Home Blog Page 14

Miratohet Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është miratuar Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Ky ligj është hartuar në kuadër të reformimit të sistemit të inspektimeve në vend, pas miratimit të Ligjit për Inspektimet dhe themelimit të Zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm.

Përmes tij, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ngrihet në nivel të agjencisë ekzekutive, duke mundësuar rritjen e kapaciteteve inspektuese dhe përmirësimin e kushteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ligji synon avancimin e procesit të inspektimeve dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për zbatimin e këtij ligji dhe funksionalizimin e plotë të Inspektoratit si agjenci ekzekutive.

Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti me premierën e parë për vitin 2026!

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës po vijon provat për projektin e ri “Bletë”, me koreografi nga Clebio Oliveira dhe asistencë të Lela Di Costanzo, ka njoftuar Ministria e Kulturës.

Në javën e tretë të punës intensive, shfaqja po i afrohet finalizimit, ndërsa premiera do të prezantohet më 29.04.2026.

📸 Ylli Selmani

Hulumtimi: ChatGPT nuk është i mirë në bërjen e diagnozave

Mjetet e inteligjencës artificiale, të tilla si ChatGPT e njohur, nuk janë të mira në bërjen e diagnozave, arriti në përfundimin një studim i publikuar sot, ndërsa përfitimet mjekësore të inteligjencës artificiale po shqyrtohen në të gjithë botën.

Një studim me 1,300 persona në Mbretërinë e Bashkuar, i botuar në revistën Nature Medicine, tregon se disa modele të inteligjencës artificiale – ChatGPT, Llama (Meta) ose Command R+ – nuk performojnë më mirë se një kërkim i thjeshtë në internet kur një pacient pyetet për simptomat e tij.

“Ka shumë entuziazëm rreth modeleve të inteligjencës artificiale, por ato thjesht nuk janë gati të zëvendësojnë mjekun”, tha në një deklaratë Rebecca Payne, një studiuese në Universitetin e Oksfordit dhe bashkautore e studimit.

Metodologjia e hulumtimit

Pjesëmarrësit në studim nuk ishin në të vërtetë të sëmurë. Ata morën pjesë në një lloj loje me role: studiuesit u dhanë atyre dhjetë grupe të ndryshme simptomash për të cilat ekziston një konsensus në komunitetin mjekësor rreth diagnozës përkatëse.

Vetëm një e treta e pjesëmarrësve iu dha një diagnozë e saktë. Ky grup nuk është më i mirë se grupi që iu desh të mjaftohej me një kërkim klasik në internet.

SpaceX i Elon Musk pritet të vlejë 1 trilion dollarë

SpaceX i Elon Musk është gati të bëhet një nga kompanitë më të vlefshme të tregtuara publikisht në botë.

Firma, e cila prodhon raketa, teknologji eksplorimi hapësinor dhe satelitë Starlink, është në pronësi private, por të mërkurën ajo bëri një kërkesë konfidenciale me autoritetet për një ofertë publike fillestare (IPO), e cila do të lejonte që aksionet e saj të tregtoheshin në bursë.

Vlera e SpaceX pritet të kalojë 1 trilion dollarë (751 miliardë paund) sapo të bëhet publike, transmeton Klankosova.tv.

Pjesëmarrja e Muskut në SpaceX do ta vendoste miliarderin në rrugën e duhur për t’u bërë trilioneri i parë në botë.

Kompania synon të dalë zyrtarisht në bursë diku në qershor, sipas raporteve në Bloomberg, Reuters dhe New York Times.

Një paraqitje konfidenciale e një kërkese publike fillestare (IPO) pranë Komisionit të Letrave me Vlerë të SHBA-së i lejon një kompanie të shmangë zbulimin e menjëhershëm të informacionit për publikun ndërsa kërkon reagime nga rregullatori.

Hapi tjetër do të jetë që drejtuesit e firmës të zhvillojnë një “show rrugor” – takime me investitorë të mëdhenj për t’i bindur ata të blejnë aksione.

Instagram po sjell një ndryshim që përdoruesit e kanë pritur prej kohësh

Instagram po prezanton një veçori të re që përdoruesit e kanë kërkuar prej kohësh – mundësinë për të modifikuar komentet.

Përdoruesit do të jenë në gjendje të korrigjojnë gabimet drejtshkrimore ose të ndryshojnë komentet e tyre brenda 15 minutave nga postimi, dhe komenti i modifikuar do të shënohet me një shenjë të veçantë, transmeton Klankosova.tv 

Opsioni i ri “Redakto” do të vendoset direkt poshtë një komenti të postuar.

Zgjedhja e tij do të hapë një kuti teksti për redaktime të shpejta brenda një dritareje të caktuar prej 15 minutash.

Pasi të ruhen ndryshimet, komentit do t’i jepet një etiketë gri “Redaktoi” për të ruajtur transparencën. Megjithatë, përdoruesit e tjerë nuk do të jenë në gjendje të shohin historikun e versioneve të mëparshme të komentit.

PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, situatën e rënduar ekonomike me të cilën po përballen qytetarët, procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për çështje të tjera me rëndësi.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje, Këshilli Drejtues ka miratuar edhe një Deklaratë Politike, përmes së cilës shprehet qëndrimi zyrtar i PDK-së në raport me temat kryesore që preokupojnë vendin dhe qytetarët.

Sa i përket çështjes së presidentit, Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje.

Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e presidentit të ri.

Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur. Këshilli Drejtues i PDK-së ka shprehur gjithashtu shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës, që po rëndon qytetarët, duke kërkuar masa urgjente dhe konkrete për mbështetje ekonomike.

Po ashtu, përmes kësaj deklarate, PDK kërkon një vendim përfundimtar të drejtë dhe të paanshëm për liderët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në Deklaratën Politike të Këshillit Drejtues të PDK-së ritheksohet që zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme dhe krijimin e një alternative të re qeverisëse.

Teksti i plotë i Deklaratës Politike të Këshillit Drejtues të PDK-së:

DEKLARATË POLITIKE

  • Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, sot, më datë 20 prill, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet partiake dhe politike, procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. PDK, si subjekt politik shtetformues dhe shtetndërtues, riafirmon përkushtimin e saj në mbrojtje të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe funksionimit demokratik të shtetit.
  • PDK vlerëson se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror.
  • PDK thekson se vendi nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime politike dhe interesa të ngushta partiake. Vazhdimi i kësaj gjendjeje, i shkaktuar nga pushteti aktual, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik dhe institucional në Kosovë.
  • PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik.

Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.

  • Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm. PDK riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.
  • Partia Demokratike e Kosovës rithekson orientimin e saj të qartë euroatlantik dhe kërkon forcim të menjëhershëm të partneritetit strategjik me aleatët tanë, si garanci për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit.
  • Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të papërballueshme të kostos së jetesës. Për këtë arsye, kërkohen masa urgjente, konkrete dhe efektive për mbështetje ekonomike dhe lehtësim të barrës financiare për qytetarët.
  • Po ashtu, Këshilli Drejtues rithekson se zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme, përfshirjen e potencialit të ri politik dhe ndërtimin e një alternative të avancuar qeverisëse.
  • Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, forcë konstruktive politike dhe alternativë serioze për qeverisjen e vendit.

Qeveria miraton përbërjen e re të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt të mbajtur sot, ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky vendim vjen si rezultat i nevojës për të adresuar një sërë çështjesh të evidentuara gjatë mandatit të komisionit aktual, të cilat kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.

“Numri i madh i ankesave që ka pranuar Ministria e Drejtësisë tregon nevojën për më shumë konsistencë në praktikat e vlerësimit, zbatim më të unifikuar dhe adekuat të programit të provimit dhe të dispozitave përkatëse ligjore, si dhe nivel më të lartë transparence dhe profesionalizmi në arsyetimin e rezultateve”, tha Ministrja Gërvalla.

Në këtë drejtim, me qëllim të funksionalizimit të një komisioni të ri me integritet të lartë profesional, Ministrja Gërvalla ka propozuar përbërjen e re si në vijim:

Z. Arian Gashi – kryetar i Komisionit, ndërsa z. Ersan Qavolli – zëvendësanëtar dhe pyetës/zëvendëspyetës në lëndën e së drejtës penale, materiale dhe procedurale;

Për lëndën: e drejta civile, materiale dhe procedurale – z. Lumni Sallauka, zëvendëskryetar, ndërsa z. Arsim Hamzaj, zëvendësanëtar;

Për lëndën: e drejta kushtetuese dhe bazat e sistemit gjyqësor – znj. Anita Prenaj -Krasniqi, anëtare, dhe znj. Suada Rama -Hamza, zëvendësanëtare;

Për lëndën: e drejta tregtare, e drejta e punës dhe e drejta administrative – z. Burim Shala, anëtar, ndërsa z. Nehat Qelaj, zëvendësanëtar;

Për lëndën: e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e Bashkimit Evropian – z. Bujar Muzaqi, anëtar, dhe znj. Rrezarta Lleshaj, zëvendësanëtare.

Në fund, Ministrja Gërvalla kërkoi miratimin e këtij propozimi me qëllim forcimin e meritokracisë, kredibilitetit dhe transparencës në proces, si dhe procedimin e përbërjes së re të Komisionit për miratim në Kuvend, në përputhje me ligjin.

Filmi i Michael Jackson pritet të jetë një sukses i diskutueshëm

Një film i ri rreth jetës së jashtëzakonshme, por të trazuar të Michael Jacksonit do të shfaqet në kinema.

Pritet të jetë shumë i popullarizuar, por a do ta tregojë të gjithë historinë?

“Bohemian Rhapsody” ishte një prodhim problematik, për ta thënë butë. Ylli origjinal, Sacha Baron Cohen, u largua dhe regjisori origjinal Bryan Singer u pushua nga puna. Por filmi biografik i Freddie Mercury dhe Queen arriti të arkëtojë më shumë se 900 milionë dollarë në biletari dhe të fitojë katër çmime Oscar.

Duke pasur parasysh atë sukses, dukej logjike kur producenti i Bohemian Rhapsody, Graham King, zbuloi në vitin 2019 se do të bënte një tjetër film biografik për një megastar të muzikës: Michael Jackson. Shkurt, King po ndiqte Queen me Mbretin e Popit.

Ndërmarrja e tij e re, Michael, kishte një vështirësi të dukshme: Jackson ishte akuzuar për abuzim me fëmijë.

Në vitin 1994, ai arriti një zgjidhje jashtë gjykatës me një nga akuzuesit e tij, Jordan Chandler, dhe u lirua nga akuzat për ngacmimin seksual të një djali 13-vjeçar në një gjyq penal në vitin 2005.

Avokatët e pasurisë së Jacksonit dhe ekzekutorëve të saj, të cilët janë ndër producentët e filmit biografik, i thanë BBC-së se ata “besojnë fuqimisht dhe pa mëdyshje në pafajësinë e Michael Jacksonit, e cila u gjykua unanimisht nga një juri dhe u mbështet nga prova të gjera”.

Anulohet një tjetër koncert i Kanye West, kjo është arsyeja

Një tjetër koncert i Kanye West është anuluar për shkak të një furie për komentet e tij të kaluara antisemite.

Media zvicerane kishte raportuar më parë se reperi kontrovers do të performonte në St. Jakob-Park, shtëpia e klubit të futbollit FC Basel, në qershor. Por të shtunën, klubi njoftoi se ishin tërhequr nga planet pas një “shqyrtimi të plotë”, transmeton Klankosova.tv.

Është i katërti nga koncertet evropiane të West që anulohet në dy javët e fundit. Ai duhej të shfaqej në stadiumin Silesian në Chorzoë më 19 qershor, performanca e tij e parë në Poloni pas 15 vjetësh, por vendi tha të premten se nuk do të mbahej “për arsye formale dhe ligjore”.

Dhe më herët këtë muaj, paraqitja e tij në festivalin Wireless u bllokua pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i mohoi hyrjen në vend. Më herët këtë javë, vetë West njoftoi se koncerti i tij i planifikuar në Orange Velodrome në Marsejë, Francë, më 11 qershor do të shtyhej “deri në njoftim të mëtejshëm”.

FC Basel, një nga klubet më të njohura të futbollit në Zvicër, tha në një deklaratë: “FCB mori një kërkesë dhe e shqyrtoi atë. Megjithatë, pas një shqyrtimi të plotë, ne kemi vendosur të mos vazhdojmë me projektin, pasi nuk mundemi, në përputhje me vlerat tona, të ofrojmë një platformë për artistin në fjalë brenda këtij konteksti”.

Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton s’fshihen më

Kim Kardashian duket se ka një romancë të re në jetën e saj dhe këtë herë bëhet fjalë për kampionin e Formula 1, Lewis Hamilton.

Themeluesja e SKIMS ka “konfirmuar” në mënyrë indirekte lidhjen e saj të re gjatë një darke luksoze në Nobu Malibu, një vend i njohur për frekuentimin nga yjet e Hollywood-it, transmeton Klankosova.tv.

Dyshja mbërriti rreth orës 21:00 të së shtunës, me Hamilton që drejtonte një Mercedes-Maybach S-Class ultra-luksoz. Kampioni i F1 jo vetëm që tregoi aftësi në timon, por edhe elegancë si zotëri, duke i hapur derën Kardashianit, e cila u shfaq e buzëqeshur dhe në humor.

Brenda restorantit, ata kaluan rreth dy orë në një atmosferë intime, të fokusuar plotësisht tek njëri-tjetri. Darka përfundoi rreth orës 23:00, ndërsa në dalje nuk u përpoqën aspak të fshehin afërsinë e tyre.

Të dy u panë duke buzëqeshur dhe duke reflektuar një kimi të fortë, çka ka shtuar spekulimet se marrëdhënia e tyre ka kaluar tashmë fazën e “miqësisë” dhe është kthyer në diçka më serioze.