Albin Kurti gjatë seancës konstituive tha se partisë së tij i duhet më shumë kohë për të gjetur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, një post kyç në gjithë ngërçin politik pothuajse dyvjeçar.
“Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet pajtueshmëri sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria, për të cilën u betuam sot. Konstituimi i kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë”.
Ai shtoi: “Andaj, i nderuari kryesues, Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t`ju japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, raporton Rel.
Sa për t’jua kujtuar, Kurti është në bisedime me LDK-në për një marrëveshje politike, por takimet e deritanishme nuk kanë sjellë fryt.
Nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit që votimi për president të jetë i vlefshëm.
Këta numra nuk i ka e vetme asnjë parti.

