Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se nga 23 nëntori 2026 do të nisë zbatimi gradual i sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K (TIPS Clone), i cili do t’u mundësojë qytetarëve të transferojnë para brenda pak sekondash, në çdo kohë të ditës dhe të javës.
Sipas njoftimit të BQK-së, bankat që janë të gatshme do të fillojnë ofrimin e këtij shërbimi nga 23 nëntori, ndërsa të gjitha bankat pritet të jenë të lidhura me sistemin deri më 23 shkurt 2027, në përfundim të periudhës kalimtare tremujore.
Nga kjo datë do të hyjnë në fuqi edhe tarifat e reja për transferet bankare, të cilat do të zbatohen nga të gjitha bankat, pavarësisht nëse janë lidhur ende me sistemin TIPS-K. Kështu, klientët do të përfitojnë nga tarifat e reja që nga 23 nëntori.
Sipas udhëzimit të miratuar, tarifat do të jenë si vijon:
Transferet deri në 300 euro do të jenë pa pagesë gjatë tre muajve të parë. Pas kësaj periudhe, tarifa do të jetë 5 cent për transfer.
Për transferet mbi 300 deri në 3.000 euro, tarifa do të jetë maksimumi 15 cent.
Për transferet mbi 3.000 deri në 10.000 euro, të cilat do të lejohen në fazën përfundimtare brenda vitit të parë të operimit, kostoja maksimale do të jetë 30 cent.
Sistemi TIPS-K do të mundësojë realizimin e transferimeve bankare brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.
Me përfundimin e lidhjes së të gjitha bankave, sistemi do të jetë plotësisht operacional dhe do të hapet rruga edhe për pjesëmarrjen e institucioneve jobankare të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike.
Njoftimi i plotë i BQK-së:
BQK njofton lansimin dhe zbatimin gradual të sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K dhe tarifat e reja për transferet bankare
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se nga 23 nëntori 2026 do të fillojë ofrimi gradual i shërbimeve të pagesave të shpejta përmes sistemit TIPS-K (TIPS Clone). Bankat që janë të gatshme do ta ofrojnë shërbimin nga kjo datë, ndërsa të gjitha bankat do të lidhen me sistemin deri në përfundim të periudhës kalimtare tremujore, më 23 shkurt 2027.
Nga 23 nëntori 2026, të gjitha bankat do të zbatojnë tarifat e reja për transferet bankare ekuivalente me ato të TIPS-K, pavarësisht nëse janë lidhur me sistemin. Klientët do të përfitojnë nga tarifat e reja që nga kjo datë, edhe nëse banka e tyre ende nuk ofron pagesa të shpejta përmes TIPS-K.
Sipas udhëzimit të miratuar, tarifat për përdoruesit do të zbatohen sipas shumës së transferit dhe fazës përkatëse, si vijon:
🔵 Transferet deri në 300 euro do të jenë pa pagesë gjatë tre muajve të parë. Pas kësaj periudhe, tarifa do të jetë 5 cent për transfer.
🔵 Për transferet mbi 300 euro deri në 3.000 euro, tarifa do të jetë maksimumi 15 cent për transfer.
🔵 Në fazën përfundimtare, transferet mbi 3,000 deri në 10,000 euro do të lejohen brenda vitit të parë të operimit, me kosto maksimale 30 cent.
TIPS-K do t’u mundësojë klientëve të bankave pjesëmarrëse të transferojnë mjete brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Me lidhjen e të gjitha bankave, sistemi TIPS-K do të jetë plotësisht operacional dhe i disponueshëm për përdorim të gjerë, duke i hapur rrugën fazës së ardhshme, në të cilën parashihet pjesëmarrja e institucioneve jobankare të pagesave dhe e institucioneve të parasë elektronike.
🔗 https://shorter.me/tr_Gw

