Shkruan: Hisen Berisha
Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm përmes numrave të mandateve, procedurave kushtetuese apo përplasjes ndërmjet partive politike.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, rezultati i ka dhënë LVV-së fitoren, por jo kapacitetin për ta zgjidhur e vetme krizën institucionale, veçanërisht çështjen e Presidentit përkatësisht çështjet që kërkojnë konsensus. Problemi nuk është juridik, por politik.
Kjo është arsyeja pse Kosova nuk ndodhet më përpara një problemi thjesht partiak. Përveçse problem partiak, kjo është një provë e maturisë së funksionimit të sistemit politik, se a do të prodhojë marrëveshje politike për ta funksionalizuar shtetin, apo do ta çojë vendin në një tjetër cikël zgjedhor, pa garanci se rezultati i ri do ta zgjidhë krizën?
Sepse zgjedhjet e reja nuk janë automatikisht zgjidhje. Po dëshmohet për dy vite e katër palë zgjedhje se nëse matematika politike mbetet e ngjashme, mund të kemi përsëritje të të njëjtit ngërç. Zgjedhjet mund ta ndryshojnë përbërjen e Kuvendit, por nuk garantojnë ndryshimin e matematikës politike. Dhe nëse pas zgjedhjeve të reja Kosova kthehet përsëri në të njëjtën pikë, atëherë nuk kemi zgjidhur asgjë.
Prandaj, një marrëveshje e mundshme politike do të ishte ende skenari më racional për Kosovën. Por kjo nuk duhet të jetë një marrëveshje klasike koalicioni dhe as një pazar për ndarjen e pushtetit. Duhet të jetë një “Marrëveshje për funksionalitetin e shtetit”, e jo marrëveshje për ndarjen e pushtetit.
Kjo do të nënkuptonte konstituimin e plotë të Kuvendit, krijimin e institucioneve, formimin e qeverisë nga forca fituese, një marrëveshje për një President konsensual dhe garantimin e funksionimit normal të Kuvendit dhe institucioneve. Opozita të mbetet opozitë, me rolin e saj kushtetues të kontrollit parlamentar, ndërsa pushteti të marrë përgjegjësinë e plotë qeverisëse. Dhe mbi të gjitha, duhet të ketë një zotim politik që, pas stabilizimit institucional, institucionet e shtetit të mos përdoren për hakmarrje politike.
Në këtë kuptim, zhvillimet e pesëmbëdhjetë ditëve të para të Gushtit kanë ndryshuar disi terrenin. Nëse problemi ishte mungesa e një ure ndërmjet LVV-së dhe opozitës, një pjesë e opozitës e ka ndërtuar atë urë. Pyetja nuk është më vetëm se çfarë kërkon opozita; pyetja është nëse LVV është e gatshme ta kalojë atë urë.
Kjo është një pyetje shumë më esenciale politikisht sesa pyetja se “kush e ka fajin”.
Sepse problemi real është deficiti i besimit politik në spektrin e partive kosovare. LVV mendon se opozita po e pengon fituesin e zgjedhjeve të qeverisë, ndërsa opozita mendon se LVV po përpiqet ta përdorë rezultatin zgjedhor për të kapur dhe kontrolluar edhe institucionet që kërkojnë konsensus. Prandaj problemi nuk është vetëm matematika e 61 votave.
Kurti duhet ta kuptojë një realitet themelor se, fitorja në zgjedhje duhet respektuar, por fitorja nuk të jep të drejtën për ta mbajtur shtetin peng të një formule politike që nuk siguron konsensusin e nevojshëm institucional. Mandati për të qeverisur është objektiv politik programor; kurse përgjegjësia për ta funksionalizuar shtetin është sensi politik shtetformues dhe patriotik.
Edhe opozita duhet të marrë përgjegjësinë e saj. Sepse përgjegjësia për shtetin i takon vetëm fituesit. Partitë e sotme opozitare kanë përgjegjësi të veçantë historike dhe politike. Kështu që, nëse ekziston një formulë që e shpëton shtetin nga kollapsi politik, (qoftë edhe konstituimin e Kuvendit, krijon qeverinë dhe zgjedh një President konsensual,) duhet të jetë pjesë e zgjidhjes, jo vetëm e bllokadës.
Ajo që po lexohet në deklarimet e përfaqësuesve socialist të LVV, konflikti politik nuk është vetëm çështja se kush bëhet President, por rendi i veprimeve.
Kurti kërkon marrëveshje për Presidentin para përfundimit të procesit institucional, kurse PDK kërkon që fillimisht të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të diskutohet Presidenti.
Pra konflikti nuk është vetëm “kush bëhet President?” Është: “Cila procedurë politike duhet të vijë e para?”
Kurti synon, (të kapë edhe postin e Presidentit dhe të vendosë diktaturën; të qeverisë pa kontrollin e Kuvendit dhe me një Gjykatë Kushtetuese të hendikepuar tashmë).
PDK-ja dhe partitë e tjera synojnë, (forcimin e rolit të Parlamentit, autonominë e presidentit mbipartiak, paprekshmërinë politikr të Gjykates Kushtetuese si gardiane e kushtetutshmëridl dhe funksionimit kushtetues të shtetit, në mënyrë që të kontrollohen dhe frenohen ambiciet e Kurtit, që të funksionojë me logjikën e sistemeve totalitare, pa kontroll demokratik, pasi i ka hendikepuar të gjithë mekanizmat e kontrollit të demokracisë).
Dhe këtu nuk po mund të gjendet kompromisi, (sepse është në ndesh me ambiciet politike të këtij sekti politik antidemokratik dhe antishtetëror).
Për shembull, një alternativë e mundshme kompromisi, do të ishte, kuptohet sikur të ekzistonte qëllimi i mirë politik për shtetin dhe jo për pushtetin që, marrëveshja politike për Presidentin të arrihet paraprakisht, ndërsa votimi dhe formalizimi të bëhen në përputhje me procedurat kushtetuese.
Këtu pra fshihet nyja e vërtetë e krizës.
Nëse ekziston vullneti i mirë politik për shtetin dhe jo për pushtetin, atëherë një formulë kompromisi është e mundshme që, LVV të mos kërkojë koalicion klasik me opozitën; opozita të pranojë formimin e qeverisë nga partia fituese; palët të dakordohen për një kandidat presidencial konsensual; Presidenti të mos përdoret si shpërblim partiak; Kuvendi të konstituohet; Qeveria të votohet dhe të marrë përgjegjësinë e plotë qeverisëse, ndërsa opozita të ushtrojë rolin e saj kushtetues të kontrollit parlamentar.
Kjo do të ishte një zgjidhje shumë më dinjitoze sesa një pazar për poste.
Sepse marrëveshja nuk duhet të jetë e tipt, “Ti më jep Presidentin, unë ta mundësoj Qeverinë”.
Kjo do të zgjidhte një nyje teknike, por jo krizën politike. Kosovës i duhet një minimum konsensual shtetëror, një marrëveshje që i jep fund bllokadës dhe vendos rregullat e bashkëjetesës institucionale pas zgjedhjeve.
Çështja e Kushtetueses duhet trajtuar me shumë kujdes. Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka kaluar më 7 gusht dhe përtej këtij afati, është provuar me skenar antikushtetues të mbahen seanca. Kemi hyrë në një zonë serioze të pasigurisë kushtetuese dhe kjo është pikërisht arsyeja pse politika duhet ta gjejë zgjidhjen para se interpretimi i Kushtetutës të bëhet instrument i konfliktit politik.
Politikan do të thotë person që gjen zgjidhje.
Nuk mund të ndërtojmë një shtet funksional duke e transferuar çdo konflikt politik te Gjykata Kushtetuese. Gjykata duhet të interpretojë Kushtetutën kur kërkohet prej saj, por politika duhet të ketë guximin profesional dhe përgjegjësinë politike e institucionale, për të gjetur kompromisin ndërpartiak aty ku ai është i mundur.
Shteti nuk mund të funksionojë gjatë në kushtet e një përplasjeje permanente institucionale.
Kjo ka kosto politike, ekonomike dhe strategjike.
Bllokada krijon pasiguri për buxhetin, investimet dhe vendimmarrjen, ndërsa Kosovës i duhet stabilitet institucional për marrëdhëniet me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n. Edhe vetë partitë politike kanë interes të madh për një marrëveshje, sepse askush nuk mund të jetë i sigurt se një palë zgjedhje të reja do t’i japë rezultatin që kërkon.
Dhe mbi të gjitha presionet, moralisht është qytetari. Kosova sapo ka votuar më 7 qershor. Nëse qytetari ftohet përsëri në zgjedhje pas disa muajsh, pyetja e tij është e natyrshme: “Pse po më kërkoni të votoj përsëri, kur ju nuk jeni në gjendje ta zbatoni rezultatin e votës së fundit?”
Prandaj, zgjedhjet e reja si mjet juridiko-politik mund të jenë rruga e fundit nëse çdo kompromis dështon dhe procedurat kushtetuese e çojnë vendin drejt tyre. Por zgjedhjet duhet të jenë “ultima ratio”, jo instrument presioni.
Kosova sot nuk ka nevojë për një garë të re politike vetëm për të provuar se kush mund të fitojë më shumë mandate. Ajo ka nevojë për udhëheqës që mund të dëshmojnë se dinë ta shndërrojnë vullnetin e qytetarëve në institucione funksionale.
Ka katër presione që e shtyjnë drejt marrëveshjes: qytetari, ekonomia, partnerët ndërkombëtarë dhe vetë partitë politike. Por mbi të gjitha ekziston një përgjegjësi që duhet të jetë më e madhe se interesi i çdo partie, e kjo është përgjegjësia ndaj shtetit.
Nëse marrëveshja arrihet, Kuvendi konstituohet, formohet Qeveria, zgjidhet një President konsensual dhe opozita merr rolin e saj kushtetues, Kosova del nga kriza me dinjitet institucional.
Nëse marrëveshja dështon, atëherë zgjedhjet mund të bëhen të pashmangshme. Por edhe atëherë duhet ta kemi të qartë se zgjedhjet nuk janë garanci për zgjidhje. Nëse edhe pas zgjedhjeve kemi të njëjtën matematikë politike, atëherë kemi prodhuar vetëm një cikël të ri politik, jo një zgjidhje të re.
Prandaj, sot pyetja kryesore nuk është kush do të dalë fitues i radhës. Pyetja është nëse liderët politikë janë në gjendje ta vendosin interesin e shtetit mbi interesin e pushtetit.
Kosova nuk ka nevojë sot për një fitues tjetër zgjedhor; Kosova ka nevojë për një zgjidhje politike që ta bëjë të zbatueshëm rezultatin që qytetarët tashmë e kanë dhënë. Kosova ka nevojë për një zgjidhje politike që ta bëjë të zbatueshëm projektin që kam propozuar; të një mandatari apartiak me kredenciale profesionale, një qeveri ekspertësh me mandat politik programor, siç e kam elaboruar më parë. Prandaj përgjegjësia tani është të ndërtohet kompromisi.
Dhe ky kompromis nuk duhet të shihet si dobësi e askujt.
Kompromisi nuk është humbje e zgjedhjeve. Kompromisi është fitore e shtetit.
Sepse mandati elektoral të jep të drejtën për të qeverisur por, nuk të jep të drejtën për të bllokuar shtetin. Ndërsa opozita ka të drejtë të kundërshtojë qeverinë, por jo të drejtën për ta mbajtur shtetin peng.
Në fund, përgjegjësia historike e politikës është të gjejë rrugën që e nxjerr Kosovën nga ngërçi, jo ta thellojë atë.
Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin.

