Një avari në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në Minierën me Flotacion “Trepça” në Stan Tërg dhe në Njësinë e Flotacionit.
Sipas njoftimit të Trepça Sh.A., avaria ka ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 19:30. Në momentin e ndërprerjes së energjisë, në minierë ndodheshin gjithsej 63 minatorë të ndërrimit të dytë, të cilët ishte planifikuar ta përfundonin punën në orën 23:00.
Pas ndërprerjes së energjisë, 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në orën 02:30, ndërsa nëntë minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50.
Trepça njofton se pas rikthimit të energjisë, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë.
Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.
Ekipet teknike janë duke punuar në sanimin e avarisë, përfshirë kontrollimin dhe zëvendësimin e pesë siguresave mbrojtëse 6.3 kV dhe elementeve të tjera të instalimit elektrik.
Sipas Trepçës, procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë.
Pas përfundimit të riparimeve dhe verifikimeve teknike e të sigurisë, pritet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. “Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet”, thuhet në njoftimin e Trepça Sh.A.

