Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar të martën një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ku ka diskutuar për performancën e kësaj prokurorie, sfidat me të cilat përballet dhe nevojën për rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale.
Gashi, i shoqëruar nga Zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni dhe prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Veton Shabani, është pritur nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, dhe prokurorët e kësaj prokurorie.
Gjatë takimit, Kryeprokurori i Shtetit ka vlerësuar performancën e kësaj prokurorie, duke kërkuar vazhdimin e angazhimit profesional, veçanërisht në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, veprave penale kundër detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale që janë në kompetencë të saj.
Një ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte edhe vonesa në kryerjen e ekspertizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF), të cilat paraqesin sfida për punën e prokurorisë.
Lidhur me këtë, Gashi bëri të ditur se shqetësimet për vonesat e ekspertizave tashmë i ka adresuar në institucionet përkatëse, përkatësisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke shprehur shpresën se këto probleme do të marrin trajtimin e duhur institucional.
Në takim u diskutua edhe për themelimin e mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së punës, mbrojtjes së integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve, si dhe caktimin e prokurorëve mbikëqyrës për Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Në përfundim të vizitës, Kryeprokurori i Shtetit u ofroi prokurorëve mbështetje profesionale dhe institucionale në përmbushjen e detyrave të tyre, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

