Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij ish-futbollistin e FC Prishtinës, Xhevdet Muriqin, pjesë e brezit të artë të klubit gjatë viteve ’80.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit me Muriqin kanë kujtuar ndeshjet, emocionet dhe atmosferën e asaj kohe, kur stadiumi i Prishtinës mbushej me tifozë dhe sukseset e klubit përjetoheshin si krenari e përbashkët.
Sipas Kurtit, Muriqi ka jetuar dhe punuar për 28 vjet në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, ndërsa vitin e kaluar është rikthyer për të jetuar në Kosovë.
Gjatë bisedës është folur edhe për vëllain e tij, Fadil Muriqin, i cili jeton në Australi, si dhe për ish-kolegët e tij, përfshirë Fadil Vokrrin e Kujtim Shalën, dhe trajnerin Qiro Bllazheviq.
Kurti ka thënë se biseda është përqendruar edhe te futbolli i sotëm, përfshirë paraqitjet e fundit të Kosovës, ngritjen e përfaqësueses dhe ndeshjet e ardhshme gjatë muajit nëntor.

