Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda është shprehur se PDK pret lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga të gjitha aktakuzat, sepse lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e Kosovës të nuk mund të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të agresionit, represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb.
Gruda, në një konferencë për media, 18 orë para shpalljes së verdiktit final nga Gjykata Speciale në Hagë, ka thënë se Kosova pret drejtësi.
Gruda paralajmëroi se në rast se do të merret një vendim ndryshe, ai do të kundërshtohet me vendosmëri, me argumente dhe me të gjitha mjetet juridike e demokratike në dispozicion.
“Prandaj, edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë u kërkojmë të njëjtën gjë që kemi kërkuar gjithmonë: drejtësi të bazuar në prova, standarde të barabarta dhe respekt për të vërtetën historike të Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.
Duke kujtuar represionin, dhunën, dëbimet, vrasjet dhe krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës për dekada, Gruda tha se historia nuk mund të rishkruhet.
Ai u bëri thirrje të gjithë akterëve publikë ta ruajnë qetësinë dhe të mos krijojnë panik të panevojshëm te qytetarët.

