Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kritikuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, VV-ja ka thënë se themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës përbën, sipas saj, “dëmin më të madh” që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes, Gjykata Speciale është e padrejtë në vetë themelin e saj, pasi është krijuar si një mekanizëm i veçantë gjyqësor me fushëveprim ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje”, thuhet në deklaratë.
VV-ja ka kritikuar edhe faktin që, sipas saj, përgjegjësia për krimet e luftës në Kosovë nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë, duke përmendur shtetin serb, strukturat e tij politike e ushtarake dhe krimet e kryera gjatë luftës.
Në deklaratë, Vetëvendosje ka ngritur kritika edhe për origjinën e procesit që çoi në themelimin e Gjykatës Speciale, duke përmendur nismën e vitit 2008 në Këshillin e Evropës dhe raportin e Dick Martyt.
Sipas VV-së, pretendimet për trafikim organesh, të cilat ishin pjesë e debatit fillestar, u përdorën politikisht për të dëmtuar imazhin e luftës së UÇK-së dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të një gjykate të posaçme.
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar edhe mënyrën se si deputetët e Kosovës u bindën për ta votuar themelimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se u përdor frika se, në të kundërtën, Rusia do të mund ta themelonte një gjykatë të tillë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
VV-ja ka deklaruar se pasojat e këtij vendimi janë të thella dhe ka kritikuar ndryshimin e Kushtetutës, funksionimin e gjykatës jashtë Kosovës dhe paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve.
Në fund, Vetëvendosje u ka bërë thirrje personave që kanë votuar për themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vota e tyre dhe ta pranojnë atë që e konsideron gabim.
“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.
VV-ja ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në “Marshin për Liri”, i cili mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke deklaruar se marshimi do të jetë kundër atyre që, sipas saj, e themeluan Gjykatën Speciale dhe në mbështetje të “lirisë, drejtësisë dhe të vërtetës së luftës çlirimtare”.

