HomeAktualeBekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

spot_img

Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se vendimi vjen si pasojë e mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjeve politike rreth procesit.

Në një reagim të publikuar të hënën, Sejdiu ka bërë të ditur se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Postimi i tij i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq!

Para dy javësh u kontaktova nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga të cilët u ftova në një takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës.

E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesve të këtyre dy partive ua shpreh mirënjohjen time më të thellë, që më kanë nderuar me një besim të tillë dhe për mbështetjen e tyre përgjatë këtij procesi.

Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash. I kam qëndruar gjithmonë idesë se intelektualët dhe profesionistët kanë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe se kapacitetet intelektuale dhe aftësitë e tyre profesionale nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk vihen në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Siç e kam thënë edhe në paraqitjen time publike, nuk kam pasur asnjë ambicie për pozita publike përtej atyre akademike dhe profesionale dhe motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional.

Kam besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të gjejnë forcë për t’i tejkaluar ndasitë politike ose çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida.

Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës.

Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës.

Kjo ma përforcon besimin e patundur se lojalitetin institucional dhe patriotizmin kushtetues i kam pasur gjithmonë si udhërrëfyesit e vetëm në angazhimin tim institucional. Atë përcaktim, sidomos në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk e kam pasur selektiv apo konjuktural, por parimor dhe profesional.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë.

Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre.

Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime.Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht.

Sinqerisht,
Bekim Sejdiu

Lajmet e Fundit

Abdixhiku: Bekim Sejdiu tregoi dinjitet, do të ishte zgjedhja e duhur për President

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së...

Policia e Kosovës ndërmerr masa të sigurisë përgjatë aktiviteteve dhe zhvillimeve që ndërlidhen me datën 16 shtator

Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet...

Ballkani dhe Dukagjini ndajnë pikët, Prishtina përfiton në krye

Ballkani dhe Dukagjini kanë mbyllur pa gola përballjen e javës në Superligën e Kosovës,...

BE: I takon Kushtetueses ta gjykojë formimin e Qeverisë dhe të Kuvendit

Bashkimi Evropian (BE) tha se është në dijeni të votimit të së dielës, me...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...