Prishtina do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 për vitin 2027, ndërsa Samiti B40 pritet të mbahet në kryeqytetin e Kosovës në janar të vitit të ardhshëm.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka njoftuar se qyteti është ftuar zyrtarisht nga kryetari i Zagrebit dhe presidenti aktual i B40, Tomislav Tomašević, për të marrë drejtimin e rrjetit gjatë vitit 2027.
Sipas Ramës, marrja e Presidencës përbën një vlerësim për rolin e Prishtinës në rajon, por edhe një mundësi për ta shndërruar kryeqytetin në një platformë të dialogut, bashkëpunimit dhe zhvillimit ndërmjet qyteteve të Ballkanit.
Mbështetje për Prishtinën për marrjen e Presidencës ka shprehur edhe Qyteti i Sarajevës. Në letrën zyrtare, sipas Ramës, Sarajeva ka vlerësuar lidershipin e Prishtinës dhe orientimin e saj drejt gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe vizionit evropian.
“Në 2027, Prishtina nuk do të jetë vetëm pjesë e tavolinës së qyteteve të Ballkanit, do ta udhëheqë atë”, ka shkruar Rama.
Ai e ka përmbyllur postimin me mesazhin: “Prishtina po rritet. Po lidhet. Po udhëheq”.

