Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pritet të ketë tri risi në grumbullimin e radhës, pasi për herë të parë do t’i bashkohen futbollistët Lindrin Kamberi, Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Kombëtares, Bajram Shala, i cili ka dhënë detaje për përbërjen e ekipit dhe gjendjen e futbollistëve para ndeshjeve të ardhshme.
Sipas Shalës, për Enis Rexhepin është duke u përfunduar dokumentacioni pranë FIFA-s, ndërsa për dy futbollistët e tjerë situata është e qartë.
Nga lista e publikuar do të mungojnë Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani, të cilët kanë pësuar lëndime gjatë fundjavës dhe për këtë arsye nuk kanë mundur t’i bashkohen ekipit.
Kosova po përgatitet për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ku më 14 nëntor do të përballet me Izraelin në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor do të luajë si mysafire kundër Irlandës në Dublin


