Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nisje të European Political Community (EPC) në Dublin u prit nga kryeministri i Irlandës, Micheal Martin. “Jam shumë i lumtur të kthehem në Dublin pas tre vjetësh e gjysmë, dua të falënderoj Taoiseach (kryeministrin) Micheál Martin për ftesën dhe mikpritjen.
Irlanda është rrëfim i shkëlqyeshëm suksesi i integrimit Evropian dhe anëtarësimit. Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën Irlandeze. Dhe, duam të falënderojmë popullin e Irlandës për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës më 1999, kur u dëbuan nga mëmëdheu i tyre për shkak të gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Millosheviqit dhe Jugosllavisë”, ka theksuar Kurti.
Ai ka falënderuar ushtarët dhe oficerët irlandezë, të cilët kanë shërbyer në KFOR përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave e gjysmë, për të siguruar paqe, siguri e mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit tim. “Bashkimi Evropian dhe NATO janë organizata të domosdoshme për demokraci, prosperitet dhe sigurinë e përgjithshme”, ka deklaruar Kurti.

