Mijëra qytetarë kanë protestuar të premten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkesat e protestuesve ishin: Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e të pandehurve dhe angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtar në mbrojtje të UÇK-së.
Protesta u zhvillua me moton “Në mbrojtje të UÇK-së”, ndërsa një nga mesazhet e përcjella nga protestuesit ishte “Jo në emrin tim!”.
Gjatë fjalimit në protestë, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se sot “të gjithë jemi UÇK”.
“Sot jemi tubuar këtu për ta ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh këtë popull që është ngritur”, tha Gucati.

