Home Blog Page 4

Kurti: Unë jam përplot shpresë ju e dini, nesër në ora 10:00 vazhdon seanca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë nga objekti i Kuvendit, ku sonte është mbajtur seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, por e cila është shtyrë për nesër, pas procesit të parë të votimit.

Ai shkurtimisht për media tha se ka shpresë që do të zgjidhet presidenti nesër në seancën e thirrur në ora 10:00.

“Unë jam përplot shpresë ju e dini, nesër në ora 10:00 vazhdon seanca”, tha shkurt Kurti.

Abdixhiku: Mes shtetit ‘karate’, propagandës e mashtrimit, ne zgjedhim Republikën!

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sonte, ishte një natë e rëndë për Republikën.

“E paimagjinueshme për shtetin e ri demokratik e për ata që e duan këtë vend si shtet normal. Sonte, Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues, duke imponuar vullnet parapolitik kundrejt çdo standardi demokratik. Për këtë akt të sontëm do të ketë pergjegjësi politike, institucionale e kombëtare. Republika nuk mund të merret peng dhe nuk do ta lejojmë të merret peng nga ata që e trajtojnë si leckë”.

“Sonte, po ashtu, për hir të transparencës së plotë, para qytetarëve të vendit tim; dhe duke qenë se është folur kaq shumë për 15 nënshkrimet e LDK-së, i bëra publike ato. Këto janë 15 nënshkrimet e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kandidatin e LDK-së, të dhëna mbi bazën e propozimit tim për një marrëveshje politike që u refuzua sot nga Lëvizja Vetëvendosje në një seancë përplot propagandë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

“Mes shtetit ‘karate’, propagandës e mashtrimit, ne zgjedhim Republikën! Të përhershmen, të përjetshmen!”, ka shkruar Abdixhiku.

Hasani: Është puç, s’ka procedurë pa 80 deputetë të pranishëm

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e presidentit nuk mund të vazhdojë pa përmbushjen e kuorumit kushtetues prej 80 deputetësh në dy raundet e para.

Në një lidhje telefonike në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hasani kritikoi interpretimin e bërë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo e ka interpretuar në mënyrë arbitrare aktgjykimin e vitit 2011 lidhur me procedurën për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Hasanit, aktgjykimi i vitit 2011, i rikonfirmuar pjesërisht edhe në rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçi, përcakton qartë se në dy raundet e para kërkohet pjesëmarrja e dy të tretave të deputetëve, përkatësisht 80 deputetë, në mënyrë që procesi të mund të kalojë në raundet pasuese.

Ai theksoi se vetëm në raundin e tretë ndryshon pragu i nevojshëm, ku kërkohen 61 vota, por jo pa kaluar më parë dy raundet e para sipas rregullave kushtetuese.

Hasani shtoi se dispozita e përmendur nga Haxhiu, sipas së cilës deputetët duhet të mungojnë vetëm me leje që të konsiderohen të arsyetuar, nuk është më e vlefshme, duke thënë se kjo është konfirmuar edhe nga aktgjykimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese.

“Deputetët e popullit nuk mund të detyrohen”, citoi ai, duke theksuar se mungesa e deputetëve nuk mund të përdoret si arsyetim për të ulur standardin kushtetues të kuorumit.

Sipas tij, në momentin kur u konstatua se në sallë nuk ishin 80 deputetë, procedura është dashur të ndalej dhe të mos vazhdohej tutje me votim.

Deklaratat e Hasanit vijnë në kohën kur ka pasur reagime të shumta nga njohës të çështjeve kushtetuese dhe organizata monitoruese, të cilat kanë paralajmëruar se çdo tentativë për të proceduar me zgjedhjen e presidentit pa kuorumin e nevojshëm përbën cenim të rendit kushtetues.

 

Pa praninë e opozitës, Kuvendi voton për presidentin – seanca vazhdon të martën

Pa praninë e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje hodhi në votim dy kandidaturat e saj të reja për presidente të Kosovës Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, gjatë seancës që nisi pas orës 21:00.

Kjo seancë u thirr më pak se një orë pasi përfundoi seanca për diskutimet për presidentin, e cila po ashtu u bojkotua nga opozita.

Dy emrat e rinj për presidente u hodhën në votim. Në rundin e parë, të votimit të fshehtë, Rushiti mori 63 vota dhe një ishte e pavlefshme, dhe Hoxha asnjë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi më pas se seanca do të vazhdojë të martën, në orën 10:00.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha ajo që ndodhi sonte është “puç kushtetues”, duke theksuar se rundi i parë nuk është konsumuar pasi nuk ka pasur kuorum.

Ndërkaq, për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, LVV-ja inicioi “përmbysjen e rendit kushtetues” të Kosovës.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha e Haxhiu dhe deputetët e LVV-së sonte “në mënyrë të hapur janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”.

47 sportistë të rinj përfitojnë bursën “Shpresa Olimpike 2026” nga KOK-u

47 sportistë të rinj kanë nënshkruar sot kontratat me Komiteti Olimpik i Kosovës për mbështetje financiare gjatë gjithë vitit, në kuadër të programit “Shpresa Olimpike 2026”.

Sipas njoftimit, programi synon mbështetjen e talenteve të reja në sportin kosovar, ndërsa bursistët e përzgjedhur përfaqësojnë gjithsej 19 sporte të ndryshme, përfshirë edhe disiplinat ekipore.

Secili prej sportistëve do të përfitojë mbështetje financiare mujore në vlerë prej 150 euro.

Presidenti i KOK-ut, transmeton Klankosova.tv, Ismet Krasniqi, ka theksuar se ky është numri më i madh i bursistëve të rinj ndonjëherë të përfshirë në këtë program, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në vend.

Sipas tij, vlera totale e mbështetjes financiare për këtë edicion të programit arrin në 84,600 euro në vit.

Lista e sportistëve është përzgjedhur nga Komisioni i Sportit dhe është miratuar nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, duke u bazuar në performancën dhe potencialin e tyre për zhvillim të mëtejshëm në skenën ndërkombëtare.

Qeveria mban mbledhje, mori tri vendime

Në ditën kur në Kuvendi ka mbajtur seanca plenare dhe të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth çështjes së presidentit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen në formë elektronike.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka marrë disa vendime.

Në njërin prej tyre është miratuar vendimi për zgjerimin e listës së mallrave në Aneksin A të ligjit për Tatimin e Normës së Akcizës në Kosovë.

Po ashtu, qeveria ka aprovuar listën e anëtarëve potencialë të Komisionit Shtetëror të Pranimit për Kategorinë e Lartë Drejtuese.

Në të njëjtën kohë, është miratuar në parim edhe nisma për Amendamentin Nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimi Evropian, që lidhet me programin IPA 2019, pjesa e parë.

Kuvendi thërret sonte seancë për zgjedhjen e presidentit, kandidate Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha

Kuvendi i Kosovës ka thirrur për sonte seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.

Kjo seancë është thirrur vetëm pak kohë pasi përfundoi një seancë tjetër ku u diskutua për këtë temë, e ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e VV-së, pasi ajo u bojkotua nga opozita.

Për këtë ka njoftuar kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, duke thënë se Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha janë kandidate të reja.

“Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të mbahet sot në orën 20:30. Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese.”, ka shkruar kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

UEFA e bën të qartë se çdo ndërhyrje politike në federatat e futbollit mund të sjellë pasoja të rënda

UEFA ka bërë të qartë se çdo ndërhyrje politike në federatat e futbollit mund të sjellë pasoja të rënda, deri te humbja e organizimit të turneve madhore dhe përjashtimi i klubeve nga garat evropiane.
Rasti i fundit ka të bëjë me Italinë.

Kreu i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka paralajmëruar presidentin e Serie A, Enzo Simonelli, se nëse politika vendos Federatën Italiane të Futbollit nën administrim të veçantë, pas zhvillimeve të fundit lidhur me arbitrimin dhe përzgjedhësin Rocchi, Italia mund të humbasë të drejtën e organizimit të Euro 2032.

Po ashtu, sipas këtij paralajmërimi, klubet italiane rrezikojnë edhe përjashtimin nga Kupat e Europës, raporton teleport.

Zgjedhja e presidentit, Koci: Pa marrëveshje politike, s’ka rezultat

Opinionisti Melazim Koci, ishte tejet kritik ndaj partive politike rreth temës së zgjedhjes presidentit.

Koci deklaroi në Klan Kosova se kriza politike mund të zgjidhjet veç me propozimin e kandidatëve jopartiak.

“Sepse thjeshtë, është e vërtetë që Vetëvendosja i ka fituar 51% të votave, por për ato 51 % ka marrë qeverinë dhe ka marrë kryetarin e Parlamentit. Duhen 80 vota, prandaj duhet kompromisi a 80 vota Vetëvendosja, i ka 66-të, duhen 80-të prandaj duhet kompromis”, tha Koci.

“Cili do të ishte kompromisi? Jo kandidat partiak i Vetëvendosje, as i opozitës, kandidat jopartiak pra”, theksoi ai.

Sipas tij, seanca e tilla pa marrëveshje politike nuk prodhojnë ndonjë rezultat.

Real Madrid shpreh interesim për selektorin e Argjentinës

Real Madridi ka filluar “peshkimin” për trajnerin e ri.

Emra të përmendur për uljen në stolin e trajnerit të skuadra spanjolle, janë të shumtë si dhe emra të mëdha si Cesc Fabregas, Jurgen Klopp dhe Didier Deschamps.

Mirëpo tani është përmendur edhe një emër tjetër nga mediat spanjolle, bëhet fjalë për selektorin e Kombëtares së Argjentinës, Lionel Scaloni, transmeton Klankosova.tv

Sipas emisionit radiofonik El Partidazo de COPE, drejtuesit e Real Madrid tashmë kanë bërë një hap konkret duke kontaktuar Scalonin, i cili konsiderohet si një nga alternativat serioze për projektin afatgjatë të klubit.

Trajneri argjentinas fitoi reputacion global pasi udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në FIFA World Cup 2022.

Scaloni pritet të vazhdojë detyrën me kombëtaren e Argjentinës të paktën deri pas FIFA Ëorld Cup 2026, çka e shtyn çdo vendim për të ardhmen e tij.

Në të njëjtën kohë, presidenti i klubit, Florentino Perez, raportohet se po e analizon me kujdes situatën për të përcaktuar drejtimin strategjik të skuadrës.