Home Blog Page 16

Shqipëri: 233 banesa të djegura dhe 10 viktima në vitin 2025, shkak bombolat e gazit

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë vitit të fundit në Shqipëri janë regjistruar zjarrvënie në 233 banesa, ku si pasojë 10 qytetarë kanë humbur jetën nga asfiksia dhe 5 të tjerë janë plagosur.

Sipas të dhënave, numri më i lartë i banesave të djegura është shënuar në Tiranë me 93 raste, pasuar nga Durrësi me 27 dhe Vlora me 20.

Ndër shkaqet kryesore të rënies së zjarrit janë përmendur bombolat e gazit, defektet/shkëndijat elektrike, si dhe djegia e makinave elektrike në garazhe.

Në lidhje me rrezikun në hapësirat nëntokësore dhe përdorimin e gjeneratorëve, Shkëlqim Goxhaj ka deklaruar se në territorin e Bashkisë së Tiranës janë spostuar gjeneratorët, të cilët sipas tij janë përdorur kryesisht nga marketet, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë nëse katet nëntokë po shfrytëzohen si biznese.

Ai ka ngritur shqetësimin edhe për parkimet nëntokësore, duke thënë se propozimi është që parkimet të jenë të hapura, sidomos në rastet kur mund të ketë incidente me automjete elektrike.

Goxhaj ka sjellë si shembull garazhin e “Air Albania”, duke theksuar se aty ka ventilim dhe “nuk ka shans të mos ventilohet”, ndërsa ka kërkuar që standardet e tilla të zbatohen edhe në hapësira të tjera.

Kryetarja Haxhiu: Sali Çekaj jetoi dhe ra për të na bashkuar

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore, e cila u organizua sot me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Shqipes” 2026.
Kryetarja Haxhiu në fjalën e mbajtur me këtë rast, ka thënë se historia i jep kuptim kohës, por drejtimin e saj e përcaktojnë njerëzit, ata që, sipas saj, në çaste të vështira, nuk presin rrethanat të ndryshojnë, por marrin mbi vete barrën për t’i ndryshuar ato, dhe në mesin e tyre qëndron edhe heroi Sali Çekaj, të cilin e kujtojmë sot, në 27-vjetorin e rënies së tij.
“Jeta e Sali Çekajt nuk mund të ndahet nga rrjedha e historisë së Kosovës. I lindur në Broliq, në një familje me traditë atdhetare, i formuar si jurist dhe më vonë i angazhuar si gjyqtar, ai mund ta kishte zgjedhur një jetë më të qetë. Por, ai e zgjodhi rrugën më të vështirë, atë që kërkon guxim, që kërkon sakrificë dhe besim të palëkundur se liria nuk mund të dhurohet. Formimi i tij nuk e lejonte të rrinte mënjanë kundrejt represionit dhe tendencës për shfarosjen e popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi i Serbisë”, ka thënë kryetarja Haxhiu.
Ajo më tej ka shtuar se qysh në vitin 1991, në kohën kur rezistenca e armatosur ende nuk kishte marrë formë të plotë, Saliu bashkë me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Zahir Pajazitin u angazhuan për lirinë e vendit tonë.
“Që nga përgatitjet e para ushtarake, organizimin e grupeve në vend dhe në mërgatë, apo sigurimin e mjeteve financiare, Sali Çekaj ishte aty. Gjithë ky angazhim nuk u pa atëbotë, por pikërisht angazhimi i hershëm që e bëri të mundur historinë ishte ky. Sepse luftërat nuk fitohen vetëm në front. Fitohen shumë më herët, me organizim, me përkushtim dhe me guxim”, ka nënvizuar Haxhiu.
Ajo tha se ato përgatitje morën formë në Koshare, aty ku sipas saj, ideja e lirisë, e ndërtuar me vite, u kthye në veprim të hapur dhe në përballje të drejtpërdrejtë.
“Në prillin e vitit 1999, në një terren të vështirë dhe nën një përballje të drejtpërdrejtë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërmorën një nga aktet më të rëndësishme të luftës sonë për liri: shembjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Kufiri i vendosur padrejtësisht, që për dekada e kishte ndarë jo vetëm tokën, por edhe mundësinë për ta menduar lirinë si diçka të plotë. Më 9 prill 1999, filloi beteja”, ka pohuar kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se përballja ishte e pabarabartë, përballë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndronte një forcë më e madhe në numër dhe më e pajisur me armatim. Por, sipas Haxhiut, UÇK-ja kishte më pak armatim, më pak ushtarë, por kishte shumë më shumë motiv, kishte ideal dhe betim për të mos u zmbrapsur me asnjë kusht, duke shtuar tutje se pikërisht ky betim e ndryshoi rezultatin.
“Luftime të ashpra u zhvilluan përgjatë gjithë vijës së frontit. Me kalimin e ditëve, forcat serbe pësuan humbje të mëdha. Lufta, guximi dhe qëndrueshmëria e luftëtarëve të UÇK-së i detyruan forcat serbe që të tërhiqen. Në fushëbetejë, më 19 prill të vitit 1999, ra heroikisht edhe Sali Çekaj – Veterani, jeta e të cilit ishte ndërthurur me çdo etapë të përpjekjes për liri, gjithmonë në shërbim të atdheut, gjithmonë në vijën e parë të frontit”, ka theksuar kryetarja Haxhiu.
Ajo më tej tha se heroi ynë besoi fort në idenë se kufijtë që ndajnë një popull nuk janë të përjetshëm, e që sipas saj, për të, shembja e kufirit ndërshqiptar ishte përmbushje e amanetit shekullor për liri, shtet dhe për të qenë afër njëri-tjetrit.
“Ai la pas shembullin e një njeriu që kalon nga bindja në veprim, nga fjala në organizim, dhe nga ideja në strategji. Tek ai u bashkuan përvoja e brezit të vjetër dhe vendosmëria e brezit që po vinte. Në 27-vjetorin e rënies së tij, me plot gojë themi se ishte ai komandant, ishte strateg i destinuar për të qenë hero”, ka pohuar ajo.

E mundshme: Shqipëria në BE, para 2030-s

Komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos ka thënë se Republika e Shqipërisë mund të bëhet anëtare në bllokun e BE-së edhe para vitit 2030.

Marta Kos, deklaroi se nëse Tirana zyrtare që tashmë i ka të çelura gjithë kapitujt në procesin e anëtarësimit në BE, vepron me vendosmëri atëherë hyrja në bllok për shtetin shqiptar mund të ndodh edhe para vitit 2030.

Diplomatja sllovene theksoi se tani Brukseli ka një element të ri në procesin e pranimit të anëtareve të reja, me të cilën metodologji, sipas saj, u përgjigjen shqetësimeve të disa vendeve anëtare se vendet e reja që mund të hyjnë në BE, mund të jenë “Kali i Trojës”.

Forumi i Diplomacisë: Konjufca zhvillon takime të rëndësishme, në fokus forcimi i bashkëpunimeve

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në kuadër të edicionit të sivjetëm të Antalya Diplomacy Forum, zhvilloi takime të rëndësishme me homologë dhe përfaqësues nga Evropa dhe rajoni.

Bazuar në njoftimin e lëshuar për media, bëhet e ditur se Konjufca zhvilloi takime bilaterale me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Kestutis Budrys, ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, si dhe përfaqësuesin e lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën, Christian Schmidt, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua për zhvillimet e fundit në rajon, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, si dhe për prioritetet e përbashkëta që lidhen me stabilitetin dhe sigurinë për të ardhmen e rajonit.

 

Si filluan bashkëlojtarët e Muriqit ta njohin Kosovën?

Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka dhënë një intervistë të sinqertë dhe emocionuese për Klan Kosova, ku ka hapur zemrën dhe ka folur për një sërë temash.

Muriqi tregoi si bashkëlojtarët e tij filluan të mësojnë për Kosovën, dhe po ashtu zbuloi se ata fillimisht menduan se ishte nga Shqipëria.

“Kur erdha këtu në fillim kujtojshin që jam nga Shqipëria, se unë këtu luaj me pasaportën e Shqipërisë për shkak të dokumentacionit që Spanja nuk na njeh. Kur ju thoja se jam nga Kosova, shumica e bashkëlojtarëve të mi që nuk e njihnin, nuk e dinin se ku i bie, bile pyetja ka qenë Moskova? Jo, ju thoja Kosova…. Kosova. Por, me kalimin e kohës, bashkëlojtarët e mi po se po, domethënë për kohë shumë të shkurtër, por pastaj filluan edhe në Mallorca ta njihnin Kosovën edhe në Spanjë…. vinin golat, vinin postimet e La Liga-s. Dhe tani besoj që 80% e atyre që e përcjellin futbollin, jam 100% i sigurt që e njohin Kosovën”, tha Muriqi në “Sports Show” në Klan Kosova.

 

Peja 03 rikthen gjithçka në lojë , titulli vendoset në ndeshjen e fundit

Peja 03 ka barazuar serinë finale të “Play-Off”-it në Superligën e Kosovës në basketboll për femra, duke rikthyer gjithçka nga fillimi në garën për titull.

Skuadra e drejtuar nga Mujo Thaçi shënoi fitore të rëndësishme ndaj Bashkimit me rezultat 60:65, në një përballje shumë të luftuar deri në fund, njofton Klan Kosova.

Vlen të theksohet se e gjithë pesëshja startuese e ekipit pejan kontribuoi me pikë dyshifrore, duke dëshmuar forcën kolektive të skuadrës në këtë duel vendimtar.

Pas kësaj fitoreje, seria finale barazohet në 3:3, ndërsa kampioni i ri i Kosovës në konkurrencën e femrave do të përcaktohet në ndeshjen e fundit që zhvillohet gjatë mesjavës në Pejë.

 

Shoqata e Kërkim-Shpëtimit forcon kapacitetet për ndërhyrje në terrene të vështira malore

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka mbajtur trajnimin e radhës në alpinizëm, duke forcuar kapacitetet e ekipeve për ndërhyrje në terrene të vështira malore.

Sipas njoftimit zyrtar, trajnimi rrit efikasitetin në raste emergjente, veçanërisht në aksidente në humnera, nxjerrje dhe lëshime me litar, si dhe në situata të tjera si persona të humbur, evakuime në mot të rëndë apo zona të paarritshme, transmeton Klankosova.tv.

“Njëkohësisht, po mbjellim vlerat e humanizmit tek të rinjtë dhe fëmijët, sot pjesë e trajnimit ishte edhe një grup i vogël i tyre, ku më i vogli në lëshim ishte vetëm 8 vjeç. Shembull për ta dhe për të gjithë ne është 87 vjeçari z. Qerim Azizi, i cili vazhdon të jetë aktiv në trajnime dhe në aktivitete të shoqatës, duke reflektuar pozitivitet, gatishmëri dhe humanizëm”.

“Përgatitja profesionale mbetet çelësi për reagim të shpejtë, të sigurt dhe efektiv në shërbim të jetës”, thuhet në njoftim.

 

Aksident në Prishtinë, s’dihet për të lënduar

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

Sipas pamjeve, në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë, derisa nuk dihet nëse ka të lënduar.

Klankosova.tv ka kontaktuar policinë lidhur me rastin, por deri në këto momente nuk ka pranuar përgjigje.

Haxhiu bën thirrje për konsensus për presidentin dhe shmangie të zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Por, në qoftë se ka vullnet, mund të kryhet brenda shumë pak orësh”, tha Haxhiu për media gjatë vizitës në Akademinë Përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares.

Haxhiu tha se nuk është përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takime, duke theksuar se këto ftesa po bëhen nga kryeministri Albin Kurti, si lider i partisë në pushtet.

Ajo u bëri thirrje partive që t’u përgjigjen pozitivisht ftesave të Kurtit, duke shtuar se takimet mund të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme.

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haxhiu tha se kjo nuk është në interes të vendit.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë”, shtoi ajo.

Ajo tha se qytetarët nuk i duan zgjedhjet në këtë moment, duke rikujtuar se zgjedhjet e fundit janë mbajtur pak muaj më parë, në dhjetor.

Në këtë kontekst, Haxhiu u bëri thirrje partive politike që të bashkohen për zgjedhjen e presidentit.

Deklaratat e saj vijnë disa ditë pasi zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se zgjedhja e presidentit varet nga vullneti i opozitës. /REL

Muriqi për humbjen nga Turqia: Ëndrra ime u shua për 90 minuta

Ylli i Kosovës, Vedat Muriqi ka realizuar një intervistë ekskluzive për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, aty ku ‘pirati kosovar’ shpalosi detaje nga karriera e tij në Mallorca.

Në stadiumin e Mallorca-s, Muriqi zbuloi emocionet e tij pas golit të shënuar ndaj Real Madridit në të cilin shpërtheu në lot. Ai tha se emocionet e tij ishin grumbulluar pas dy javëve të vështira sidomos nga humbja e Kosovës në finalen e ‘playoff-it’ ndaj Turqisë.

“Po fitorja ka qenë me rëndësi sepse erdha në kombëtare pas humbjes së Elches që pata një penallti, e humba në minutën e 92-të, ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne një pikë kishte me qenë shumë. Erdhëm me fitore në gjysmëfinale kundër Sllovakisë, humbëm në finale, humbja e dëshirës më të madhe e jetës sime për 90 minuta shkoi. Kështu që u ktheva pas dy dite me Real Madridin duke e ditur që nuk isha për lojë. Them se nuk isha për lojë, por normal jam lojtar profesionist dhe nuk guxoj që ekipi Mallorca të ketë anën negative ta përjetoj edhe Mallorca për shkak timin. Siç shkoi loja 1-0 ishim duke fituar, isha i lodhur dhe plani im me fol drejtë që me Real Madridin me fitu është vështirë, por thash varet prej rezultatit më mirë me dalë prej loje që mos me pas lëndime”, tha fillimisht ai.

Pirati kosovar, zbuloi përjetimet e tij që çuan deri në shpërthim emocional kur shënoi golin vendimtar në fitoren e Mallorcas ndaj madrilienëve.

“Por, siç shkoi loja si shkoi rezultati ndjeja më shumë dëshirë, kur barazuan në minutën e 89-të, thash se këtë vit filloi mirë, por ka me përfundu keq për mua. Por, erdh rasti dhe me një kundërsulm dhe kur e pashë topin dhe gjuajta edhe është momenti kur e shoh topin që është futur në rrjet, ishte një gëzim edhe shpërtheva në lot me këto që kam përjetuar. Por veç ti edhe Zoti e di se çka përjeton brenda. Këto dy javë aq gjëra kam kaluar të rënda…”, shtoi Muriqi.

Sulmuesi kosovar tha se ëndrra e tij ishte Kampionati Botëror me Kosovën, ëndërr kjo që u shua pas humbjes nga Turqia. Ai tha se nuk ka mundur të fle i qetë për disa ditë pas kësaj ndeshje.

“Pas lojës ditën e lojës, gruaja është operuar, kur ka dalë ajo, kur e pa atë që ndodhi me lojën me Turqinë edhe ajo filloi me qajtë. S’kam mundur të fle 3-4 ditë e para, tash po e marr vetën mentalisht, dëshira më e madhe e jetës time shkoi, por duhet të vazhdojë. Unë i kam shënuar edhe Barcelonës edhe Real Madridit, por ndjenja kur shënoj me Kosovën kurrë nuk është e njëjtë edhe kurrë s’ka me qenë e njëjtë pa marrë parasysh”, përfundoi Muriqi./KlanKosova.tv.