Home Blog Page 7

Haxhiu shpreh solidaritet me popullin amerikan pas sulmit në Uashington

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxiu ka reaguar pas sulmit të ndodhur në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Në reagimin e saj, Haxhiu shprehu solidaritet me popullin amerikan dhe lehtësim që presidenti Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë jashtë rrezikut.

“Pas sulmit shqetësues në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, jemi pranë popullit amerikan. Të lehtësuar që Presidenti Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt. Zyrtarit të plagosur i urojmë shërim të plotë dhe qëndrojmë pranë Shteteve të Bashkuara në këtë moment të vështirë”, thuhet në reagimin e U.d. presidentes.

Qeveria mban mbledhje elektronike, ky është vendimi që mori

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka:Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr.24/11, të datës 20 prill 2026, për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës”, thuhet në komunikatën për media.

Drita ruan kreun pas fitores së bindshme, fitojnë edhe Ballkani dhe Malisheva

Tri ndeshjet e fundit të javës së 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës kanë sjellë fitore të skuadrave të kreut të renditjes. Drita ka realizuar fitore me rezultat bindës 3:0 ndaj Llapit, duke dëshmuar formë të qëndrueshme në fazën vendimtare të kampionatit.

Golat për Dritën u realizuan nga Besnik Krasniqi në minutën e 29-të, Abdoul Dante në fillimin e pjesës së dytë (47’), si dhe Veton Tusha në minutën e 63-të.

Me këtë fitore, Drita vazhdon të kryesojë renditjen me 57 pikë, pesë më shumë se ndjekësi më i afërt, Ballkani.

Ky i fundit, po ashtu, ka shënuar fitore me rezultat 3:0, duke e mposhtur Ferizajn, në Suharekë dhe duke mbajtur të hapur garën për titull.

Suharekasit kaluan në epërsi në pjesën e parë me golin e Giovanni-t në minutën e 22-të, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Valentin Serebe (80’) dhe Diar Vokrri (88’).

Në një tjetër ndeshje të rëndësishme të javës, Malisheva ka arritur një fitore dramatike në udhëtim ndaj Dukagjinit, falë golit të Xhemal Ibishit të shënuar në minutën e 93-të. Ky triumf i ka mundësuar Malishevës të ngjitet në pozitën e tretë me 46 pikë, duke kaluar Prishtinën dhe Gjilanin në renditje.

Prishtina aktualisht mban vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Gjilani renditet i pesti me 44 pikë. Dukagjini dhe Drenica ndajnë pozitat e mesit të tabelës me nga 38 pikë, ndërsa Llapi dhe Ferizaj mbeten në zonën e rrezikut me nga 33 pikë.

Atentati i dyfishtë në Balldre të Lezhës

Dy persona dyshohet se janë vrarë në një atentat në lëvizje sot në Balldren të Lezhës.

Njëri nga viktimat është identifikuar si Kreshnik Mujeci, i cili ndodhej me bashkëshorten në makinë, e cila po ashtu ka mbetur e vdekur.

Sipas pamjeve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda, automjeti është qëlluar disa herë.

Trupat e viktimave ndodhen ende në automjet, ndërsa nuk dihen ende autorët ose rrethanat e ngjarjes.

Policia është në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.

FFK nikoqire e turneut ndërkombëtar “Moveup Europe Cup 2026”

Për tri ditë radhazi Federata e Futbollit e Kosovës ishte nikoqire e turneut ndërkombëtar “Moveup Europe Cup”. Ky aktivitet sportiv promovon përfshirjen, shëndetin dhe aktivitetin fizik për grupmosha specifike. Ky turne u organizua në kuadër të projektit evropian Erasmus “Moveup”, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e FFK-së.

Në këtë edicion morën pjesë ekipe nga vende të ndryshme evropiane, përfshirë: Federatën e Futbollit të Rumanisë, Corporate Games nga Rumania e Margerita Sports nga Italia.
Gjatë këtyre tri ditëve sa u zhvillua ky aktivitet, pjesëmarrësit patën mundësinë të garojnë në një atmosferë miqësore dhe motivuese, duke ndarë përvoja dhe duke forcuar lidhjet mes tyre përmes sportit.

Qëllimi kryesor i projektit “Moveup” është të promovojë pjesëmarrjen aktive në sport për meshkujt mbi moshën 50 vjeçare, femrat mbi moshën 40 vjeçare si dhe në mënyrë të veçantë për personat që jetojnë me diabet tip 2 dhe hipertension.
Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e aktivitetit fizik si një mjet efektiv për përmirësimin e shëndetit dhe cilësisë së jetës, duke ofruar një mundësi për aktivitet sportiv të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pjesëmarrësit.

Organizimi i këtij turneu në Prishtinë dëshmon përkushtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mbështetur iniciativa që tejkalojnë dimensionin garues të sportit, duke e përdorur atë si mjet për mirëqenie, integrim social dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

“Moveup Europe Cup 2026” u vlerësua si një sukses i madh organizativ dhe sportiv, duke lënë hapësirë për aktivitete të mëtejshme dhe edicione të ardhshme edhe më gjithëpërfshirëse.

Lëndohet Salah, humb pjesën e mbetur të sezonit

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit pas një dëmtimi serioz në muskujt e pasëm të kofshës.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i kombëtares së Egjiptit, Ibrahim Hassan, i cili konfirmoi se lojtari ka pësuar një çarje dhe do të ketë nevojë për rreth katër javë rikuperim.

33-vjeçari u lëndua gjatë fitores 3:1 në Premier League kundër Crystal Palace, duke u larguar nga fusha në minutën e 60-të mes duartrokitjeve të tifozëve.

Deri tani, klubi anglez nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për gjendjen e tij, transmeton Klankosova.tv.

Lëndimi vjen në një moment delikat për Salah, i cili më herët ka bërë të ditur se do të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare të mbushur me suksese dhe trofe. Ndeshja e fundit e sezonit ndaj Brentford FC pritet të shërbejë si një lamtumirë simbolike për tifozët.

“The Reds”, ka ende disa sfida të rëndësishme përpara, përfshirë përballjet ndaj Chelsea FC, Manchester United dhe një transfertë kundër Aston Villa.

Pavarësisht dëmtimit, Salah mbetet një nga golashënuesit më të mëdhenj në historinë e klubit, duke regjistruar 12 gola dhe 9 asistime në të gjitha garat këtë sezon.

Sipas Ibrahim Hassan, sulmuesi pritet të rikthehet në kohë për FIFA World Cup 2026, ku Egjipti do të përballet me Belgjikën, Zelandën e Re dhe Iranin në Grupin G.

Objektivi kryesor i Salah është të rikuperohet plotësisht dhe të shmangë përsëritjen e problemeve fizike që e kanë ndjekur në turnetë e mëparshëm.

Osmani: Në Dumnicë, mikpritje e veçantë si çdoherë

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar banorët e fshatit të Dumnicës.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani falenderoi ata për mikpritjen e veçantë.

“Në Dumnicë, mikpritje e veçantë si çdoherë. Falënderoj nga zemra të gjithë për bashkëbisedimin e sinqertë”, ka shkruar Osmani.

Prapaskenat e sulmit në Uashington: Trump shpëtoi, i dyshuari u arrestua – krejt çka ndodhi

Rreth orës 20:35 të së shtunës, u dëgjuan të shtëna në Washington Hilton në darkën e korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë çka trazoi të pranishmit, të cilët menjëherë kërkuan mbrojtje.

Siç raportuan mediat ndërkombëtare pas pak minutash, agjentët e Shërbimit Sekret nxituan tek presidenti amerikan, Donald Trump dhe e shoqëruan atë bashkë me Zonjën e Parë, Melania Trump dhe kabinetin e tij jashtë dhomës, transmeton Klankosova.tv.

Nuk kaloi as 1 orë dhe Donald Trump bëri komentet e tij të para, duke shkruar në Truth Social se “autori i dyshuar i të shtënave është kapur”.

Pas këtij deklarimi, presidenti i ShBA-së ndau një video që tregonte fillimin e të shtënave, dhe më pas publikoi fotografinë e të dyshuarit.

Rreth orës 22:50 mediat amerikane identifikuan të dyshuarin si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, duke cituar burime të shumta.

Sipas Sky News, Allen në një Linkedln e përshkruan veten si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuterësh me diplomë, zhvillues lojërash i pavarur me përvojë, mësues me lindje”.

Imazhi i profilit, nga maji 2025, duket se përputhet me pamjen e burrit të parë në postimin e Donald Trump në mediat sociale, i cili sipas tij tregonte sulmuesin në tokë.

Sipas profilit të tij, Allen mori një diplomë bachelor në vitin 2017 në inxhinieri mekanike nga Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë në Pasadena dhe një diplomë master në shkenca kompjuterike nga Universiteti Shtetëror i Kalifornisë-Dominguez Hills.

Po ashtu, u bë e ditur se i dyshuari ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Ai dha dëshminë për policinë, ku pranoi se synim kishte zyrtarët e presidentit të Amerikës.

Pas publikimit të fotografisë së të dyshuarit, udhëheqësi amerikan zhvilloi një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, bashkë me shefin e FBI-së, Kash Patel, dhe Prokurorin e Përkohshëm të ShBA-së, Todd Blanche.

Trump tha se beson se i dyshuari veproi vetëm, duke deklaruar se “ishte punë e një ujku të vetmuar”.

Rreth orës 23:10: Fillojnë të dalin pamje të drejtpërdrejta që tregojnë një kërkim nga policia në një pronë në Torrance, Kaliforni.

Ndërsa prokurorja e ShBA-së për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, thotë se autoritetet planifikojnë të akuzojnë formalisht të dyshuarin në gjykatën federale të hënën./Klankosova.tv

Hamza: “Ofertat” në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka dalë me një deklaratë publike në rrjetet sociale, duke e komentuar ofertën e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me presidentin.

Ai ka thën se po shohin sërish përpjekje për t’ia hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së presidentit.

“Prej gati dy vitesh, vendi po përballet me bllokada politike, jo për mungesë mundësish, por si pasojë e kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme. Edhe sot, në vend të reflektimit, po vazhdojnë fajësimet dhe manipulimet e zakonshme. “Ofertat” në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike për t’u arsyetuar para qytetarëve, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje. Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe mbetet parimor”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Drenica vazhdon serinë pozitive, fiton edhe ndaj Prishtinës së Re

Drenica ka vazhduar ecurinë pozitive në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke regjistruar edhe një fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 30-të.

Skuadra kuqezi nga Skenderaj triumfoi në udhëtim ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3:2, në një përballje të luftuar që u vendos në detaje. Ndeshja u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në terrenin me bar sintetik.

Kreshnik Uka ishte lojtari më i dalluar i takimit, duke realizuar dy gola për mysafirët, ndërsa një tjetër gol për Drenicën e shtoi Jeton Krasniqi.

Për Prishtinën e Re realizuan Kargbo dhe Vedji, derisa kjo humbje vjen pas një serie pozitive prej një fitoreje dhe një barazimi, duke e ndalur ritmin e tyre në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit.

Falë kësaj fitoreje, Drenica shkon në kuotën e 38 pikëve dhe mban pozitën e shtatë në renditje, duke krijuar distancë prej pesë pikësh nga Ferizaj dhe Llapi, që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërkohë, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë.