Home Blog Page 8

Hamza: “Ofertat” në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka dalë me një deklaratë publike në rrjetet sociale, duke e komentuar ofertën e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me presidentin.

Ai ka thën se po shohin sërish përpjekje për t’ia hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së presidentit.

“Prej gati dy vitesh, vendi po përballet me bllokada politike, jo për mungesë mundësish, por si pasojë e kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme. Edhe sot, në vend të reflektimit, po vazhdojnë fajësimet dhe manipulimet e zakonshme. “Ofertat” në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike për t’u arsyetuar para qytetarëve, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe mbetet parimor”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Drenica vazhdon serinë pozitive, fiton edhe ndaj Prishtinës së Re

Drenica ka vazhduar ecurinë pozitive në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke regjistruar edhe një fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 30-të.

Skuadra kuqezi nga Skenderaj triumfoi në udhëtim ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3:2, në një përballje të luftuar që u vendos në detaje. Ndeshja u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në terrenin me bar sintetik.

Kreshnik Uka ishte lojtari më i dalluar i takimit, duke realizuar dy gola për mysafirët, ndërsa një tjetër gol për Drenicën e shtoi Jeton Krasniqi.

Për Prishtinën e Re realizuan Kargbo dhe Vedji, derisa kjo humbje vjen pas një serie pozitive prej një fitoreje dhe një barazimi, duke e ndalur ritmin e tyre në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit.

Falë kësaj fitoreje, Drenica shkon në kuotën e 38 pikëve dhe mban pozitën e shtatë në renditje, duke krijuar distancë prej pesë pikësh nga Ferizaj dhe Llapi, që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërkohë, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë.

Lladrovci: Murat Jashari do të ishte kandidat për president përtej matematikave ekzistuese

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke folur për çështjen e presidentit, ai ka theksuar se mund të bëhet befasi nga tri partitë politike, duke e emëruar një kandidat konsensual e jo tre, i cili mund të dilte si emër deri në mbrëmje dhe të ndaleshin spekulimet për Presidentin dhe kërcënimi i zgjedhjeve.

“Një kandidat si Murat Jashari, do të ishte kandidat përtej matematikave ekzistuese”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Postimi i tij:

Sa më larg atdheut, ai bëhet më i dashur. Në këtë fundjavë, leximi i lajmeve nga Gjermania, po ma shton dëshpërimin, pse nuk kemi fuqi përbashkuese për ecje përpara. Pse dikush duhet të duket më i rëndësishëm se Kosova. Kushdo e vendosi veten mbi Kosovën, nuk la gjurmë të mirë.

Me të drejtë, partitë politike nuk e shqyrtuan propozimin e sotëm të pozitës. Si asnjë herë më parë, në politikën tonë duket i largët koncepti marrëveshje dhe konsensus. Lojërat politike kanë mund të ndalen kur qarkullonin emrat e Glaukut, Albulenës e ndonjë tjetër, para disa muajve.

Po, mund të bëhet befasi nga tri partitë politike, duke e emëruar një kandidat konsensual e jo tre, i cili mund të dilte si emër deri në mbrëmje dhe të ndaleshin spekulimet për Presidentin dhe kërcënimi i zgjedhjeve. Një kandidat si Murat Jashari, do të ishte kandidat përtej matematikave ekzistuese.

Ndryshe, keqpërdorimi i zgjedhjeve për motive të dobëta, do të jetë kryefjalë e udhëheqësve aktualë, të katër partive në Parlament. Pa dashur të bëj gjykatësin, PDK është me më pak faj, megjithëse mund të ulë tensionet, duke dhënë emrin e kandidatit për president.

Abdixhiku i drejtohet Kurtit: Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar që të përcaktohet qartë nëse synon një marrëveshje politike me LDK-në apo kërkon një zgjidhje më të gjerë edhe me PDK-në.

Në një postim publik, Abdixhiku ka thënë se, nëse Kurti synon 90 vota dhe nuk mundet pa PDK-në, atëherë LDK nuk mund ta ndihmojë në këtë proces.

Ai theksoi se, pasi të arrihet një marrëveshje mes palëve të tjera, atëherë çështja mund të trajtohet.

“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të. Ju faleminderit!”, ka shkruar Abdixhiku në ‘Facebook’.

Ekstradohen nga Gjermani dhe Franca për në Kosovë dy persona që ishin në kërkim me letër-rreshtim ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datat 23 dhe 24 prill 2026, kanë realizuar me sukses ekstradimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it. Të dyshuarit kërkoheshin për dy raste të ndara “Vrasje në tentativë”

Paraprakisht të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritete e shteteve përkatëse në Gjermani dhe Francë dhe ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shteteve prej nga u ekstraduan të kërkuarit.

Murati: Opozita votoi kundër Pakos, e cila lehtësonte barrën e familjeve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se sot opozita votoi kundër trajtimit në seancë plenare të rishikimit të buxhetit.

“Ky rishikim do të mundësonte financimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurove”, ka shkruar Murati.

Ai ka theksuar se kjo pako mbështetëse do të ishte një ndihmë e shumëpritur për të lehtësuar barrën e familjeve, por ja që partitë opozitare mendojnë ndryshe fatkeqësisht.

Përfundon hetimi për vdekjen e Diogo Jotas

Autoritetet gjyqësore spanjolle kanë arritur në përfundimin se nuk ka prova për përgjegjësi penale në aksidentin me makinë që vrau futbollistin Diogo Jota dhe vëllain e tij më të vogël Andre Silva, duke i dhënë fund pas një periudhe të gjatë pasigurie, hetimit për një nga ngjarjet më tragjike në historinë e kohëve të fundit të futbollit.

Aksidenti ndodhi më 3 korrik 2025, në autostradën A-52 pranë Cernadilla në Spanjën veriore, kur Lamborghini i tyre doli nga rruga gjatë tejkalimit, goditi një kangjellë mbrojtëse dhe u përfshi nga flakët. Sipas gjetjeve të një hetimi të kryer nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Castilla y Leon, shkaku i aksidentit ishte një shpërthim gome në një moment vendimtar, gjë që çoi në humbjen e kontrollit të automjetit, shkruan Index.hr, raporton KlanKosova.tv.

Pas një analize të hollësishme të të gjitha provave dhe me ndihmën e ekspertëve të trafikut, gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte bazë për të filluar procedurë penale. Megjithatë, familjes i mbeti mundësia të fillonte një padi civile.

Dështon miratimi i shmangies së afateve procedurale për buxhetin 2026

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar shmangien e afateve procedurale për rishkimin e buxhetit për vitin 2026.

Me 58 vota për, 48 kundër dhe një abstenim, Kuvendi nuk e miratoi mocionin procedural, raporton KlanKosova.tv.

Bedri Hamza e quan manovër ofertën e Kurtit: Nuk propozojmë kandidatë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të propozojë emra për president, pas ofertës së Vetëvendosjes që PDK-ja dhe LDK-ja të nxjerrin tre emra për kandidatë për president.

Propozimin e ri të VV-së, ai e ka quajtur manovër të kryeministrit Albin Kurti.

“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”, ka thënë ai në holl të Kuvendit para seancës së jashtëzakonshme.

 

Bahtiri, opozitës: Sot është në dorën tuaj se a shkon vendi në zgjedhje apo jo

Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ka thënë se opozita tashmë e ka një ofertë të mirë nga LV për president.

“Tani, për ju është edhe një ofertë publike, shumë e sinqertë, e shumë njerëzore, e cila iu dedikohet juve. Në total i keni 3 oferta dhe 3 mundësi që të propozoni kandidatët e mundshëm për President të vendit”, ka shkruar në Facebook Bahtiri.

Postimi i tij:

Të dashur kolegë deputet të partive opozitare,

Çdoherë iu kam thënë por ju nuk më besonit. Levizja Vetëvendosje asnjëherë nuk ka dashur që t’i ketë tri postet e larta shtetërore, por mosdëshira juaj për të propozuar një kandidat të mundshëm e serioz për President, na detyroi që ashtu siç e kërkon ligji t’i kemi dy kandidatët tonë. Por kjo nuk kaloi.

Tani, për ju është edhe një ofertë publike, shumë e sinqertë, e shumë njerëzore, e cila iu dedikohet juve. Në total i keni 3 oferta dhe 3 mundësi që të propozoni kandidatët e mundshëm për President të vendit.

Sot është në dorën tuaj se a shkon vendi në zgjedhje apo jo.

Prandaj, apeloj tek ju, për hir të atyre që kanë dhënë jetën e tyre, gjakun e tyre për të pasur shtet dhe institucione të shtetit të Kosovës, ju kisha lut mos shkelni mbi gjakun e tyre. Dilni mbi interesat personale e partiake, dhe gjeni 3 kandidatë të mundshëm më të mirët që i ka Kosova. Përkrahjen tonë do ta keni 100%

Kjo është tani në dorën tuaj.

AB