Home Blog Page 15

Dienit Isufi “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.

Për javën e njëzet e nëntë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të dytë futbollistit të KF Dukagjini, Dienit Isufi, i cili shënoi një gol dhe, nga ndërhyrja ndaj tij, skuadra e tij fitoi penallti në ndeshjen kundër SC Gjilani, e cila përfundoi me rezultatin 2:3, duke i siguruar ekipit të tij tre pikë shumë të rëndësishme.

Sipas njoftimit të FFK-së, vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Pasi mori këtë çmim, Isufi u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.

Haxhiu autorizon dërgimin e FSK-së në Gaza: Kosova sot merr përgjegjësi!

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu gjatë ditës së hënë ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, pas miratimit nga Parlamenti.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky vendim pasqyron një Kosovë që e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar.

“Nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, Kosova sot merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar kryekuvendarja.

LDK refuzoi të gjitha ofertat, Kurti: Preferova që Abdixhiku të bëhet zëvendësi im

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Para mediave, ai tha se ka preferuar që Abdixhiku të bëhet zëvendësi i tij, pra zëvendëskryeministër, raporton Klankosova.tv.

“E falënderoj Abdixhikun për bashkëpunimin mirëpo në të njëjtën kohë më duhet të konstatoj që bisedimet rezultuan të pasuksesshme për shkak se asnjëra prej ofertave nuk u pranua nga kreu i LDK-së. Fillimisht ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me VV-në dhe partnerët e tjerë që i kemi ne, ta këtë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendësi im të bëhet Abdixhiku”.

Propozimet e Kurtit që LDK i refuzoi: Zv/kryeministri, katër ministri, kryeparlamentari

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke bërë të ditur se nuk është arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.

Ai tha se nga pala e Lëvizjes Vetëvendosje janë paraqitur dy opsione për bashkëpunim, transmeton Klankosova.tv.

“Ne kemi pasur dy propozime deri më tani. I pari ka qenë për pjesëmarrje në qeveri, ku LDK-së i jepej pozita e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. Propozimi i dytë ka qenë pozita e kryeparlamentarit, por në të dy rastet ka pasur insistim që pozita e presidentit të mbetet te Vetëvendosje”, ka deklaruar Abdixhiku.

Përparim Rama: Turizmi nuk njeh kufij

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Kosova, Shqipëria, Mali i Zi  dhe Maqedonia e Veriut së bashku, me një zë dhe një vizion të përbashkët, po e dëshmojnë se turizmi nuk njeh kufij dhe se rajoni ynë është më i fortë kur qëndron i bashkuar.

“Në kuadër të Panairi Ndërkombëtar i Turizmit KOSOVA 2026, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e turizmit, së bashku me përfaqësuesit e Struga dhe Ulqini”.

“Prishtina do të vazhdojë të prijë me vizion, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke e vendosur me krenari në hartën turistike të rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar Rama në ‘Facebook’.

KRU “Prishtina”: Rikthehet gradualisht furnizimi me ujë në Fushë Kosovë, Obiliq, lagjen Kalabria dhe zonat e tjera

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka njoftuar se punimet për sanimin e gypit kryesor furnizues në lokacionin Shkabaj kanë përfunduar me sukses.

Sipas njoftimit zyrtar, intervenimi është realizuar falë angazhimit të ekipeve të kompanisë, ndërsa pas përfundimit të punimeve furnizimi me ujë ka nisur të rikthehet gradualisht.

Gjatë ditës së sotme pritet që furnizimi të normalizohet plotësisht në të gjitha zonat e prekura, përfshirë Fushë Kosovën, Obiliqin, lagjen Kalabria, si dhe zonat e tjera që mund të kenë pasur ndikime të përkohshme nga ndërprerja.

Nga KRU “Prishtina” kanë falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin gjatë kohës së realizimit të punimeve.

Në njoftim thuhet se ekipet kanë punuar intensivisht për të rikthyer sa më shpejt furnizimin normal me ujë për qytetarët.

Gruda: Me 51%, po e çojnë vendin në zgjedhje

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka theksuar se Albin Kurti, po të mos donte zgjedhje, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë.

“Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje”, ka shkruar ai në “Facebook”

Ai ka thënë se tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.

“Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!”, ka shkruar deputeti Gruda.

Kryeministri në plus, shoqëria në borxhe deri në fyt

Shkruan: Besa Ismaili, ish deputete e Kuvendit
Në Kosovë, ekonomia e familjeve mbahet mbi kredi, bizneset luftojnë për mbijetesë, e shumë prej tyre mbyllen për shkak të borxheve që rriten çdo vit.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2025, borxhi i përgjithshëm i shoqërisë ka arritur rreth 6.5 miliardë euro, nga 5.8 miliardë euro në vitin 2024.
Një rritje e vazhdueshme që tregon qartë gjendjen reale ekonomike.
Pra, derisa qytetarët përballen me rritje çmimesh, kredi dhe presion financiar të përditshëm, debati publik ka zbritur në 16€ simbolike! Ulje marramendëse, apo jo?
Kështu, Kurti nuk është “në plus” vetëm në shifra, por edhe në propagandë politike.
Deklarimi i shumave të vogla bëhet vetëm të ndërtuar narrativë dhe për t’u relativizuar gjendja e mjerueshme e shumicës së qytetarëve.
Hajde flasim për 16€ e Albinit versus milionat e disa tjerëve, se kështu harrojmë mjerimin, varfërimin, izolimin dhe stagnimin e shumicës së qytetarëve!

FFK: Kur luajnë Dardanet, tribuna e mediave nuk duhet të jetë bosh!

Mbrëmë, në ndeshjen Kosovë – Bullgari në konkurrencën e vajzave, ndodhi diçka që nuk mund të kalojë pa u thënë. Tribuna e mediave ishte bosh. Jo pjesërisht, por tërësisht. Asnjë gazetar sportiv nuk e pa të arsyeshme të ishte aty, për ta ndjekur nga afër një ekip që prej kohësh po jep maksimumin dhe po përfaqëson shtetin me dinjitet.
Kjo nuk është vetëm mungesë prezence. Është mungesë përgjegjësie. Sepse, në të njëjtin stadium, kur zbret në fushë Kombëtarja A e meshkujve, situata është krejt tjetër. Zona e mediave mbushet përtej kapaciteteve. Kërkesat për akreditim tejkalojnë limitet dhe Federata bën çdo përpjekje për të akomoduar gazetarët jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Ka interes, ka zhurmë, ka kritika e ka “garë” për të qenë pjesë e asaj ngjarjeje.
Por kur luajnë heroinat dardane ka heshtje të plotë në zonën e mediave.
Ky kontrast i thellë nuk mund të arsyetohet me asgjë. Nuk është çështje rezultatesh, sepse vajzat tona po dëshmojnë cilësi dhe karakter. Nuk është çështje rëndësie, sepse ato përfaqësojnë të njëjtin flamur dhe janë pjesë e kualifikimeve të Botërorit. Është thjesht një pasqyrë e një mendësie që ende nuk ka arritur të kuptojë vlerën e barabartë të sportit, pavarësisht gjinisë.
Ironia është se, në ndeshjet e meshkujve, shpesh ndodh edhe një tjetër fenomen shqetësues, ku vendet në zonën e mediave zihen nga persona që më shumë bëjnë tifo sesa raportim profesional. Kjo jo vetëm që e dëmton imazhin e federatës dhe standardin e raportimit, por u merr vendin atyre që vërtet e kanë për detyrë dhe profesion informimin e publikut.
Zona e mediave nuk është tribunë tifozësh. Është hapësirë pune. Dhe kushdo që dëshiron të bëjë tifo për Kombëtaren, është i mirëpritur, madje Federata do ta mbështesë atë entuziazëm. Por jo në kurriz të profesionalizmit dhe jo duke zëvendësuar gazetarinë me tifozëri.
E njëjta mungesë vëmendjeje nga mediat përsëritet edhe ndaj Kombëtares U21 dhe ekipit të futsallit. Kritikat ndaj Federatës nuk mungojnë asnjëherë dhe bëhen vend e pavend. Por është e domosdoshme që secili të bëjë edhe një reflektim të sinqertë mbi rolin e vet. Media ka një mision fisnik: të informojë, të promovojë, të japë hapësirë dhe të ndikojë në zhvillimin e sportit. E kur ky mision neglizhohet, dëmtohet i gjithë ekosistemi.
Dardanet tona nuk po kërkojnë favore. Ato po kërkojnë vetëm vëmendjen që e meritojnë. Po punojnë në heshtje, po sakrifikojnë, po përfaqësojnë Kosovën me krenari dhe po na bëjnë të ndihemi mirë sa herë zbresin në fushë.
Por një shoqëri matet edhe me mënyrën se si i trajton ata që nuk janë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Dhe në këtë test, ne si shoqëri po dështojmë.
Është koha për reflektim. Madje jo vetëm për median, por për të gjithë. Sepse respekti për fanellën dardane nuk duhet të jetë selektiv.
Përfaqësimi i Kosovës nuk ka kategori të dorës së parë dhe të dytë. Heroinat tona dardane meritojnë vëmendje, mbështetje dhe kurajë për suksese të reja.

Stabilizimi institucional e politik, parakusht për sigurinë kombëtare

Shkruan: Hisen Berisha

(Kosova nuk përballet vetëm me krizë të brendshme politike, por me një sfidë të kombinuar, ku dobësit e brendshme dhe presionet e jashtëm ndërthuren në mënyrë të rrezikshme.)

Situata aktuale në Kosovë nuk mund të lexohet vetëm përmes zhvillimeve të përditshme politike, por duhet kuptuar si një ndërthurje e krizës institucionale të brendshme dhe një dimensioni të rritur të rrezikut të sigurisë, që lidhet drejtpërdrejt me veprimet dhe strategjinë e Serbisë në territorin e Kosovës.
Në planin politik, Kosova po përballet me një ngërç të zgjatur institucional, i cili po e dobëson kapacitetin e shtetit për të vepruarnë mënyrë koherente dhe të koordinuar.
Moskonstituimi i plotë funksional i institucioneve dhe tensionet ndërmjet pushteteve kanë krijuar një vakuum vendimmarrjeje, që në rrethana normale do të ishte problem serioz, por në kontekstin aktual të sigurisë, shndërrohet në rrezik strategjik.
Një shtet me institucione të bllokuara e ka shumë më të vështirë të reagojë shpejt dhe me autoritet ndaj kërcënimeve hibrideapo incidenteve të sigurisë.
Dobësimi i strukturës së Policisë së Kosovës po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, jo vetëm në aspektin operacional, por edhe në dimensionin njerëzor dhe profesional.
Kushtet e shërbimit mbeten të papërshtatshme për nivelin e rrezikut që bart kjo detyrë, me paga që nuk reflektojnë as përgjegjësinë dhe as ekspozimin e vazhdueshëm ndaj rrezikut për jetën.
Mungesa e sigurimeve adekuate shëndetësore dhe jetësore, ngarkesa e lartë në terren dhe mungesa e motivimit institucional po krijojnë një klimë pasigurie dhe demotivimi brenda trupës policore, duke ndikuar drejtpërdrejt në efektivitetin e reagimit në terren.
Ngjashëm, edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës vërehen dobësi serioze në realizimin e objektivave strategjike.
Plani Gjithpërfshirës i Tranzicionitnuk është përmbushur në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme në të gjitha fazat, ndërsa në shumë raste kemi të bëjmë me përmbushje selektive, të orientuara më shumë drejt efektit publik sesa ndërtimit real të kapaciteteve.
Investimet në pajisje të caktuara, si dronët vëzhgues apo sisteme të tjera të kufizuara në numër, nuk përkthehen në ngritje reale të Kapaciteteve të Plota Operacionale, por krijojnë një perceptim të rremë progresi dhe një boshllëk ndërmjet asaj që prezantohet dhe asaj që ekziston në terren.
Paralelisht me këtë dobësi të brendshme, zhvillimet e fundit që lidhen me zbulimin e armatimit në vendbanime serbe në Kosovë përbëjnë një sinjal alarmi që nuk duhet relativizuar.
Këto nuk janë raste të izoluara kriminale apo mbetje të pasluftës, por tregojnë për ekzistencën e strukturave të organizuara, që potencialisht janë të lidhura me rrjete të dirigjuara nga Serbia.
Fakti që armatim i konsiderueshëm gjendet i shpërndarë në zona të banuara nga komuniteti serb tregon për një strategji të mundshme të “parapozicionimit” të kapaciteteve për skenarë destabilizimi.
Kjo nënkupton se këto struktura nuk janë thjesht pasive, por mund të aktivizohen në momente të caktuara politike apo të sigurisë, për të krijuar tensione, incidente të armatosura apo për të sfiduar drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës.
Në këtë kuadër, duhet parë edhe doktrina e sigurisë së Serbisë në raport me Kosovën.
Serbia vazhdon ta trajtojë Kosovën si hapësirë të ndikimit të saj, duke përdorur një kombinim të instrumenteve politike, të inteligjencës dhe të strukturave paralele në terren.
Kjo është pjesë e një qasjeje hibride me veprime asimetrike, ku nuk kemi luftë të hapur, por një gjendje të vazhdueshme presioni dhe destabilizimi potencial.
Rasti i armatimit të zbuluar nuk është vetëm çështje e rendit dhe ligjit, por indikator i një problemi më të thellë të sigurisë kombëtare.
Ai ngre pyetje serioze rreth dilemave, që për studiues nga domeni i fushës së sigurisë dhe mbrojtjes gjithçka është e qartë, se kush i furnizon këto struktura, kush i organizon, dhe mbi të gjitha,për çfarë skenari po përgatiten?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje jo vetëm nga institucionet e sigurisë së Kosovës, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që janë garantues të stabilitetit në vend.
Në planin politik dhe të sigurisë në veri të vendit, narrativa e katër viteve të qeverisjes së Kurtit, se “kurrë nuk ka pasur më shumë shtet” rezulton e paqëndrueshme përballë realitetit aktual.
Në praktikë, në vend të konsolidimit të sovranitetit atje, kemi parë rritje të tensioneve, rikthim të situatës në një dimension më agresiv dhe një varësi më të theksuar nga ndërmjetësimi ndërkombëtar.
Për më tepër, presioni dhe masat ndëshkuese nga BE dhe SHBA kanë dobësuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa qeveria është vënë përballë kërkesave për zbatimin e marrëveshjeve që kontestohen për përputhshmërinë e tyre me rendin kushtetues dhe që rrezikojnë të cenojnë sovranitetin politik dhe integritetin territorial të vendit.
Në këtë kontekst, roli i bashkësisë ndërkombëtare bëhet edhe më kritik.
Çdo tolerim apo minimizim i këtyre zhvillimeve mund të inkurajojë aktorët destabilizues.
Kosova ka nevojë për një koordinim shumë më të ngushtë me partnerët e saj të sigurisë, si në nivel të inteligjencës, ashtu edhe në atë operacional, për të parandaluar eskalimin e situatës.
Duhet theksuar po ashtu, se siguria dhe politika në Kosovë janë sot më të ndërlidhura se kurrë.
Një qeverisje e dobët dhe e përçarë e rrit hapësirën për ndërhyrje të jashtme dhe për aktivizimin e strukturave ilegale. Prandaj, stabilizimi institucional nuk është vetëm çështje politike, por parakusht për sigurinë kombëtare.
Nga këto zhvillime, mesazhi është i qartë, Kosova nuk përballet vetëm me një krizë të brendshme politike, por me një sfidë të kombinuar, ku dobësia e brendshme dhe presioni i jashtëm ndërthuren në mënyrë të rrezikshme.
Përballja me këtë realitet kërkon lidership me vizion të qartë, institucione funksionale dhe një strategji të mirëfilltë të sigurisë nacionale, të mbështetur fuqishëm nga aleatët ndërkombëtarë.