HomeAktualeKonfirmohet identiteti i tri viktimave nga varri masiv në Zubin Potok, pjesë...

Konfirmohet identiteti i tri viktimave nga varri masiv në Zubin Potok, pjesë e “Grupit të Intelektualëve”

spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se është konfirmuar identiteti i tri viktimave pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.

Kurti shkroi në Facebook se raportet e ADN-së kanë konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Kryeministri nuk tregoi me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat, por tha se familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar qysh sot.

Njoftimi i tij vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në këtë komunë në veri të vendit, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në nisje të vizitës sime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u njoftova nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se janë pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe mënjëherë, sot, përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.

Në ditët dhe javët në vijim, presim të pranojmë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve.

Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit masiv në Kalludër. Gjatë vizitës në këtë lokacion, theksova se është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.

Përkushtimi ynë institucional do të vazhdojë me kërkime në terren, mbështetje për procesin e identifikimit dhe komunikim të drejtpërdrejtë e të kujdesshëm me familjet. Do të qëndrojmë pranë tyre dhe do t’i mbështesim në kërkesat për të vërtetën, drejtësinë dhe kthimin me dinjitet të më të dashurve.

Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje.

Edhe gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ashtu si çdo ditë në punën time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës e vërteta për fatin e më të dashurve tanë dhe drejtësia për viktimat e familjet e tyre do të jenë në qendër të angazhimit tonë. Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Lajmet e Fundit

Ademi në Gjermani, përgatitjet për ulëset e stadiumit në Hajvali

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur...

Hamza viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Nuk janë vetëm dhe nuk do të jenë kurrë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit...

Qindra mërgimtarë shqiptarë mblidhen në Zürich kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Qindra mërgimtarë shqiptarë janë mbledhur sot në Helvetiaplatz të Zürichut, në një tubim paqësor...

Virusi i Nilit Perëndimor ua mori jetën dy personave në Kosovë, deklarohet IKSHPK-ja

Në Kosovë janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor (WNV),...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...