Akademik Fejzullah Krasniqi është zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), në mbledhjen e sotme të Kuvendit të këtij institucioni.
Krasniqi mori 19 vota pro nga gjithsej 29 vota, duke siguruar kështu drejtimin e institucionit më të lartë shkencor dhe artistik në vend.
Akademia ka bërë të ditur se Krasniqi është personalitet i shquar i shkencës dhe arsimit të lartë, me një veprimtari të gjatë akademike, kërkimore dhe institucionale, veçanërisht në fushën e inxhinierisë mekanike, termodinamikës dhe energjetikës.
I lindur në vitin 1953 në Tygjec të Kamenicës, ai përfundoi studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977, ndërsa doktoratën e përfundoi në vitin 1988.
Gjatë karrierës së tij akademike, Krasniqi ka botuar 105 punime shkencore, tetë tekste universitare dhe gjashtë vepra monografike.
Ai ka ushtruar gjithashtu funksione të rëndësishme drejtuese, përfshirë dy mandate si dekan dhe dy si prodekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, si dhe ka qenë kryesues i Senatit të Universitetit të Prishtinës në vitin 2009.
Në ASHAK, ai u zgjodh anëtar korrespondent në vitin 2008 dhe anëtar i rregullt në vitin 2012. Nga dhjetori i vitit 2025, mbante pozitën e nënkryetarit të Akademisë.
Për kontributin e tij akademik dhe shkencor, Krasniqi është nderuar me disa çmime dhe mirënjohje, përfshirë titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Politeknik i Tiranës në vitin 2015 dhe titullin “Qytetar Nderi” të Komunës së Kamenicës në vitin 2025.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka uruar Krasniqit shëndet dhe suksese në ushtrimin e detyrës së re.

