Home Blog Page 13

Muriqi synon tjetër gol në La Liga, “Pirati” në ndjekje të Pichichit

Vedat Muriqi po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës dhe sonte rikthehet në fushë me një tjetër mision të qartë, të vazhdojë formën fantastike dhe të mbetet në garë për “Pichichi”.

Sulmuesi i Mallorca ka qenë protagonist absolut këtë edicion në La Liga, duke thyer rekordet e tij personalë dhe duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të rrezikshëm në kampionat, transmeton Klankosova.tv.

Në javën e 33-të, “Pirati” përballet me Valencia, një ndeshje ku të gjithë sytë do të jenë te sulmuesi kosovar. Forma e tij aktuale dhe besimi që ka krijuar e bëjnë atë një kërcënim konstant për çdo mbrojtje.

Me instinktin e golit në maksimum dhe rolin kryesor te Mallorca, Muriqi ka çdo mundësi të shënojë sërish dhe të vazhdojë ndjekjen ndaj golashënuesve më të mirë të ligës.

Sonte është një tjetër provë e madhe për të, dhe një tjetër mundësi për të dëshmuar se sezoni i tij nuk është rastësi, por dominim i pastër në elitën e futbollit spanjoll.

Në mars 2026 u regjistrua numri më i madh i përfituesve nga skema e shtesave për fëmijë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin mars 2026.

Sipas të dhënave të muajit mars 2026, struktura e përfituesve nga skemat e mirëqenies sociale, kryesisht ka në fokus mbështetjen e të moshuarve, kategoritë e dala nga lufta dhe familjet në nevojë.

Ndërkohë, skemat e tjera përfshijnë pensionet familjare, pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike, pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pensionet e Trepçës, programi për mbështetje financiare për shtesat për fëmijë, si dhe skema të tjera specifike sociale.

Organizohet “Java ndërkombëtare e kadetëve 2026”, dhjetëra pjesëmarrës nga vende të ndryshme

Qendra për Studime Universitare (QSU) edhe këtë vit organizoi aktivitetin “Java Ndërkombëtare e Kadetëve”, i cili u mbajt për herë të tretë me radhë.

Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra pjesëmarrës, duke përfshirë stafin drejtues dhe kadetë nga akademi të ndryshme, si SHBA, Kanadaja, Turqia, Italia dhe Shqipëria.

Duke bashkuar kadetë nga vende të ndryshme, kjo javë krijon mundësi për shkëmbim përvojash dhe kulturash, si dhe për ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme profesionale.

Ajo kontribuon në rritjen e besimit dhe në thellimin e partneriteteve ndërmjet shteteve. Në përputhje me praktikat e akademive ndërkombëtare, kjo iniciativë ndihmon në forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit afatgjatë.

Në kuadër të synimeve të KOMFSK Gjenerallejtënant Jashari, për promovimin dhe ndërkombëtarizimin e QSU-së në arenën ndërkombëtare të akademive ushtarake, nga një numër i kufizuar aktivitetesh ndërkombëtare vjetore që kishte më herët, QSU tashmë brenda një viti akademik realizon dhjetëra aktivitete ndërkombëtare.

Ky zhvillim nuk përfaqëson vetëm rritje të numrit të aktiviteteve, por edhe përmirësim të dukshëm në cilësinë, përmbajtjen dhe shtrirjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Këto aktivitete përfshijnë programe të ndryshme shkëmbimi të stafit, kadetëve dhe programeve akademike.

Të gjitha këto aktivitete promovojnë Qendrën për Studime Universitare dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës si një partner të besueshëm në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Kosova ngjitet për 11 vende në renditjen e FIFA-s, Dardanet tashmë në pozitën e 81-të

Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar ngritjen në renditjen botërore të FIFA-s.

Falë rezultateve pozitive të arritura në ndeshjet e fundit, përkushtimit dhe shpirtit të jashtëzakonshëm garues, Dardanet janë ngjitur për 11 pozita në renditjen më të re të publikuar nga FIFA.

Tashmë, përfaqësuesja jonë renditet në vendin e 81-të në botë, një arritje që dëshmon progresin e vazhdueshëm të futbollit të femrave në Kosovë.

Ky sukses vjen si rezultat i punës së palodhshme të lojtareve dhe stafit teknik, duke rritur edhe më shumë krenarinë dhe shpresat për suksese të reja në të ardhmen.

Kurti: Oferta jonë është shumë gjeneroze, por opozita s’është e interesuar që të zhbllokojë procesin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se oferta që ai u ka bërë dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në këmbim të zgjedhjes së presidentit të ri është “shumë gjeneroze”. Por, sipas tij, këto parti nuk janë të interesuara që ta zhbllokojnë procesin.

Një ditë më herët, LVV-ja dhe LDK-ja, pas një takimi të zhvilluar, nuk arritën një marrëveshje për çështjen e presidentit, teksa deputetët kanë kohë deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Kurti i ofroi LDK-së postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe tri ministri të tjera. Ndërkaq, më vonë gjatë 20 prillit, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se Kurti, përmes një komunikimi në WhatsApp i kishte ofruar postin e kryetarit të Kuvendit, por që PDK-ja t’ia japë LVV-së postin e nënkryetarit të organit ligjvënës. Partia e Hamzës tha se ka përmbyllur kontributin e saj për çështjen e presidentit, raporton Rel.

Kurti tha për mediat të martën se partitë duhet të sillen në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, kur partia e tij fitoi 51.1 për qind të votave.

“Oferta jonë është shumë gjeneroze, por nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuajse është viti 2025, kur, e mbani mend me ato seancën kur nuk votohej Albulena Haxhiu. Ka kaluar viti 2025, është viti 2026”, tha ai.

Duke folur për ofertën që ia bëri PDK-së, që Hamza e cilësoi si joserioze, Kurti tha se në atë rast, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do t’ia lironte vendin Bedri Hamzës, duke e cilësuar si “koncesion të madh për ne”, pasi theksoi se katër veta në LVV kanë “më shumë vota sesa Bedri Hamza”.

“Përveç meje, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu edhe Hekuran Murati kanë më shumë vota sesa Bedri Hamza”.

Ndërkaq, duke iu referuar LDK-së, Kurti tha se dhjetë persona në LVV kanë më shumë vota sesa kreu i kësaj partie opozitare, Lumir Abdixhiku.

“Unë nuk po them që opozita është e parëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im, dhe përveçse të jetë zëvendëskryeministër, njëkohësisht të jetë edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra t’i kenë katër ministri edhe të jetë zëvendëskryeministër. Dhe, jo vetëm kaq, ose ta ketë versionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë, ta bëjmë rokadën ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar Kuvendi”, tha Kurti.

Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi me Kurtin më 20 prill, tha për mediat se më nuk do të takohet me të.

Vrasja e Liridona Ademajt: Murseli e Plava dënohen me burgim të përjetshëm, Kokalla me 30 vjet

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, dhe Granit Plava u shpallën fajtorë për vrasje të rëndë.

Plava u shpall fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla u shpall fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Kokalla u lirua nga akuza për moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre, pasi prokurorja kishte hequr dorë nga akuza.

Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në sallë kur u shpall aktgjykimi, ndërsa familjarë të së ndjerës po.

Formula 1/FIA paralajmëron ndryshime që nga gara e Miamit për parakalime më të sigurta

Formula 1 po përgatitet për modifikimet në mënyrën sesi makinat e reja do të përdorin energjinë elektrike me synimin për të bërë provat kualifikuese më dinamike dhe për të reduktuar rrezikun e aksidenteve me shpejtësi të lartë gjatë parakalimeve, modifikime këto që do të nisin që në Çmimin e Madh të Miamit në SHBA fundjavën e ardhshme.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit deklaroi se modifikimet u akorduan në një takim me skuadrat e Formula 1, konstruktorët e motorëve dhe Formula One Management, pas një konsulte me pilotët. Modifikimet janë subjekt i miratimit të Këshillit Botëror të Motorsportit të FIA, një hap që është thjesht një formalitet duke qenë se ato kanë marrë një konsensus të gjerë.

Përqendrimi i Formula 1 në propulsorin hibrido-elektrik ka shkaktuar reagim negativ te disa pilotë të cilët mendojnë se kualifikueset janë më shumë të përqendruara te karikimi strategjik i baterisë dhe nuk janë të orientuara mjaftueshëm tek aftësitë e drejtimit.

Një paketë modifikimesh parashikon një karikim më të shpejtë me makinën në shpejtësi të lartë dhe reduktin sasinë maksimale të energjisë që mund të karikohet për xhiro. Një objektiv  kyç, është reduktimi. Një objektiv kryesor është “reduktimi i konsumit të tepruar të energjisë dhe nxitja e një drejtimi më të qetë dhe në regjim të plotë”, tha FIA këtë të hënë

E gjithë kjo përkon në pjesën më të madhe me rekomandimet e shprehura javën e kaluar nga George Russell i Mercedes që e ka nisur 2026 si një kandidat për titullin. Pas aksidentit dramatik në Çmimin e Madh të Japonisë, ku Oliver bearman doli nga pista për të evituar makinën më të ngadaltë të Franco Colapinto, FIA njoftoi për një kufi të fuqisë ekstra të fituar nga modaliteti ‘boost’ për parakalimet dhe kufizime të tjera në fuqinë elektrike në zona të caktuara.

‘Këto masa janë konceptuar për të reduktuar shpejtësinë në afrimet e tepërta duke ruajtur në të njëjtën kohë mundësitë e parakalimit dhe karakteristikat e përgjithshme të paraqitjeve të makinave-tha FIA

Masa të tilla, bashkë me modifikimet për sigurinë në rast reshjesh, do të jenë gati për Çmimin e madh të Miamit në 3 maj. Të tjera modifikime për të reduktuar rrezikun nga incidentet  në startin e garës do të testohen në Miami, mes të cilave një boost për makinat me nisje të ngadaltë dhe një paralajmërim viziv. /

Top Channel

 

Kurti me 16 euro kursime, Hamza thotë se në atë situatë duhet me marrë para borxh

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza foli lidhur me kursimet e kryeministrit Albin Kurti, të cilat ishin diku rreth 16 euro.

Hamza u shpreh se nëse do të ishte ashtu, në situata të tilla, detyrohesh të huazosh mjete, përcjell Klankosova.tv.

“S’kam koment se për vete po flas, pa dashur të hyj në çështje të tjera, me i pas 16 euro me 31 dhjetor, me 1 janar ndoshta do ta kaloja ditën disi, por me 2 janar, ose është dashur të shkojë në bankë, ose të huazojë diku, ose diçka, se ne jemi njerëz, harxhojmë, hamë buk, pijmë ujë, kemi nevoja”.

“Besoj që ajo ka qenë një situatë momentale, në një ditë të caktuar, përndryshe, duhet me huazu mjete, ose me marrë kredi”, tha ai.

Kosova e shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

Qeveria e Kosovës e ka shpallur si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjatë një mbledhjeje të hënën në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti tha se “përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”.

“Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi Kurti.

Hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2026”

Kosova po prezantohet si destinacion turistik përmes një prej ngjarjeve më të rëndësishme të sektorit në vend. Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, që po mbahet në Prishtina Mall përgjatë këtyre dy ditëve.

Në këtë edicion po marrin pjesë rreth 400 kompani nga 20 vende të botës, duke e kthyer panairin në një pikë të rëndësishme takimi për industrinë e turizmit dhe për bashkëpunime të reja.

Në ceremoninë hapëse, në emër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, fjalën e mori këshilltari i lartë i ministres Bogujevci, Muhedin Nushi.

Vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me ofertën turistike të Kosovës, nga trashëgimia kulturore dhe natyrore, te përvojat autentike që e bëjnë vendin gjithnjë e më tërheqës për vizitorë.

Panairi organizohet nga Unioni i Turizmit të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.