Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), nën udhëheqjen e presidentit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 17-të, në të cilën janë diskutuar disa çështje me rëndësi për sportin kosovar dhe janë marrë një sërë vendimesh.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Bordi u njoftua për takimin e fundit të Komitetit Organizativ (OCMG), si dhe për letrat e pranuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Me këtë rast, u bë e ditur se në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me ICMG-në, ku OCMG-ja do të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë, dy të Komunës dhe dy të KOK-ut. Gjatë diskutimit u konstatua se ende ekziston rreziku i humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Po ashtu, u propozua krijimi i një programi për përgatitjen e federatave sportive për këto lojëra, në kuadër të nismës që buron nga Ligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Në mbledhje u vendos që ceremonia e Laureatëve të Vitit 2026 të mbahet më 21 janar 2027.
Ndërkaq, më 30 nëntor, KOK-u do t’u dërgojë ftesë federatave sportive për të aplikuar për bursat „Shpresat Olimpike 2026“, të cilat mbështeten nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.
Bordi diskutoi edhe për Bursat Olimpike LA 2028. Pas kërkesës së Federatës së Boksit të Kosovës, nga lista e bursistëve është larguar boksieri Donat Syla.
Gjithashtu, u bë e ditur se Komisioni i Sportit do të mblidhet për të analizuar performancën e bursistëve aktualë dhe për të shqyrtuar kërkesat e reja.

