Kryesia e Aleancës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit politike.
Në takim u ritheksua qëndrimi i palëkundur i Aleancës lidhur me Gjykatën Speciale. Kryesia rikonfirmoi se Aleanca nuk e ka votuar themelimin e kësaj gjykate dhe, në çdo rrethanë kur të paraqitet mundësia për zhbërjen e saj, do të votojë pro.
Aleanca do të vazhdojë angazhimin e saj dinamik në Kuvendin e Kosovës. Në këtë drejtim, fokusi kryesor i Aleancës do të jetë në mbrojtjen e interesit qytetar, duke trajtuar sektorin e energjisë si shtyllë të zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe sigurisë strategjike të vendit. Po ashtu, prioritet mbetet mbështetja e zhvillimit ekonomik me theks të veçantë te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe te prodhimi vendor, përmirësimi i gjendjes në sektorët jetikë si shëndetësia dhe arsimi, si dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, politizimit të administratës, nepotizmit dhe klientelizmit.
Lidhur me Buxhetin për vitin 2027, Kryesia e Aleancës kërkon transparencë dhe sqarime të plota para opinionit publik. U vlerësua me shqetësim mungesa e investimeve të mirëfillta, ndarja diskriminuese e mjeteve buxhetore dhe dështimi në realizimin e projekteve, veçanërisht në investimet kapitale.
Në funksion të kësaj, Grupi Parlamentar i Aleancës do të adresojë dhe do të kërkojë llogari në Kuvend për çështje konkrete me interes nacional dhe social, përfshirë projektin e Hekurudhës Kosovë–Shqipëri, zbatimin e Kontratës Kolektive, si dhe amendamentet e gjashtëpikëshit.

