Komuna e Mitrovicës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), edhe gjatë ditës së sotme pritet mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje lokale shiu, shkarkime rrufesh dhe erëra të forta.
Në njoftimin e komunës thuhet se, për shkak të kushteve atmosferike, qytetarët duhet të kenë kujdes gjatë lëvizjes dhe aktiviteteve në ambiente të hapura, duke shmangur qëndrimin pranë pemëve, shtyllave elektrike, objekteve të dëmtuara dhe zonave që mund të paraqesin rrezik.
Komuna bën të ditur se shërbimet kompetente mbeten në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe koordinimin e veprimeve sipas nevojës.
Po ashtu, qytetarët ftohen që në rast të ndonjë situate emergjente të kontaktojnë numrin emergjent 112.

