Dy tigra tashmë po bredhin nëpër natyrën e egër të Kazakistanit, gati 80 vjet pasi këta grabitqarë u panë për herë të fundit në këtë shtet.
Më 2 nëntor, Ministria për Ekologji dhe Burime Natyrore e Kazakistanit njoftoi se një tigër, i quajtur Amur, u vendos në rezervatin natyror që është shtëpi e maceve të mëdha.
Amuri do të ndajë me tigreshën nga Rusia të quajtur Umit, Rezervatin Shtetëror Natyror Ile-Balkhash, që gjendet rreth 300 kilometra në veriperëndim të Almatit. Umit u la e lirë në këtë rezervat më 31 korrik. Dhjetë ditë pas kësaj, ajo vrau dhe hëngri një derr të egër dhe një ujk dhe raportohet se, me sukses, ajo është përshtatur në mjedisin e ri, raporton Rel.
Valery Bilyachenko drejton një qendër për peshkim rekreativ pranë vendit ku u lanë të lirë në natyrë tigrat. Ai është një nga personat në atë zonë që po e ndjek nga afër zhvillimin e këtij projekti. Bilyachenko i tha Radios Evropa e Lirë se banorët lokalë janë kryesisht kundër projektit për rikthimin e tigrave.
“Burimi kryesor i jetesës në fshatrat e zonës është blegtoria”, theksoi ai. “Ka kullota dhe bagëti dhe, natyrisht që banorët vendas janë të shqetësuar se tigrat do t’ua vrasin kafshët”.
Disa fshatra ndodhen vetëm disa dhjetëra kilometra larg vendit ku janë dy tigrat.
“Tigrat tani janë pajisur me qafore me gjurmues satelitorë, kështu që lëvizjet e tyre po monitorohen. Na kanë thënë se, kur tigrat të fillojnë t’u afrohen fshatrave, do të dërgohen ekipe të posaçme për t’i trembur dhe për t’i larguar”, tha Bilyachenko.
Kazakistani është zotuar se do të ketë aktive ekipe “kundër konflikteve” me qëllim që të parandalohen incidentet mes tigrave dhe njerëzve ose bagëtive. Po ashtu, sipas raportimeve, përmes mesazheve banorët do të njoftohen sa herë që një tigër do t’i afrohet një fshati ose ferme në një distancë prej pesë kilometrash.
Shkrimi i plotë 👇
https://www.evropaelire.org/a/tigra-kazakistan-rezervat-natyror/33892380.html

