Në kuadër të bashkëpunimit rajonal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për forcimin e kapaciteteve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit në institucionet korrektuese, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka zhvilluar një takim me Menaxherin e Programit Rajonal, Predrag Sofranac.
Takimi u zhvillua në kuadër të aksionit rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”.
Gjatë takimit u prezantuan arritjet kryesore të realizuara në kuadër të Fazës III të Programit Horizontal (HFIII), si dhe u diskutuan perspektivat e ardhshme dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të kapaciteteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës në parandalimin e radikalizimit, si dhe avancimit të programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur të përfshirë në ekstremizëm të dhunshëm.

