Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur të hënën mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Ai tha se një ditë më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës u votua Qeveria e re, Kurti 4, ndërkaq sipas tij, sot zyrtarisht është dita e parë e punës nën qeverisjen e re të dalë nga procesi zgjedhor i 7 qershorit 2026, ndonëse realisht është veçse vazhdim i punës dhe i mandatit të ndërprerë pa nevojë e në dëm të vendit.
Kurti u ka shprehur mirënjohje qytetarëve për besimin e dhënë, deputetëve të Kuvendit për votimin.
Ai ka thënë se përpara kanë shumë punë e projekte, sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkërisht do t’ia dalin mbanë. “Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për shtetin. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona do ta lartësojnë Republikën me qytetarë të sigurt dhe do të zhvillojnë shoqërinë me familje të begatë. Të nderuar qytetarë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, pas një mandati të plotë qeverisës katërvjeçar, kemi pasur dy palë zgjedhje të paarsyeshme, të kushtueshme dhe që nuk sollën rezultat tjetër. Dhjetë muaj bllokadë e barrikadim për të shkuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Qytetarët folën qartë para vitit të ri 2026. Por, barrikadim sërish për të shkuar përsëri në zgjedhje në 7 qershor 2026. Edhe njëherë qytetarët folën qartë. Në vitin 2025 shkuam në zgjedhje për shkak të barrikadimit për Kuvend e Qeveri, ndërkaq sivjet, në 2026, për shkak të barrikadimit për shkak të presidentit”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se tani janë me Kuvend të konstituuar e Qeveri të zgjedhur, ndërkaq përpara kanë çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president.
“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim, pas një procesi negociatash jo të lehta, të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona. Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por edhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje!, subjektit politik më të madh në vend e në Kuvend, ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucione në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku, ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se është i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor, jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike.
“Se gjetja e një kompromisi politik është e mundur dhe sjell rezultat, është dëshmi vet konstituimi i Kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me Qeveri të re përveçse Kuvend të konstituuar. Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë, jam i bindur që do t’i sjellë vendit president të ri”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka folur edhe për vendimin e Speciales për krerët e UÇK-së që do të jepet të mërkurën. “Pasnesër, pas dy ditësh, Kosova, ne të gjithë, presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Për ne është gjithçka e qartë, populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi, i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pranë familjeve”, ka thënë Kurti.

