Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi pritje në Ballkonin e Hapur të Qeverisë me rastin e shënimit të 24 Qershorit, Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian.
Në fjalën hyrëse, ai tha se ditët memoriale janë më emocionuese se ditët festive dhe janë më të veçanta se ditët e zakonshme, ngase ato janë rikujtim për rrugëtimin dhe ritheksimin për rëndësinë e rolin e komunitetit egjiptian, i cili ka ecur mes kohëve, mes stuhive dhe nuk ka lejuar kurrë që ta humbasë drejtimin.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se në çdo hap të rrugëtimit tonë shtetndërtues, nga përpjekjet e hershme për liri e shpallja e pavarësisë e deri te funksionimi i institucioneve demokratike, komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë.

