Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka premtuar se amerikanët e rritur mund të përfitojnë nga 5 mijë dollarë, nëse Partia Republikane arrin të ruajë kontrollin mbi Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin në zgjedhjet e nëntorit.
Ai e ka quajtur këtë pagesë një “dividend të Trumpit”, duke thënë se ajo do të ishte një përfitim i drejtpërdrejtë për qytetarët amerikanë.
Sipas tij, paratë do të duhej të shpenzoheshin brenda Shteteve të Bashkuara, raportojnë mediat ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.
Por, ende nuk dihet se si do të financohej një skemë e tillë dhe si do të realizohej pagesa. Sipas vlerësimeve, nëse 5 mijë dollarët do t’u jepeshin rreth 270 milionë të rriturve amerikanë, kostoja totale do të arrinte në rreth 1.35 trilion dollarë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka lënë të kuptohet se pagesa mund të mos përfshijë amerikanët me të ardhura të larta. Ndërkaq, Trump ka përmendur të ardhurat nga tarifat doganore si një prej burimeve të mundshme për financimin e saj.
Premtimi i Trumpit vjen në prag të zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit, në të cilat republikanët synojnë të ruajnë shumicën si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat.

