Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Paris, ku kanë diskutuar për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në platformën “X”, zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun bëri të ditur se në takim është diskutuar për hapat e ardhshëm në procesin e dialogut dhe aspekte të ndryshme të normalizimit të marrëdhënieve.
“Me institucionet tashmë të konstituuara në Prishtinë, diskutuam për rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë dhe aspektet e ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat kanë rëndësi për njerëzit në terren dhe për rajonin”, thuhet në njoftim.
Zyra e BE-së e cilësoi takimin si një shkëmbim të mirë të mendimeve, ndërsa theksoi rëndësinë e vazhdimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

