Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar pas diskutimeve të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Tahiri ka përshëndetur qëndrimet e deputetëve shqiptarë kundër asaj që ajo e cilëson si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por ka shprehur befasinë që, sipas saj, nuk pati thirrje nga deputetët e mazhorancës për miratimin e Rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
“Përshëndes të gjitha diskutimet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë në kundërshtim të padrejtësisë ndaj liderëve të UÇK-së, mirëpo u befasova që nuk pati thirrje për miratimin e Rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, nga ana e deputetëve të mazhorancës, ndërkohë që propozim-rezoluta nga deputetët e minorancës ka mbetur në sirtar tash sa kohë”, ka shkruar Tahiri.
Ajo ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë ta miratojë këtë rezolutë, duke e cilësuar këtë moment si “historik dhe strategjik”.
“Ky është momenti historik dhe strategjik që Kuvendi i Shqipërisë ta bëjë këtë goditje ndaj gjenocidbërësit serb, të Serbisë së Millosheviqit”, ka deklaruar Tahiri.
Në fund, ish-zëvendëskryeministrja ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën në situatën aktuale.
“Përkrahja vëllazërore bëhet në kohë sfiduese, në të cilën është sot Kosova”, ka shkruar ajo.

