Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar që ligji që trajton procesin gjyqësor në Hagë të rikthehet sa më parë në Kuvend dhe të votohet pa vonesa të mëtejshme.
Këtë kërkesë Limaj e ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në Ferizaj, të organizuar me ftesë të Rrjetit të OJQ-ve AVONET, me temën “Kosova pas 16 shtatorit”.
Limaj ka thënë se gjatë diskutimit ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, duke përmendur mungesën e transparencës, pikëpyetjet mbi kredibilitetin e trupit gjykues, kontestimet për vlefshmërinë e provave dhe çështjet që lidhen me të drejtat procedurale të të akuzuarve.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të veprojnë në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me vendosmëri.
Një tjetër shqetësim që ka ngritur Limaj lidhet me dallimin në dënimet e shqiptuara për krimet e luftës. Sipas shifrave që ai ka prezantuar gjatë diskutimit, për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë janë shqiptuar gjithsej 106 vjet burgim, ndërsa ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shqiptuar 567 vjet burgim.
Kreu i Nismës ka përmendur gjithashtu masakrat në Qirez, Poklek dhe Abri, si dhe krimet e tjera të vitit 1999, varrezat masive dhe zhvendosjen e fshehtë të trupave të viktimave shqiptare.
Limaj ka bërë thirrje për unitet dhe angazhim të përbashkët, duke theksuar se mbrojtja e historisë, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të drejtave të të akuzuarve në Hagë nuk duhet të ndahet sipas bindjeve politike apo përkatësisë brezore.
Ai ka vlerësuar se kjo çështje kërkon angazhim të institucioneve, shoqërisë civile, akademisë dhe qytetarëve.
Postimi i tij në Facebook:
Sot, në qytetin e Ferizajt, me ftesë të Rrjetit të OJQ-ve AVONET, pata nderin të jem pjesë e një bashkëbisedimi me qytetarë, ku diskutuam për një nga çështjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe të së ardhmes së Kosovës, me temën “Kosova pas 16 shtatorit”.
Kjo temë nuk i përket vetëm së kaluarës sonë, por prek drejtpërdrejt të tashmen dhe të ardhmen e shtetit tonë.
Në këtë diskutim nuk fola vetëm si përfaqësues politik, por edhe si njeri që e ka përjetuar drejtpërdrejt përballjen me drejtësinë ndërkombëtare. Kam qenë ndër të parët që jam përballur me mekanizmat gjyqësorë ndërkombëtarë për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, fillimisht përmes Tribunalit të Hagës dhe më pas përmes misioneve ndërkombëtare të drejtësisë në Kosovë.
Pikërisht për këtë arsye, e di nga përvoja se çfarë nënkupton përballja me një proces të tillë, sa e rëndësishme është drejtësia dhe sa të domosdoshme janë respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe garantimi i një gjykimi të drejtë.
Gjatë bashkëbisedimit shpreha shqetësimet e mia lidhur me procesin gjyqësor në Hagë. Mungesa e transparencës, pikëpyetjet mbi kredibilitetin e trupit gjykues, kontestimet lidhur me vlefshmërinë e provave dhe çështjet që lidhen me të drejtat procedurale të të akuzuarve janë shqetësime që meritojnë vëmendje serioze.
Republika e Kosovës nuk duhet të qëndrojë pasive përballë kësaj çështjeje. Institucionet tona kanë përgjegjësi që të veprojnë me vendosmëri dhe në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese e ligjore.
Prandaj, kërkesa ime është e qartë: Ligji që trajton procesin gjyqësor në Hagë duhet të rikthehet sa më parë në Kuvend dhe të votohet pa vonesa të mëtejshme. Nuk ka arsye që kjo çështje të mbetet peng i zvarritjeve institucionale. Mbrojtja e të drejtave të të akuzuarve, respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe garantimi i një gjykimi të drejtë kërkojnë veprim konkret.
Këtë angazhim duhet ta zhvillojmë me argumente juridike, me dokumente dhe me komunikim të vazhdueshëm me aleatët tanë strategjikë.
Një shqetësim tjetër që ngrita lidhet me disproporcionin e madh në dënimet e shqiptuara. Sipas shifrave të prezantuara në diskutim, për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë janë shqiptuar gjithsej 106 vjet burgim, ndërsa ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shqiptuar 567 vjet burgim.
Ndërkohë, shumë krime të kryera gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Masakrat në Qirez, Poklek dhe Abri, si dhe krimet e shumta të vitit 1999, varrezat masive dhe zhvendosja e fshehtë e trupave të viktimave shqiptare nga strukturat shtetërore serbe, janë pjesë e një historie që nuk duhet të lihet në harresë.
Në bashkëbisedimin me qytetarët theksova se kjo çështje nuk duhet të na ndajë sipas bindjeve politike apo përkatësisë brezore. Përkundrazi, kërkon bashkim, përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët kombëtar. Të rinjtë, institucionet, akademia, shoqëria civile dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë pjesë e këtij debati.
Mbrojtja e historisë sonë nuk është detyrë e një partie, e një individi apo e një gjenerate. Është përgjegjësi e të gjithë neve.
Kosova ka nevojë për unitet, guxim dhe vendosmëri. Mbrojtja e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të drejtave të atyre që po përballen me procesin në Hagë duhet të jetë një angazhim i përbashkët.
Faleminderit Rrjetit të OJQ-ve AVONET për organizimin dhe mundësinë e këtij bashkëbisedimi, si dhe të gjithë qytetarëve të Ferizajt për pjesëmarrjen, interesimin dhe diskutimin e hapur.
Kosova pas 16 shtatorit kërkon reflektim, përgjegjësi dhe veprim institucional!

