Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar nga gjykata me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të gjykatës, Sveçlës i është caktuar dënimi prej një viti burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej një viti.
Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancë gjatë shpalljes së dënimit.
Në seancën e sotme, prokurori ka deklaruar se Prokuroria qëndron prapa rrethanave rënduese dhe lehtësuese të paraqitura në fjalën përfundimtare më 28 gusht 2026.
“Duke qenë se tanimë gjykata të pandehurin Xhelal Sveçla e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, duke pasur parasysh se neni 375 paragrafi 2 i KPRK-së parashihet për këtë vepër penale dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe dënim me burg prej 1-10 vjet”, ka deklaruar prokurori.
Prokuroria kishte kërkuar që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.
“Gjykatës i propozojmë që me rastin e dënimit të pandehurit Xhelal Sveçla t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë euro”, ka thënë prokurori.
Ndërkaq, mbrojtja ka deklaruar se nuk do të paraqesë propozime për dënimin, duke u bazuar në faktin se Sveçla nuk e ka pranuar fajësinë.
“Duke u nisur nga fakti që i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë, ne nuk e shohim të arsyeshme që të paraqesim propozime apo të japim komente rreth rrethanave”, ka deklaruar avokati mbrojtës.
Në fund, gjykata vendosi që Sveçla të dënohet me një vit burgim me kusht, duke mos e shqiptuar dënimin efektiv nëse brenda afatit të përcaktuar nuk kryen vepër tjetër penale. /Telegrafi/

