Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për objektivat e Kombëtares në dy ndeshjet e fundit të nëntorit në Ligën e Kombeve, futbollistët e rinj të ftuar dhe mundësitë që lojtarët e Superligës të bëhen pjesë e ekipit përfaqësues.
Foda ka theksuar se synimi kryesor i Kosovës është të sigurojë qëndrimin në Ligën B, duke e cilësuar përballjen me Izraelin si shumë të rëndësishme.
Ai ka bërë të ditur se ftesat për futbollistët e rinj janë pjesë e planifikimit për të ardhmen, ndërsa stafi i tij përcjell vazhdimisht lojtarët që aktivizohen si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit.
Sa i përket futbollit vendor, Foda ka vlerësuar garën në Superligë, duke veçuar Malishevën, Prishtinën dhe Dritën si skuadrat që po spikasin këtë sezon. Sipas tij, çdo futbollist që tregon paraqitje të mira dhe vazhdimësi mund të marrë ftesë nga Kombëtarja.
Përzgjedhësi ka folur edhe për Milot Rashicën, duke thënë se, pavarësisht minutave të pakta te Besiktasi, ai ka dëshmuar se mund t’i japë energji dhe cilësi ekipit përfaqësues.
Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 17 nëntor do të luajë në udhëtim ndaj Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.

