Në prag të shpalljes së verdiktit final nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, në Prishtinës është mbajtur konferenca kombëtare “Lufta për UÇK-në”, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka emër”.
Hapja e konferencës është bërë nga përfaqësuesja e kësaj platforme, Eliza Hoxha, e cila tha se për 6 vite ky proces ka qenë pjesë e pandashme e vëmendjes publike në Kosovë.
“Kjo konferencë vjen si moment për ta nisur një dialog të brendshëm për në vlerat tona të vërteta, për historinë tonë, për pikat tona të përbashkëta edhe nëse nuk pajtohemi, por ato duhet të jenë aty për t’i vlerësuar dhe adresuar”, tha ajo.
Konferenca përmes tri paneleve të diskutimit synon të rikthejë vëmendjen te narrativa që procesi gjyqësor në Hagë ka pasur për historinë e vendit, kujtesën kolektive të popullit të Kosovës dhe për luftën e UÇK-së.
Në panelin e parë, Enver Hasani, Ylber Hysa dhe Enver Hoxhaj kanë shtjelluar temën “Konteksti i ri i krijuar nga Dhomat e Specializuara”.
Deputeti i PDK-së, ish ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në konferencën kombëtare “Lufta për UÇK-në”, ka theksuar se lufta e popullit tonë për liri përfundoi më 12 qershor 1999, ndërsa lufta diplomatike u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 2008. “Lufta speciale kundër Kosovës duhet të marrë fund më 16 shtator. Lufta e UÇK-së është e vetmja luftë çlirimtare e certifikuar nga NATO-ja. Dhe e vetmja drejtësi e pranuar është lirimi i plotë i të gjithë udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimi i tyre në Kosovë!”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka kritikuar gjithashtu pretendimet e Prokurorisë në fjalën përmbyllëse, duke thënë se ato, sipas tij, tentojnë të kriminalizojnë jo vetëm idenë e çlirimit, por edhe procesin e pavarësimit të Kosovës.
“Kur dëgjon pretendimet e prokurores në fjalën përmbyllëse, të cilat bëjnë përpjekje që ta kriminalizojnë edhe idenë e çlirimit përmes teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale, por edhe vetë idenë e pavarësimit të vendit, duhet të kujtojmë se si çlirimi, ashtu edhe pavarësimi i vendit, përtej çdo vullneti politik, kanë qenë edhe projekt kombëtar”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, e drejta dhe e pranueshme është lirimi i plotë i të gjithë udhëheqësve të UÇK-së dhe kthimi i tyre në shtëpi. “Atëherë, kur diçka e tillë është e padrejtë, për ne është e papranueshme. Ajo çfarë është e drejtë dhe e pranueshme është lirimi i të gjithë udhëheqësve të UÇK-së në mënyrë të plotë dhe kthimi i tyre në shtëpi. Ajo që duhet të mendojmë është se cila mund të jetë faza e re e luftës speciale kundër Kosovës pas 16 shtatorit. Mendoj se, pas shpalljes së pavarësisë dhe mbrojtjes së Kosovës, ne kemi krijuar kapacitetet tona për t’u ballafaquar me këtë luftë speciale, me këtë luftë hibride kundër Kosovës. Mendoj se më 16 shtator kjo luftë përfundon, nëse merret vendimi për lirimin e plotë të tyre”, ka shtuar Hoxhaj.

