Me fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore, Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar sot planin dhe komponetet e misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026.
DnV-ja vlerësoi se aktivitetet e parafushatës në terren dhe komunikimi elektoral i subjekteve në hapësirën online kanë filluar tash e një kohë. “Gjithsesi, periudha para nisjes së fushatës zgjedhore është karakterizuar nga vendime qeveritare me ndikim të drejtpërdrejtë në integritetin e procesit zgjedhor dhe barazinë e garës, përmes shpërndarjes së pakove financiare në vlera qindra milionëshe, të orientuara kryesisht drejt kategorive të ndjeshme të popullsisë, përfshirë mërgatën dhe kompanitë private”, ka thënë Eugen Cakolli.
Në garën zgjedhore që do të zgjasë 10 ditë, DnV u bëri thirrje subjekteve politike, kandidatëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proces që të respektojnë standardet dhe rregullat në fuqi për një garë demokratike, fer dhe të orientuar në përmbajtje programore.
Cakolli ka theksuar se DnV-ja do të vlerësojë ecurinë, barazinë dhe kualitetin e fushatës zgjedhore në tre aspekte: Sa shpenzojnë subjektet politike për fushatë në rrjete sociale, përkatësisht platformën Meta (Facebook dhe Instagram), cila është përmbajtja e sponsorizuar dhe sa i japin hapësirë promovimit të kandidatëve në rrjetet sociale. “Po ashtu, DnV do të monitorojë gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, lajmet e rreme, përmbajtjet manipuluese dhe trendet kryesore të komunikimit në rrjetet sociale dhe media online gjatë gjithë periudhës së fushatës. Do të monitorohen edhe mediat tradicionale (televizionet me shtrirje kombëtare) për të vlerësuar nëse mediat respektojnë standardet për t’u ofruar kohën dhe hapësirën e barabartë të gjitha subjeketve në garë dhe në këtë drejtim rolin që KPM do ta ketë në trajtimin e shkeljeve nga mediat tradicionale dhe të shkruara”, ka pohuar ai.
Cakolli ka theksuar se monitoruesit do të përcjellin 11 televizione në gjuhën shqipe dhe serbe për të analizuar sa hapësirë subjektet po i japin kandidatëve të tyre për deputet dhe kandidatëve për kryeministër. “Vëmendje do t’i kushtohet hapësirë së dedikuar për gratë në zgjedhje, gjuhës dhe temave që do të trajtohen nga subjektet politike. Sa i përket Ditës së Zgjedhjeve, DnV do të angazhojë rreth 500 vëzhgues në nivel vendi, duke përfshirë të gjitha komunat. Vëzhguesit do të vendosen në 500 vendvotimet e përzgjedhura sipas mostrës statistikore të metodologjisë PVT (Parallel Vote Tabulation). Kjo metodologji do të garantojë vlerësim kredibil dhe të saktë të procesit dhe të rezultateve preliminare. Të dhënat që do të vijnë nga terreni do të shërbejnë që publiku të informohet saktë për rregullsinë e ditës së zgjedhjeve, përfshirë respektimin e procedurave për hapjen dhe mbylljen e vendvotimeve, administrimin e votimit gjatë ditës dhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje”, është shprehur ai.
Pas ditës së zgjedhjeve, Cakolli ka treguar se DnV-ja përmes vëzhguesve të saj do të monitorojë procesin e numërimit të votave për kandidatë në të gjitha 38 Qendrat Komunale të Numërimit. “Për këtë operacion do të angazhohen 100 vëzhgues të cilit do të ndjekin respektimin e procedurave të numërimit, trajtimin e materialit zgjedhor, transparencën e procesit dhe konsistencën e praktikave ndërmjet komunave të ndryshme. Përveç Qendrave Komunale të Numërimit, DnV do të mbulojë edhe zhvillimet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë procesimin e votave me kusht, votave nga jashtë vendit dhe procedurat eventuale të rinumërimit. Të gjitha observimet nga procesi i vëzhgimit do të publikohen fillimisht përmes deklaratës preliminare dhe më pas raportit përfundimtar, i cili do të përfshijë gjetjet dhe rekomandimet për procesin zgjedhor në tërësi. Që nga viti 2007, DnV-ja si rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile ka monitoruar të gjitha zgjedhjet e rregullta dhe të jashtëzakonshme, duke e përcjellë nga afër punën e KQZ-së dhe PZAP-it në administrimin e operacioneve, përkatësisht drejtësisë zgjedhore në të gjitha fazat”, ka deklaruar Cakolli.

