Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është takuar me një nga figurat më ikonike në historinë e futbollit botëror, legjendën braziliane Ronaldo Nazário, i njohur si “Fenomeni”.
Përmes një postimi, Ademi e cilësoi këtë takim si një kënaqësi të veçantë, duke rikujtuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm që Ronaldo dha për Kosovën në periudhën e pasluftës.
“Ronaldo ka një vend të veçantë në zemrat tona. Në qershor të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, ai vizitoi Kosovën si Ambasador i Vullnetit të Mirë i OKB-së. Me vizitën e tij historike në Gjakovën e shkatërruar nga lufta, ai u dha shpresë dhe mbështetje morale qytetarëve tanë në ditët më të vështira”, ka shkruar Ademi.
Presidenti i FFK-së vlerësoi se Ronaldo nuk është vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, por edhe një personalitet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme me humanizmin e tij.
“Një kampion i madh brenda dhe jashtë fushës, të cilin Kosova nuk e harron kurrë”, theksoi Ademi.
Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të FIFA-s, ku presidenti i FFK-së po merr pjesë së bashku me drejtues të federatave dhe personalitete të njohura të futbollit botëror.

