Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Ligji për Specialen të miratohet nesër në të dyja leximet, duke e cilësuar këtë vetëm si fillimin e një angazhimi më të madh institucional.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se Kuvendi duhet ta miratojë ligjin me një zë dhe pa e shndërruar procesin në “fushëbetejë për interpretime politike”.
Postimi i tij:
Nesër në Kuvendin e Kosovës do të jetë një ditë e gjatë. Aty, me një zë, Kuvendi duhet ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet.
Por ky ligj duhet të jetë vetëm fillimi i një reagimi proaktiv të shtetit në mbrojtje të historisë dhe të vlerës më të madhe kombëtare, luftës çlirimtare.
Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim.
Në leximin e dytë duhet ta trajtojmë me shumë kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë në Komisionin për Legjislacion, në mënyrë që të bëhet çdo amendament i nevojshëm që e përmirëson ligjin.
Kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë për interpretime politike, e as në garë se kush po paraqitet më i mirë apo më i zëshëm.
Nesër duhet të jetë një nisje e re.
Në dy vitet që vijnë, shteti i Kosovës duhet të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë.
Kosova duhet të ketë një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare.
Nesër nuk duhet të jetë fundi i një debati, por fillimi i një pune më të madhe të shtetit për çlirimtarët.

