HomeAktualeKurti: Nëse LVV-ja nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë...

Kurti: Nëse LVV-ja nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!

spot_img

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është arritur marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Në një postim të gjatë në Facebook drejtuar qytetarëve, kreu i ekzekutivit fajësoi partitë opozitare për mos arritjen e akordit.

Ai tha se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja dhe të ecë drejt zgjedhjes së presidentit, teksa shtoi se “qytetarët e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.

Kurti theksoi se problemi kryesor mbetet sigurimi i 80 deputetëve për kuorum në çështjen e presidentit dhe, sipas tij, zgjedhjet nuk do të sillnin zgjidhje.

Postimi i Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Pas 10 muajsh bllokadë gjatë vitit 2025, në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit që lamë pas populli i Kosovës foli më qartë se asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës. Është obligim i secilit subjekt politik e lider partie të sillet në përputhje me atë vullnet të shprehur.

Legjislatura e 10-të e ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë. Ajo tash duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangë zgjedhjet sepse ato janë të panevojshme dhe humbin kohë dhe mjete të buxhetit të Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese.

Meqënëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!

Në përputhje më rezultatin dhe rrethanat kam bërë ftesa të vazhdueshme për partitë opozitare sikurse që vazhdimisht kam ofruar edhe alternativa për zgjidhje. Deri tani pa sukses.

Kam bërë ofertë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo ofertë përfshinte: postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. U refuzua.

Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo.

Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike. Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes Kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK mund të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Pra, Kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut.

Mos të harrojmë 4 veta në LVV kanë më shumë vota se kryetari i PDK-së: përveç meje, edhe Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu si dhe Hekuran Murati i cili po ashtu ka më shumë vota sesa Bedri Hamza. Ndërkaq nëse e krahasojmë me LDK-në, 10 veta nga LVV janë më të votuar sesa kryetari i LDK-së.

Të dashur qytetarë,

Republika e Kosovës ka nevojë për mbarëvajtje të institucioneve dhe stabilitet institucional.

Ne kemi shkuar me kandidat nga subjekti ynë kur ndodheshim fare pranë mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit me kandidatin e parë dhe të dytë, vetëm pasi nuk arritëm në një kandidat konsensual dhe vetëm pasi nuk kishte asnjë propozim të vetëm nga ana e subjekteve opozitare.

Propozuam kandidatin Glauk Konjufca, i cili është njeri i dytë më i votuar në historinë e Kosovës dhe Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Mbi të gjitha, sërish u ofrua edhe një zgjidhje tjetër, ku vet z. Konjufca deklaroi se mund të tërhiqet nëse paraqitet një figurë konsensuale. Pavarësisht kësaj, nga partitë opozitare, sot e asaj dite, nuk kanë paraqitur asnjë emër për kandidat për president. As në takime me mua dhe as publikisht për juve.

Ne duhet të kemi parasysh dhe respektojmë vullnetin e popullit të shprehur përmes rezultatit zgjedhor: LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca jonë arrin në 66 deputetë.

Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional.
Me rezultatin aktual zgjedhor, asnjë parti opozitare nuk ka numra të mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president pa bashkëpunim ato me njëra-tjetrën.

Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita.

Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata.

Ju falemnderit për mbështetjen e vëmendjen. Dhe, mirupafshim.

Lajmet e Fundit

Baton Haxhiu: Besoj se Uran Ismaili do të zgjidhet kryetar i PDK-së, gara do të jetë mes tij dhe Enver Hoxhajt

Analisti Baton Haxhiu ka deklaruar në emisionin “Pressing” se beson që Uran Ismaili do...

Kurti takon Kosin në Mal të Zi, flasin për anëtarësim në BE

Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal...

Kosova U15 në Baku për FIFA U-15 World Cup & Festival

Kombëtarja e Kosovës U15 ka mbajtur sot stërvitjen e parë në Baku të Azerbajxhanit,...

Shiroka Pula takon ipeshkvin Dodë Gjergji, vlerëson kontributin e Kishës Katolike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ipeshkvin...

Më të lexuarat

Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri 

Shkruan: Besnik Tahiri Qëndrim këshillues për fazën e ardhshme të reformës së pushtetit vendor në...

SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?

Shkruan: Hisen Berisha Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund...

DEKLARATË PËR TA ZGJATUR JETËN E DHOMAVE SPECIALE

Shkruan: Hisen Berisha (Nga deklarata te mos/veprimi shtetëror, nga letra me thirrjen “Shko, Hashim” te...