Të shtëna me armë mes kontrabandistëve dhe policisë në Zubin Potok, arrestohet një i dyshuari

Të shtëna me armë mes kontrabandistëve dhe policisë në Zubin Potok, arrestohet një i dyshuari

Zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot më 30.12.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.

Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur veten dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, ka thënë Policia në një njoftim për media, raporton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit të kamionit, policia tha se janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, që dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’”, njoftoi PK-ja.

Kamioni me dele ndërkaq është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vendngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.