë ndeshje finale.

Sipas shortit të hedhur, ky rol i është caktuar FC Ferizajt. Ky përcaktim nënkupton që skuadra ferizajase do të ketë të drejtën e zgjedhjes së fanellave, në rast përputhjeje ngjyrash, si dhe do të vendoset në bankinën dhe anën e stadiumit të përcaktuar për skuadrën vendase, sipas rregullores së garave

PDK mbledh Kryesinë: Po rrezikohet rendi kushtetues, nuk lejojmë që pushteti të mbivendoset mbi Kushtetutën

Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë, dënon ashpër përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se ky veprim përbën cenim të rëndë të rendit kushtetues dhe e shtyn vendin drejt një anarkie politike me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

“Pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet tona. Ky është cenim i rendit kushtetues. Këtë nuk do ta lejojmë dhe do ta ndalojmë”, u shpreh Hamza.

Kryesia e PDK-së thekson se shteti i Kosovës është ndërtuar me shumë sakrificë dhe se veprimet e tilla përbëjnë rrezik serioz për themelet demokratike të tij.

PDK shton se Kushtetuta dhe ligjet nuk mund të interpretohen sipas interesave të ngushta ditore politike dhe se çdo devijim nga këto parime krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Në përfundim, Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit, duke ftuar njëkohësisht qytetarët të jenë vigjilentë dhe aktivë në mbrojtje të shtetit të së drejtës.

Kurti: E turpshme mungesa e mbështetjes së Feride Rushitit nga opozita

Në një konferencë për medie, kryeministri Albin Kurti, në lidhje me çështjen e Presidentit, tha se është e çuditshme mungesa e mbështetjes së opozitës për kandidaten e propozuar, Feride Rushiti.

“Kur zonja Rushiti nderohej shumë deputetë opozitarë mburreshin me të në postime në rrjetet sociale”, tha Kurti duke përmendur disa postime të kaluara të anëtarëve të partive opozitare parlamentare, në rastet kur Rushiti merrte çmime ndërkombëtare.

“Si është e mundur gjithë ato vargje për zonjën Rushiti e sot nuk e marrin as mundin të vijnë në sallë”, tha ai duke thënë që kjo sjellje është e turpshme.

Ai foli sërish për biografinë e zonjës Rushiti duke thënë se në këto rrethana nuk mund të gjindet figurë më lartësuar dhe konsensuale se ajo.

Kurti sërish kërkoi nga opozita që të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

AAK kërkon që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente

Pas PDK-së, edhe AAK-ja ka kërkuar që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura për presidente.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se kandidatja e VV-së për shefe të shtetit, po bëhet pjesë e një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues.

“Nuk do të lejojmë që të dëmtohet më tej rendi kushtetues, nuk mund dhe nuk duhet të legjitimohet logjika parti-shtet për shkak se ne nuk jemi në një shtet monist, një partiak. Demokracia nuk funksionon mbi imponim, por mbi marrëveshje e kompromis dhe respekt njëri ndaj tjetrit. Dje, Kurti foli gjatë e përdori foltoren e kuvendit për një diskutim politik brenda partiak, ai foli edhe për 3 emra të cilët do të ishin unifikues, megjithatë, qytetarët e panë qartë se ai nuk u konsultua me partitë të cilat i thërriste për diskutim, por në mënyrë arbitrare i solli në kuvend dy emra të tjerë. Kjo vetëm unifikuese nuk është por përjashtuese”, deklaroi Tahiri, njofton Klankosova.tv.

“Ne si AAK besojmë se Kosova meriton më shumë, propozimi  ynë i parë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi politik, i një procesi i cili po rrënon rendin kushtetues. Në rrethana tepër të vështira nuk kemi të bëjmë as me unifikim as diskutim, por përjashtim”, theksoi ai.

Seanca për presidentin shtyhet sërish, vazhdon në ornën 19:00

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca për presidentin, që u ndërpre për të dytën herë brenda ditës, do të vazhdojë sërish në orën 19:00.

Ajo i bëri sërish thirrje opozitës që të marrë pjesë në vazhdimin e seancës.

“Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, si për obligimet kushtetuese ashtu edhe për interesin publik, ju njoftoj se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha Haxhiu, raporton Rel.

FIFA drejt ndryshimit të madh: Kartonët e verdhë pritet të fshihen pas fazës së grupeve

FIFA është shumë pranë miratimit të një ndryshimi të rëndësishëm në rregullat e Kupës së Botës 2026, që lidhet me kartonët e verdhë dhe pezullimet e lojtarëve.

Sipas raportimeve të fundit, organi qeverisës i futbollit po planifikon që kartonët e verdhë të fshihen pas përfundimit të fazës së grupeve, duke shtuar një “amnisti” të re për lojtarët.

Aktualisht, në Botëror kartonët e verdhë fshihen vetëm pas çerekfinaleve, por me formatin e ri me 48 ekipe dhe më shumë ndeshje, FIFA synon të ulë rrezikun që lojtarët të mungojnë në ndeshjet vendimtare për shkak të akumulimit të kartonëve. Plani i ri parashikon dy faza “pastrimi”: pas fazës së grupeve pas çerekfinaleve.

Kjo do të thotë se lojtarët që kalojnë në fazën me eliminim direkt do të nisin me zero kartonë, duke shmangur pezullime të rëndësishme në ndeshje si 1/16, 1/8 apo çerekfinale.

Ky ndryshim pritet të diskutohet dhe të finalizohet nga Këshilli i FIFA-s, ndërsa konsiderohet si një hap për ta bërë turneun më të drejtë dhe më spektakolar në edicionin më të madh në histori./Klankosova.tv

Kryeparlamentarja e lut opozitën të shkojnë në seancë për zgjedhjen e presidentit

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka lutur opozitën të shkojë në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.

Në seancën e  nisur pak më parë, ku po merr pjesë vetëm VV-ja, Haxhiu ka kërkuar sërish nga partitë opozitare që të marrin pjesë për të votuar për të parin e shtetit, raporton Klankosova.tv

“Më lejoni që t’iu bëj thirrje të vijnë në seancë”.

Hamza: Kurti po e çon vendin drejt një anarkie politike, që mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar ndaj përpjekjeve të Kurtit për ta zgjedhur presidentin në mënyrë antikushtetuese.

Hamza përmes një reagimi në rrjetin e tij social, ka thënë se kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës, duke I bërë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit.

“Qytetarë të nderuar,

Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.

Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë.

Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri.

Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës.

Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit.

Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!”, ka shkruar Hamza.

Zampolli: Italia ka mbi 50% shanse për të marrë pjesë në Botëror

Biznismeni dhe diplomati i njohur italian, Paolo Zampolli ka bërë një deklaratë të bujshme duke theksuar se Italia ka më shumë se 50% mundësi për të marrë pjesë në Kupën e Botës, përmes një skenari të jashtëzakonshëm që lidhet me përjashtimin e mundshëm të Iranit.

Duke folur në një emision radiofonik në Itali, Zampolli, i njohur si i dërguar special i Donald Trump, deklaroi se do të takohet me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në Miami gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Formula 1, për të diskutuar këtë çështje, transmeton Klankosova.tv.

“Përqindja që Italia të marrë pjesë? Mbi 50%. Nuk duhet të ketë një Botëror pa Italinë. Vendimi përfundimtar do të jetë në dorën e Infantinos dhe Trump”, u shpreh ai.

Zampolli shtoi se ideja e tij lidhet me situatën e Iranit, për shkak të tensioneve politike dhe vështirësive për hyrje në SHBA.

“Pashë që Irani nuk ishte i konfirmuar për shkak të luftës. Kërkova nga Infantino mundësinë që Italia të rikthehet. Vizitat për në SHBA janë shumë të vështira për t’u marrë dhe nëse ka persona që nuk janë të mirëpritur, është më mirë të mos vijnë”, deklaroi ai.

Ai gjithashtu theksoi se nuk ka pasur një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Trump, ndërsa shtoi se lojtarët iranianë janë të mirëpritur, por ekzistojnë kufizime për persona të caktuar.

Ndërkohë, në Itali nuk ka pasur një mbështetje të plotë për këtë ide, pasi ministri i sportit Andrea Abodi dhe presidenti i CONI-t, Giovanni Malago, kanë shprehur skepticizëm për një rikthim të mundshëm të Italisë në këtë mënyrë.

Seanca për presidentin vazhdon nga ora 14:00

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u shty vetëm pak minuta pas nisjes.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se punimet do të vazhdojnë nga ora 14:00.

Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë.

Haxhiu tha se ky është obligim kushtetues i secilit deputet.

“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje”, tha Haxhiu pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për detyrimin e deputetëve për të qenë të pranishëm në sallë.