Home Blog Page 9

Vetëvendosje propozon zgjidhje të re për presidentin, fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë tre emra

Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë situata e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, VV ka theksuar se, për të shmangur dëmin që do t’i shkaktonte vendit një proces i ri dhe i panevojshëm zgjedhor, tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur një zgjidhje.

Sipas kësaj partie, pavarësisht propozimeve të shumta që i ka bërë deri më tani, përgjigjja nga subjektet tjera politike ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, VETËVENDOSJE ka dalë me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre kandidatë për postin e presidentit.

Komunikata e plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.

Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.

Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.

Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.

Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës.

25 prill 2026

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Mourinho në pritje të telefonatës nga Real Madridi

Trajneri i Benfica, Jose Mourinho, po përmendet sërish si një kandidat potencial për t’u rikthyer te Real Madrid gjatë kësaj vere.

Sipas gazetës Diario AS, Mourinho aktualisht është i fokusuar në planifikimin e sezonit të ardhshëm me Benficën dhe u ka bërë të qartë lojtarëve të tij se synimi kryesor është fitimi i titullit në “Estadio da Luz”, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, në kontratën e Mourinhos ekziston një klauzolë që do t’i lejonte atij largimin pa pagesë drejt Real Madridit, e cila skadon rreth dhjetë ditë pas ndeshjes së fundit të sezonit (afërsisht më 26 maj). Edhe nëse kjo datë kalon, çdo kompensim për Benficën do të ishte simbolik.

Sipas “AS”, Mourinho është i interesuar për një rikthim në Santiago Bernabeu dhe nëse Real Madridi do ta kërkonte, ai me shumë gjasa do ta pranonte ofertën.

Hisen Berisha: Kriza politike po gjenerohet nga vetë Kurti

Ish-deputeti Hisen Berisha ka folur rreth situatës së fundit në vend, konkretisht për zgjedhjen e presidentit dhe mundësinë e shkuarjes së vendit sërish në zgjedhje të reja.

Ai ka theksuar për Ntv Televizion se Kurti duhet ta dijë se, kur nuk ke numra, atëherë nevojitet marrëveshje politike dhe kompromis. “Nuk mund të imponosh kandidatura”, ka thënë Berisha.

“Loja e Albin Kurtit me këto oferta për negocim ka për qëllim të blejë kohë shtesë për t’i etabluar zgjedhjet në një moment të përshtatshëm, për t’iu shmangur krijimit të institucioneve dhe përgjegjësisë që ka në përmbushjen e detyrave që po ia kërkojnë ndërmjetësit e Bashkimit Evropian dhe emisarë të ndryshëm që po vizitojnë Kosovën. Kriza po gjenerohet nga vetë ai, i cili e ka në dorë ta zgjidhë”, ka deklaruar Berisha.

Poshtë keni intervistën e plotë👇

Rahovec, nënshkruhen kontratat për subvencionet në kulturë, rini dhe sport

Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Atdhe Rama, nënshkruan kontratat me përfituesit e subvencioneve në këto fusha:

* Kulturë – 13 OJQ, në vlerë prej 79,100 €;

* Rini – 4 OJQ, në vlerë prej 21,700 €;

* Sport – 17 klube dhe organizata sportive, si dhe shkolla të futbollit, në vlerë prej 142,200 €.

Nga thirrja e DKRS-së kanë përfituar gjithsej 34 OJQ, nga 37 aplikime sa kanë qenë në total. Vlera e përgjithshme e mbështetjes për këtë vit arrin në 243,000 €, që është 9% më shumë krahasuar me vitin 2025.

Këngëtarja Donna Dafi publikon videoklipin e saj më të ri, “ManGo”

Artistja shqiptare Donna Dafi ka publikuar videoklipin e saj më të ri, “ManGo”, që tashmë po konsiderohet si një nga këngët më të forta të skenës muzikore ndërkombëtare. Me një mesazh të thellë për rimarrjen e fuqisë personale, kënga pritet të bëhet një nga hitet më të dëgjuara të sezonit.

E vendosur mes R&B-së, pop-it alternativ dhe ritmeve globale të klubeve, “ManGo” vjen me një stil unik dhe modern. Por ajo që e bën këtë këngë të veçantë është mesazhi i saj. “ManGo” nuk është thjesht një këngë – është një deklaratë force. Ajo pasqyron momentin kur kupton manipulimin, sheh përtej joshjes dhe vendos të mos biesh më në të njëjtën lojë. Nga një fillim i butë dhe lozonjar, kënga zhvillohet në një himn të vetëdijesimit dhe çlirimit emocional.

Duke folur për projektin, Donna Dafi zbulon prapaskenat personale:
“‘ManGo’ flet për momentin kur e kupton vlerën tënde dhe vendos të mos luash më. Më quanin të ëmbël, madje më krahasonin me mango – frutin e tij të preferuar. Por unë e ktheva këtë në fuqinë time. Bëhet fjalë për ta kuptuar saktësisht çfarë po ndodh dhe për të zgjedhur të largohesh.”

Ajo shton se kjo është një nga këngët më personale që ka krijuar ndonjëherë:
“Ishte si terapi, si të lexoja ditarin tim. Më ndihmoi të arrij atë moment qartësie: po të lë të ikësh.”

Pas publikimeve të dy videoklipeve të fundit, “Primadonna” dhe “Touch Me Like That”, dhe tani me “ManGo”, Donna Dafi po ndërton një identitet të fortë artistik, të bazuar në sinqeritet dhe përvojë reale. Me çdo projekt, ajo po e pozicionon veten si një nga emrat më premtues në skenën ndërkombëtare.

Me një ritëm të qetë, por një groove që të kap menjëherë, “ManGo” është gati të pushtojë si playlistat e natës, ashtu edhe pistat e vallëzimit në mbarë botën.

“ManGo” është tashmë e disponueshme në të gjitha platformat kryesore të transmetimit muzikor:

 

OEK-u dhe Komuna e Pejës nënshkruajnë memorandum për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ku u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet dy institucioneve.

Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit institucional, mbështetjen e bizneseve lokale, përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe rritjen e konkurrueshmërisë përmes projekteve të përbashkëta në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Bashkëpunimi parasheh shkëmbim të informacionit dhe përvojave, zhvillim të projekteve të përbashkëta, organizim të aktiviteteve profesionale si konferenca dhe seminare, si dhe mbështetje në aplikime për projekte dhe fonde ndërkombëtare.Po ashtu, parashikohet organizimi i takimeve B2B, misioneve afariste dhe vizitave në ndërmarrje, me qëllim lidhjen e bizneseve vendore me ato ndërkombëtare.

 

 

 

FFK organizon kursin e radhës për Licencën UEFA Fitness B

Federata e Futbollit e Kosovës organizon kursin e radhës për Licencën UEFA Fitness B.
Kursi zhvillohet në 4 module gjatë periudhës qershor–tetor 2026, me monitorime në klube gjatë korrik–gushtit dhe provime përfundimtare në nëntor–dhjetor.
Afati i aplikimit: 24.05.2026
Vendet janë të kufizuara (24 kandidatë)
Aplikimi bëhet online ose në selinë e FFK-së
Infot i gjeni në: www.ffk-kosova.com

Çeku takon homologen e Malit të Zi, temë diskutimi bashkëpunimi në fushën e arsimit

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, zhvilloi një takim bilateral me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi, Andela Jakšić-Stojanović.
Gjatë takimit, ministri Çeku dhe ministrja Jakšić-Stojanović diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fushën e arsimit, shkencës dhe inovacionit, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në hartimin dhe zbatimin e reformave arsimore.
Ministri Çeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësor në funksion të ndërtimit të politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në arsim.
Të dy ministrat u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe koordinimit institucional për realizimin e objektivave të përbashkëta në këto fusha.

Greiçevci: Thaçi mirënjohës për mijëra urimet e qytetarëve për ditëlindje

Anëtari i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçi në gjykimin në Hagë, Lirim Greiçevci ka bërë të ditur se ka komunikuar drejtpërdrejt me ish-presidentin me rastin e ditëlindjes së tij.

Greiçevci përmes një postimi në Facebook njoftoi se e ka uruar personalisht Thaçin, duke theksuar se gjatë bisedës e ka informuar edhe për mijëra urime që, sipas tij, qytetarët kanë shprehur në rrjetet sociale.

Sipas Greiçevcit, shumë prej këtyre mesazheve përmbajnë dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e fundit e Thaçit në paraburgim në Hagë.

Hoxhaj në Delphi, i kërkon BE-së proces të drejtë dhe fer për integrimin e Kosovës

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, mori pjesë në panelin e Forumit Ekonomik të Delphit, ku u diskutua integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian si çështje gjeopolitike.

Në fjalën e tij, Hoxhaj theksoi se integrimi i rajonit në BE është në interes të drejtpërdrejtë të vetë Evropës.

“Integrimi i Ballkanit në BE është padyshim një fitore gjeopolitike për Evropën. Por vetë BE duhet ta pranojë Kosovën si një fakt gjeopolitik”, deklaroi ai.

Ai kritikoi qasjen aktuale të BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se vendi nuk po trajtohet në mënyrë të pabarabartë në procesin e integrimit.

“Sot, BE nuk po e trajton Kosovën as si shtet partner, as si kandidat. Mosnjohja nga pesë vende anëtare nuk është çështje bilaterale, por një bllokadë reale për rrugën tonë drejt integrimit”, u shpreh Hoxhaj.

Duke folur për aplikimin e Kosovës për statusin e kandidatit, ai theksoi mungesën e trajtimit institucional nga Brukseli.

“Kosova ka aplikuar për statusin e kandidatit, por aplikimi ynë nuk është shqyrtuar kurrë. Ka mbetur në tavolinë. Të kërkosh reforma dhe përmbushje kriteresh, ndërsa nuk trajton fare aplikimin, është e padrejtë”, tha ai.

Në fund, Hoxhaj kërkoi një qasje të drejtë dhe të barabartë nga Bashkimi Evropian.

“Nuk po kërkojmë favore, por vetëm një proces të drejtë dhe të barabartë”, përfundoi ai.

Në këtë panel morën pjesë edhe ish-ambasadori amerikan Christopher Hill, ambasadori gjerman në Kosovë Rainer Rudolph dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha, të cilët diskutuan zhvillimet rajonale dhe perspektivën evropiane të Ballkanit. /Klankosova.tv

“Kosova ka aplikuar për statusin e kandidatit, por aplikimi ynë nuk është shqyrtuar kurrë. Ka mbetur në tavolinë. Të kërkosh reforma dhe përmbushje kriteresh, ndërsa nuk trajton fare aplikimin, është e padrejtë”, tha ai.