U.d. presidentja e Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.
Haxhiu ka thënë se tetë subjekte politike shqiptare nga Lugina e Preshevës janë bashkuar, pavarësisht dallimeve politike dhe historisë së tyre, me qëllim të përfaqësimit të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ajo e ka cilësuar marrëveshjen si “një vendim të pjekur politik”, duke theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve duhet të vendoset mbi interesat partiake.
“Pesha e këtij bashkimi kuptohet më mirë kur kemi parasysh diskriminimin dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, ndër çështjet me të cilat përballen shqiptarët në Serbi janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, nënpërfaqësimi në institucionet publike, si dhe kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve dhe përjashtimi ekonomik.
Haxhiu ka bërë krahasim edhe me të drejtat dhe garancitë kushtetuese që komuniteti serb i gëzon në Kosovë, duke theksuar se shqiptarët në Serbi nuk kanë ulëse të garantuara në parlament dhe se përfaqësimi i tyre varet nga rezultati i zgjedhjeve.
Ajo ka vlerësuar se bashkimi i subjekteve politike shqiptare është i domosdoshëm për forcimin e përfaqësimit politik të Luginës.
“Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë”, ka thënë Haxhiu.
Në fund, ajo ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe se do të shtohet edhe mbështetja institucionale për ta.
Haxhiu u ka uruar sukses kandidatëve të listës së përbashkët në zgjedhjet e 25 tetorit.

