Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të raportit të fundit të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), duke thënë se të dhënat tregojnë përkeqësim të gjendjes në vend dhe nevojën për ndryshim politik.
Gjini, përmes një postimi, ka theksuar se rritja e numrit të qytetarëve që mendojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar dhe shtimi i dëshirës për largim nga vendi janë tregues shqetësues.
Sipas tij, qytetarët po përballen me probleme të mëdha ekonomike, si rritja e çmimeve, faturat e energjisë dhe mungesa e vendeve të punës, ndërsa korrupsioni vazhdon të shihet si një nga kërcënimet kryesore për demokracinë.
“Rezultatet e raportit të fundit të NDI janë dëshmia më e pastër se oferta me gjashtë pika e Aleancës është emergjencë kombëtare për të shpëtuar Kosovën nga zbrazja”, ka shkruar Gjini.
Ai ka prezantuar disa nga propozimet e AAK-së, duke përfshirë investimet në sektorin energjetik, përfshirë gazin amerikan dhe ndërtimin e një termocentrali të ri, si dhe lehtësime tatimore për qytetarët dhe bizneset.
Gjini ka kërkuar një “kthesë të madhe të qendrës së djathtë”, duke thënë se ajo duhet të ndalë shtrenjtimin e jetesës, të përfundojë projektet infrastrukturore dhe t’u krijojë qytetarëve arsye për të qëndruar në Kosovë.

