Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, presidenti Krasniqi e njoftoi ambasadorin me sukseset e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare, duke veçuar medaljet olimpike dhe rolin e tyre në promovimin e Kosovës në botë.
Ai foli edhe për angazhimin e KOK-ut në mbështetjen e sportistëve, zhvillimin e talenteve të reja dhe krijimin e kushteve më të mira për përgatitje dhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua mundësive për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sportit, me theks të veçantë në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Në këtë drejtim, u vlerësua rëndësia e shkëmbimit të përvojave me Mbretërinë e Bashkuar, duke marrë parasysh përvojën e saj në organizimin e ngjarjeve të mëdha shumësportëshe, veçanërisht Lojërave Olimpike Londra 2012.

