Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII në Sofje, të organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova-Chamova, ku theksoi se ndërlidhja rajonale nuk është vetëm domosdoshmëri ekonomike, por edhe shtyllë strategjike e sigurisë dhe qëndrueshmërisë evropiane.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Konjufca nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në këtë rrjet, duke theksuar se investimet në Linjën Hekurudhore 10 dhe projektin e planifikuar për hekurudhen Prishtinë–Durrës kontribuojnë në forcimin e ndërlidhjes rajonale, diversifikimin e rrugëve të transportit dhe sigurinë euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për pengesat e vazhdueshme të Serbisë ndaj shkëmbimeve të energjisë elektrike me Republikën e Kosovës, pavarësisht skadimit të afatit të përcaktuar nga Komuniteti i Energjisë. Zëvendëskryeministri bëri thirrje për veprim të vendosur evropian në sigurimin e respektimit të detyrimeve ekzistuese, duke theksuar se këto pengesa cenojnë sigurinë energjetike rajonale.
Në përmbyllje, Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Korridori VIII duhet të jetë më shumë sesa një vijë në hartë dhe se një Ballkan Perëndimor i ndërlidhur dhe i qëndrueshëm kërkon bashkëpunim të papenguar dhe përfshirjen e plotë të Republikës së Kosovës.

